Gjykata e Lartë konfirmon burgimin e Bajrajve për vrasjen e Fatbardh Licit

Të akuzuar për vrasje dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal, tre të pandehurit, Safet Bajri, Astmer Bilali dhe Behar Bajri do të përballen me drejtësinë pasi u refuzua kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë arrest me burg.

329
Safet Bajri i shoqëruar nga forcat RENEA
Credits: LSA - Safet Bajri i shoqëruar nga forcat RENEA

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga Safet Bajri, Astmer Bilali dhe Behar Bajri, të cilët akuzohen për vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2018 në Shkodër.

Tre të pandehurit kishin kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Apelit, që kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”, duke depozituar rekurs në instancën më të lartë gjyqësore të vendit. Por Gjykata e Lartë vendosi të mos e pranojë rekursin, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit.

Safet Bajri u arrestua më 21 shkurt 2025. Ai, së bashku me Astmer Bilalin dhe Behar Bajrin, akuzohen për tre vepra penale.

Në njoftimin e SPAK thuhet se tre personat dyshohen për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës Fatbardh Lici, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Nga hetimet e kryera në kuadër të këtij procedimi penal, i cili lidhet me disa ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës në vitin 2018, rezulton se janë mbledhur prova mbi të cilat është krijuar dyshimi i arsyeshëm se të tre personat kanë planifikuar, organizuar dhe kanë kryer vrasjen me armë zjarri të shtetasit Fatbardh Lici, i afërm i Ibrahim Licit, në Shkodër më 10 gusht 2018.

“Motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet ndër të tjera me atribuimin që shtetasi Behar Bajri i bën shtetasit Ibrahim Lici për vrasjen e të njohurit të tij, shtetasit Boran Berçana”, thuhet në njoftim.

Saga e përgjakshme mes grupeve kriminale Bajri dhe Lici ka nisur që nga viti 2018 dhe ka prodhuar një seri ngjarjesh të dhunshme që kanë përfshirë atentate, vrasje dhe hakmarrje mes bandave. Deri tani, ky konflikt ka lënë pas 12 të vrarë dhe dy të zhdukur, ndërkohë që numri i atentateve dhe përplasjeve mes grupeve është ende në rritje.

Përplasjet mes këtyre grupeve kanë nisur me një atentat të telekomanduar në janar të vitit 2018 ndaj biznesmenit Lulzim Kulla, ku 8 persona u plagosën, duke shënuar fillimin e një spiraleje dhune që vazhdon edhe sot. Gjatë këtyre viteve, vrasjet e lidhura me hakmarrjet mes Bajrëve dhe Licëve kanë përfshirë figura të njohura të qytetit të Shkodrës dhe kanë tronditur strukturat shtetërore.

Një nga ngjarjet kyçe në këtë përplasje ka qenë vrasja e dy vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, më 30 mars të vitit 2019, ku të dy u ekzekutuan me breshëri kallashnikovi. Pas këtij atentati, Ibrahim Lici u vu nën hetim dhe dyshohet të ketë qenë autor i kësaj vrasjeje. Atentati i Bilalëve shënoi një pikë të nxehtë të konfliktit mes grupeve rivale, të cilët janë përpjekur vazhdimisht të mposhtin njëri-tjetrin për të kontrolluar territorin dhe aktivitetet e paligjshme.

Në vazhdim, shumë atentate dhe vrasje të tjera kanë tronditur Shkodrën, si vrasja e Fatbardh Licit në gusht të vitit 2018, një ngjarje që dyshohet të ketë pasuar si hakmarrje nga Bajrat. Po ashtu, vrasja e Arjan Ferracakut dhe Fatos Ferracakut po ashtu janë të lidhura me këtë përplasje.

Vrasja e Endri Mustafës në vitin 2021 në lagjen “Livadhet”, e cila dyshohet se ka qenë një kurth i ngritur nga grupi Bajri, ka qenë një tjetër ngjarje që ka thelluar tensionet mes grupeve. Policia shpalli në kërkim Ibrahim Licin, por ai mohoi çdo lidhje me krimin, duke e akuzuar grupin rival Bilali për ekzekutimin e Mustafës. Megjithatë, hetimet e ngadalësuara dhe dëshmitë e pasigurta kanë bërë që drejtësia të mbetet e paqartë.

Kulmin e ka arritur përplasja më e fundit, atentati i 30 tetorit të vitit 2024 në Dobraç, ku 4 persona humbën jetën. Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, dhe Arlind Bushati, u qëlluan për vdekje, ndërsa dy të pafajshëm, Flutura dhe Bashkim Basha, humbën jetën po ashtu në këtë atentat të përgjakshëm. Nga hetimet e kamerave, u pa se Ibrahim Lici ishte gjithashtu në makinën e shënjestruar, por ai mbijetoi pas plagosjes dhe është ende i zhdukur.

iPhone 152x152 1
[email protected] | Website |  + posts

RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.