Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar këtë të mërkurë, më 23 korrik, kërkesat e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, për zbutje ose shuarje të masës së arrestit me burg. Gjykata i ka konsideruar kërkesat të pabazuara në prova dhe në ligj, duke vendosur ta mbajë në paraburgim.
Pak ditë më parë, Prokuroria e Posaçme (SPAK) përfundoi hetimet për Çyrben dhe e çoi çështjen për gjykim.
Ish-deputeti akuzohet për pesë vepra penale, mes të cilave: “Tregim i sekretit shtetëror” në dy raste, “Përkrahje e autorit të krimit” në dy raste të tjera, si dhe “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Së bashku me të janë dërguar për gjykim edhe dy të pandehur të tjerë, Ahmet Masha dhe Altin Hajri, ky i fundit ende në kërkim për një tjetër çështje të rëndë, ajo e rrëmbimit dhe zhdukjes së shtetasit Jan Prengës.
Treshja e të pandehurve në këtë gjykim akuzohet se kanë shpërndarë të dhëna sekrete nga sistemi TIMS dhe kanë dekonspiruar Policinë e Shtetit te persona të shpallur në kërkim, përmes platformave të enkriptuara “SkyECC” dhe “Matrix”.
Bisedat e enkriptuara kanë zbuluar se Jurgis Çyrbja, i ka ofruar dhe premtuar të pandehurit Altin Hajri, se do të ushtronte ndikim tek agjencitë e zbatimit të ligjit (polici dhe prokurori), në këmbim të mbështetjes elektorale.
Ndërkohë, Altin Hajri, i cili vijon të jetë në kërkim, akuzohet për korrupsion në zgjedhje pasi i ka siguruar vota ish-deputetit Çyrbja.
Janë faktuar 8 episode gjatë periudhës 1 Maj 2020 deri më 8 Mars 2021. Të akuzuarit janë vënë në dijeni të të dhënave në sistemin “TIMS”, mbi një person të shpallur në kërkim, si edhe të disa informacioneve sekrete të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, thotë SPAK.
Këto informacione lidheshin me planet e Drejtorisë së Policisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, por edhe në Qarkun e Durrësit, për kapjen e personave të shpallur në kërkim, për kryerjen e elementëve të veprave penale në kuadër të krimit të organizuar.
Një tjetër element që del në pah nga hetimet e SPAK, është fakti që Altin Hajri dhe persona të tjerë komunikonin në platformën “Matrix” pas arrestimit të Jurgis Çyrbes dhe Ahmet Mashës gjatë periudhës Tetor-Dhjetor 2024. Në këto komunikime janë evidentuar edhe takimet me punonjës të policisë të cilët kanë informuar për aksionet e bluve.
“Nga përmbajtja e komunikimeve evidentohet njohja mes të pandehurve, pohimi i përmbajtjes së komunikimeve të zhvilluara mes tyre me anë të platformës së enkriptuar “SkyEcc”, si dhe veprimet e paligjshme të kryera në episodet objekt akuze, ku janë pohuar dhe vendtakimet që kanë realizuar me punonjësit e policisë, të cilët i kanë informuar edhe për operacionet e zhvilluara për kapjen e personave në kërkim”, thotë SPAK.
Jurgis Çyrbja u arrestua më 20 Tetor 2024 me urdhër të SPAK. Ai ka qenë deputet i Kuvendit për dy mandate, dhe ka dhënë dorëheqjen nga mandati në Tetor të vitit të kaluar, në kohën kur hetimet e SPAK kishin hyrë në fazën përfundimtare.
Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme u arrestua të njëjtën mbrëmjen edhe personi i dytë që akuzohet për të njëjtën çështje, Ahmet Masha ku sipas verifikimeve resulton të jetë kunati i vëllait të sh-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.