Edhe Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për lirimin nga qelia dhe vendosi që të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”, të cilën po e vuan prej thujase 5 muajsh.
Vendimi u mor pasi u dëgjuan argumentet, pjesë e të cilave ishte ankimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe 6 biznesmenëve kundër masave të sigurisë të vendosura nga Gjykata e Posaçme e Apelit, më 13 mars.
Kryebashkiaku i Tiranës nisi të apelojë masën e GJKKO në Apelin e Posaçëm, disa ditë pas arrestimit të tij por shkalla e dytë e gjyqësorit vendosi të rrëzojë kërkesën e tij duke lënë në fuqi vendimin e dhënë në seancën e vlerësimit të masave të sigurisë që u mbajt në Gjykatën e Posaçme.
Apelimi i dytë nga Veliaj vijoi në prill të këtij viti, ku kërkoi revokim ose zëvendësim të masës së sigurisë si dhe informacion dy mujor nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion lidhur me hetimet që po kryhen ndaj tij sa i përket veprës penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Kërkesë e cila iu revokua nga GJKKO.
Së fundmi edhe Gjykata e Lartë vendosi të lërë në fuqi të njëjtën masë arresti për kryebashkiakun.
Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohen nga SPAK se ndërtuan një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse në zotërim të Xoxes dhe familjarëve të saj.
Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive.
Përveç Veliajt dhe bashkëshortes së tij, GJKKO ka vendosur masa më të buta sigurie ndaj biznesmenit Elman Abule dhe pesë biznesmenëve të tjerë, mes tyre Gentian Sula, Shkëlqim Fusha dhe Fatmir Bektashi.
Erion Veliaj u arrestua nga SPAK më 10 shkurt dhe masa e sigurisë ndaj tij është konfirmuar nga Gjykata e Posaçme të shkallës së parë dhe ajo e Apelit.
Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, masa e arrestit ndaj Veliajt është vendosur për shkak se ai dyshohet se, së bashku me bashkëshorten, kanë tentuar të ndërhyjnë dhe prishin provat e çështjes, arsye për vijimin e mbajtjes së tij në qeli.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.