Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimin me 1 vit burg të Salianjit

Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji do të vazhdojë të qëndrojë në burg, pasi Gjykata e Lartë refuzoi për herë të dytë rekursin e tij kundër vendimit me burg të Gjykatës së Apelit.

435
Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji
Credits: LSA

Gjykata e Lartë vendosi gjatë ditës më 11 Mars 2025, të refuzojë për herë të dytë shqyrtimin e kërkesës së ish-deputetit Ervin Salianji për të ndryshuar vendimin e Gjykatës së Apelit, duke e cilësuar fajtor për veprën penale të kallëzimit të rremë.

Gjyqtarët e Apelit me votë unanime vendosën lënien në fuqi të vendimit të marr më 18 dhjetor 2019 nga Gjykata e Tiranës që lidhej me shpalljen e tij fajtor për veprën penale të kallëzimit të rremë për dosjen e njohur si “çështja Babale” dhe prej prej 27 shtatorit të vitit të kaluar, 2024, i burgosur në burgun e Fierit.

Pavarësisht izolimit, ashtu sikurse edhe politikanë të tjerë, Salianji reagoi përtej hekurave me anë të një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ku e cilësoi dënimin e tij si politik.

“Denimi im politik është kërcënim i hapur për cilindo që lufton krimin, korrupsionin dhe mafien e veshur me pushtet,” – tha Salianji, ndërkohë që edhe më herët, më 15 tetor të vitit 2024 Gjykata e lartë rrëzoi kërkesën e parë të ish-deputetit demokrat për pezullimin e dënimit me burg.

Përveç Salianjit edhe kërkesa e gazetarit Jetmir Olldashi për të ndryshuar vendimin e Gjykatës së Apelit nuk u pranua.

Dënimi i tyre lidhet me publikimin në ambientet e Partisë Demokratike e audio-përgjimit të vitit 2018, ku aludohej se Agron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj bisedonte me shtetasin Albert Veliu për çështje të trafikut të drogës.

Dënimi ndaj Salianjit lidhet me një audio-përgjim të publikuar prej tij në Partinë Demokratike në maj të vitit 2018, ku pretendohej se vëllai i ministrit të Brendshëm të kohës, Fatmir Xhafajt bisedonte me një shtetas të quajtur Albert Veliu në lidhje me trafikun e drogës. Pas publikimit, Agron Xhafaj (njohur ndryshe edhe si Geron Xhafaj) kreu kallëzim për akuzuesit pasi pretendonte se audio-përgjimi ishte i sajuar dhe më pas iu dorëzua autoriteteve italiane për të vuajtuar një tjetër dënim të hershëm që lidhej më trafikun e lëndëve narkotike.

Pas përballjes me Drejtësinë, më 2019 Salianji u dënua me 1 vit burg, ndërsa gazetari Jetmir Olldashi, i akuzuar për bashkëpunëtor u dënua me 6 muaj heqje lirie të cilat më pas u konvertuan në 100 orë pune në interes të publikut. Ndërkohë, Albert Veliu, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Rrethit Vlorë që prej vitit 2008 për shkak të kryerjes së veprës penale të trafikimit të mjeteve motorike, është dënuar për çështjën “Babale” me 3 vjet e 5 muaj burgim.

Dallandyshe Xhaferri
+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.