Gjykata e Posaçme i rikthen 40 tituj pasurie vëllezërve Farruku

Pasuritë e sekuestruara përfshijnë prona luksoze dhe automjete të markave të njohura, ndërkohë që janë konfiskuar edhe 27 pasuri të tjera, që dyshohet se janë përfituar nga aktivitetet kriminale.

762
Godina e SPAK në Tiranë
Credit: Kristi Çavo

Gjykata e Posaçme vendosi t’i rikthejë vëllezërve Kreshnik dhe Erneo Farruku 40 pasuri, të cilat u ishin sekuestruar më parë pasi dyshoheshin se e kishin burimin nga veprimtari të jashtëligjshme. Në këto pasuri të rikthyera përfshihen 5 apartamente, 2 garazhe, 7 automjete, 3 biznese dhe toka bujqësore, të regjistruara në emër të tyre ose të familjarëve të tyre.

Gjithashtu, Gjykata e Posaçme ka vendosur të konfiskojë 27 pasuri të tjera, të rregjistruara gjithashtu në emrat e tyre, pasi dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm i trafikut të drogës.

Kreshnik Farruku, i njohur ndryshe si Kreshnik Budlla, është një emër i njohur për autoritetet, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Spanjë, për lidhjet e tij me aktivitetet kriminale. Dyshohet se ai bashkë me vëllain e tij, Erneo, drejtojnë klanin kriminal “Farruku”, që u godit nga policia spanjolle gjatë një operacioni të vitit të kaluar. Objektiv i këtij operacioni ishte goditja e rrjeteve të trafikimit të lëndëve narkotike.

Kreshnik Farruku u arrestua në vitin 2019 në Madrid. Një mandat arrestimi ishte lëshuar dhe nga Italia që nga viti 2018, ndërsa autoritetet spanjolle po e hetonin për lidhjet e mundshme me grupin shqiptar që në vitin 2007 u fut me dhunë në shtëpinë e biznesmenit José Luis Moreno dhe për vrasjen e një burri në El Molar të Madridit më 2008-n.

Përfshirja e vëllezërve Farruku në aktivitete të jashtëligjshme ka ngjallur dyshimet e Drejtësisë për vendosjen e parregullt të pasurisë prej tyre.

Pasuritë e sekuestruara janë në emër të Kreshnik Farrukut (Budlla), Erneo Farrukut dhe familjarëve ose personave të tjerë të lidhur me ta dhe dyshohen se janë përfituar nga aktivitetet kriminale të trafikimit të drogës dhe pastrimit të parave.

Ndër pasuritë e konfiskuara numërohen disa prona në Tiranë dhe Durrës, apartamente në ndërtesa luksoze, automjete të markave “Mercedes Benz” dhe “Smart”, si dhe bizneset “Eco Energy System” dhe “Rrotull-Beton”.

Budlla, nga trafikimi i drogës tek arratisja nga burgu

Godina e SPAK në Tiranë

14 vite më parë, më vitin 2010 Kreshnik Budlla dhe 7 anëtarë të bandës u kapën me 20 kilogramë kokainë teksa po përpiqeshin ta trafikonin në Itali. Pas arrestimit të Kreshnikut, vëllai i tij, Erneo, mori udhëheqjen e grupit, por u arrestua edhe ai dy vjet më vonë, në vitin 2012.

Budlla u arratis nga burgu në vitin 2014, duke përdorur lejen që kishte marrë për të dalë. Ai nuk u kthye më pas kësaj leje dhe vazhdoi aktivitetet e tij kriminale, kryesisht në trafikun e drogës. Pas arratisjes, ai arriti të shmangte autoritetet për disa vite, duke përdorur identitete të ndryshme dhe duke operuar si lider i një grupi kriminal që merrej me trafikimin e drogës. Atentatet dhe kërcënimet për jetën e tij ishin të shpeshta. Në vitin 2015, ai u plagos në një atentat në Tiranë, duke u qëlluar me armë në zonën e Don Boskos.

Ai u arrestua në maj të vitit 2019, në Madrid, Spanjë, pas një periudhe hetimesh intensive dhe ndjekjesh nga policia, ku ende vazhdon të vuajë dënimin e tij. Ai u kap në një hotel, së bashku me vëllanë e tij dhe një tjetër anëtar të familjes, pasi kërkohej në Spanjë dhe Itali për trafik kokaine, vjedhje banesash dhe hetime lidhur me një vrasje. Sipas raportimeve nga mediat spanjolle, ai dyshohej për vrasjen e bosit të tij në vitin 2010, një krim që lidhej me pazaret e drogës. Megjithatë, pas hetimeve, u konstatua se vrasjen e kishte organizuar Devi Kasmi, i cili më vonë u vra në një atentat në Tiranë më janar të vitit 2018.

Bjorn Alija
+ posts

Bjorn Alija është gazetar pranë redaksisë shteg.org