GJKKO sekuestron dy vila të Monika Kryemadhit dhe nënës së saj

Gjykata vendosi sot sekuestrimin e dy vilave në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë që janë në pronësi të Monika Kryemadhit dhe nënës së saj Fatime Kryemadhi. Dyshime se pasuritë janë vendosur nga burime të dyshimta të ardhurash.

Monika dhe Fatime Kryemadhi
Credit: Facebook

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), sekuestroi vilat e deputetes Monika Kryemadhi dhe nënës së saj Fatime Kryemadhi. Vendimi u mor pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme SPAK që dyshon se këto prona janë vendosur nga burime të dyshimta të ardhurash.

Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për dy vila që ndodhen në zonën “Kodra e Diellit” në Tiranë. Konkretisht janë 842 metra katrorë ndërtesa të cilët nga dita e sotme kanë kaluar në sekuestro, deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

Monika Kryemadhi dhe ish-bashkëshorti i saj Ilir Meta janë nën akuzë për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë publik, fshehje pasurie dhe pastrim parash”.

Nga hetimet e SPAK ka dyshime se ish-presidenti Meta është i përfshirë në aferën korruptive CEZ DIA, po ashtu dyshohet se në bashkëpunim me ish-bashkëshorten kanë ushtruar ndikimin e tyre në mënyrë të kundraligjshme që biznesmeni shqiptaro-amerikan Ardian Shatku të lidhte dy kontrata koncesionare në Shqipëri në vitet 2014-2015.

Gjithashtu ka dyshime se kanë votuar ligje klienteliste për llogari të biznesmenit Samir Mane, në të paktën një rast mbi ndryshimet ligjore të sektorit minerar.

Ndërsa për akuzën e pastrimit të parave ka dyshime nga SPAK lidhur me kontratat që ish-lëvizja Socialiste për Integrim ka lidhur me kompani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ditën e djeshme ish-presidenti Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kërkuan ndryshim të masës së sigurisë në Gjykatën e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Megjithatë Apeli vendosi të lerë në fuqi vendimin “arrest me burg” për Ilir Metën dhe “detyrim paraqitje” për Monika Kryemadhin.

Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.

Bjorn Alija është gazetar pranë redaksisë shteg.org