Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përmes avokatit të tij mbrojtës, kërkoi sot në Gjykatë zëvendësimin e masës së arrestit me burg me një garanci pasurore. Edhe pse në seancë nuk ishte i pranishëm fizikisht, Veliaj ofroi, në mënyrë të përsëritur, një garanci pasurore për lirinë e tij, duke ia lënë përcaktimin e shumës vlerësimit të trupës gjykuese.
Në seancë, Veliaj nuk ishte i pranishëm fizikisht, por u përfaqësua nga avokati i tij Ermir Beta, i cili kërkoi zëvendësimin e masës me një garanci pasurore. Megjithatë, kërkesa u rrëzua nga trupi gjykues, duke lënë në fuqi masën e arrestit me burg për Veliaj.
Në sallën e gjyqit ishte i pranishëm vetëm biznesmeni Elman Abule, bashkëpandehur në të njëjtën çështje. Ndaj tij, gjyqtari Engert Pëllumbi vendosi të mbetet në fuqi masa e arrestit shtëpiak.
Ndërkohë, përmes mbrojtësve të tij ligjorë, Veliaj ka apeluar edhe vendimin e mëparshëm të datës 23 prill, dhënë nga gjyqtari Erion Bani, i cili kishte pranuar raportin periodik të SPAK dhe kishte urdhëruar vazhdimin e masës së arrestit me burg.
Mbrojtja ka dërguar gjithashtu rekurs në Gjykatën e Lartë, por ende nuk është caktuar një datë për shqyrtimin e kërkesës dhe trupa gjykuese që do ta trajtojë atë.
Erion Veliaj, i cili mbahet në qeli që prej 10 shkurtit, është nën akuzë për “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrimin e parave”, vepra që dyshohet se i ka kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Kjo e fundit ndodhet nën masën “detyrim paraqitjeje” dhe po hetohet gjithashtu për mosdeklarim pasurie.
Sipas Spak, Veliaj dyshohet se ka përfituar përmes familjarëve të tij apo personalisht shpërblime nga disa biznesmenë në të paktën nëntë raste.
Prokuroria pretendon se ekzistojnë prova që ngrenë dyshime të arsyeshme për një skemë korruptive, ku fondet publike të Bashkisë së Tiranës janë transferuar te bashkëshortja e Veliajt dhe të afërmit e saj.
Hetimet tregojnë se përmes kësaj skeme, Veliaj ka përfituar një vilë në Qerret dhe rreth 110 milionë lekë, në këmbim të lejeve ndërtimi dhe fondeve publike të dhëna biznesmenëve nën hetim.
Sipas hetimeve të SPAK, skema dyshohet se është realizuar nëpërmjet tre organizatave jofitimprurëse dhe tre kompanive të lidhura me Xoxe dhe biznesmenin Elman Abule.
Veliaj i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si pjesë e një hetimi të padrejtë.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.