Furnizuan tregjet italiane me tonelata kokainë, arrestohet kreu i grupit Farruku

Prokuroria e Posaçme ka dhënë detaje mbi grupin kriminal që siguronte transportin e drogës me kontejnerë nga Amerika Latine në portet italiane.

727
Farruku Spak
Credit: shteg.org

Kreshnik Farruku, alias Bundlla, i kërkuar drejtësia italiane ka “shijuar” qëndrimin në shtëpi vetëm 5 ditë. Dhe pse ia kishte dalë të siguronte një vendim gjykatë “me arrest” në shtëpi, në pritje të ekstradimit, Farruku u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme mbrëmjen e 11 janarit 2025 nga forcat Renea në shtëpinë e tij në Manzë, pak kilometra larg Tiranës.

Hetimet e prokurorisë e identifikojnë atë si kreun e organizatës që furnizonte me shumicë tregjet italiane me kokainë të siguruar nga vendet e Amerikës Latine.

“Është bërë identifikimi i shtetasit, K.B, i paidentifikuar nga autoritetet italiane, i cili merrej me organizimin e pritjes, magazinimin e drogës në Itali dhe më pas shpërndarjen në tregun italian” – thuhet në njoftimin e SPAK.

Nga hetimet ka rezultuar se Farruku është organizatori i furnizimit të lëndës narkotike, llojit kokainë e sekuestruar më 27 janar 2021 në Autostradën Guardamiglio Itali.  

Prokuroria pretendon se ka të dokumentuar rolin Farrukut si kreu i organizatës hetimet ndaj së cilës nisën në dhjetor të 2021 nga një skuadër e përbashkët hetimore me antimafian italiane.

Grupi kriminal që dyshohet se drejtohej nga vëllezërit Farruku ishte në gjendje të transportonte, menaxhonte sasi të mëdha kokainë nga Amerika e Jugut drejt porteve detare italiane, kryesisht atij të Livornos.

“Kontejnerët ruheshin në portet e mbërritjes, ku ekipet e posaçme kujdeseshin për rikuperimin e lëndës narkotike dhe nxjerrjen e dërgesave nga zonat portuale, për t’i vënë më pas në dispozicion të grupeve kriminale” – thuhet në dosjen hetimore.

Për të lehtësuar operacionet e identifikimit dhe gjetjes së kokainës, grupi i strukturuar kriminal përdorte pajisje radiolokalizimi, ndërsa lënda fshihej brenda kontejnerëve të ngarkuar me mbulesë frutash ekzotike ose në hapësirat e posaçme të krijuara për këtë qëllim.

Nga hetimet e kryera është bërë e mundur kapja e mbi 2 ton kokainë, nga e cila, grupi kriminal do të kishte përfituar rreth 70 milionë euro.

Pak ditë më parë, me 6 janar 2025, Kreshnik dhe Erneo Farruku u vetë-dorëzuan në komisariatin e Policisë së Durrësit për shkak të akuzave të ngritura nga Prokuroria e Breshias. Ata akuzohen në Itali për veprat “Organizatë kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”. 

“U dorëzuan pa negociata me Policinë. Kanë shkuar me vullnetin e tyre të plotë në komisariatin e  Durrësit dhe duan të përballen me drejtësinë. Në çdo rrethanë që do të dorëzoheshin do të lindnin aludime. Një ditë ata do të dorëzoheshin“, – thotë avokati i vëllezërve Farruku për “shteg.org”. 

Të nesërmen, me 7 janar 2025 Gjykata e Durrësit  vendosi ndaj Farrukut masën e sigurisë  me “arrest shtëpie” dhe pse ndaj tij gjykatat italiane kishin nxjerrë një vendim për “arrest me burg”  për veprat “Organizatë kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike” .

Emri i Kreshnik Farruku nuk është i panjohur dhe në radhët e politikës së zonës së Durrësit. Ai përmendet dhe në dosjen e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgen Çyrbja, i arrestuar në tetorin e 2024 nga SPAK. Ky i fundit kishte marrëdhënie miqësore me kreun e Farrukëve, madje i jepte  dhe informacione duke dekonspioruar aksionet e policisë në mënyrë që të mos arrestohej. 

Aksioni i fundit për lokalizimin e Kreshnik Farrukut u bë në shtator të vitit 2024 kur u kontrolluan  21 vila në Gjiririn e Lalzit, por pa rezultat.

Më herët, Gjykata e Posaçme vendosi dhe për sekuestrimin e pasurive të vëllezërve Farruku, për me një vendim të gjykatës së apelit atyre iu rikthyen 40  tituj pasurie  ndërsa iu konfiskuan 27 pasuri të tjera.

Eraldo Harlicaj
+ posts

Eraldo Harlicaj aktualisht punon si gazetar në emision televiziv “Inside Story” në Top Channel. Ai ka një eksperiencë të mëparshme si gazetar në disa media shqiptare.

Ka mbaruar studimet në Universitetin Barleti me degën Marketing dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.