Gjykata e Posaçme vendosi këtë të hënë, 3 Mars 2025, të pranojë kërkesën e SPAK për vijimin e masës së sigurisë “arrest me burg” dhe pezullimin nga detyra për tre zyrtarë të policisë, të akuzuar për përfshirje në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit në Sarandë, Gjirokastër dhe Tepelenë.
Ish shefat e uniformave blu u përballen me akuzat për “kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike”, “shpërdorim detyre” dhe “kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Shefi i Krimeve në Komisariatin e Lushnjes, Ervis Alisinanaj, akuzohet gjithashtu për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Ai, së bashku me Shkëlzen Ruskën, shef krimesh në Himarë, dhe Erdit Hazizajn, ish-shef në disa komisariate dhe kandidat i PD-së për bashkinë e Roskovecit në zgjedhjet e vitit 2023, u arrestuan.
Ndërkohë, në kërkim është Elvis Dervishi, shefi i kufirit në Sarandë. Po ashtu, të shpallur në kërkim janë dhe tre drejtues të dy grupeve kriminale, si dhe tre shtetas të tjerë të përfshirë në aktivitete kriminale.
Sipas hetimeve të SPAK, zyrtarët e policisë rezulton të kenë përdorur aplikacionin e komunikimit të koduar SKY ECC për të mbajtur kontakte me grupet kriminale, duke iu garantuar atyre mbështetje dhe mbrojtje.
Prokuroria ka dokumentuar se ky aktivitet kriminal ka vijuar për një periudhë trevjeçare, nga viti 2019 deri në 2021, duke mundësuar shitjen e sasisë së kanabisit me vlerë 1.7 milionë euro.
Sipas hetimeve, drejtuesit e këtij rrjeti kriminal dyshohet të jenë Kristi Qirizi dhe Eldian Allushi, ndërsa të përfshirë rezultojnë edhe shtetas italianë, disa prej të cilëve janë arrestuar më herët në Greqi për trafik droge.
Në kërkim janë shpallur dhe 3 drejtuesit e 2 grupeve kriminale si dhe 3 shtetas të tjerë të përfshirë në disa episode kriminale.
Nga hetimet e kryera nga SPAK dhe BKH, të mbështetur nga agjenci të huaja ligj-zbatuese si Eurojust, Europol, rezultuan se grupi kriminal operonte në Shqipëri dhe Greqi dhe dyshohet se drejtohej nga Kristo Qirici, vëllai i Edmond Papës, një biznesmen i njohur që u vra në Tiranë në vitin 2022.
Ky grup kriminal vitet e fundit është përfshirë në një “luftë” të egër me bandën rivale që dyshohet se është drejtuar nga Aleksandër Sadikaj.
Përplasjet mes tyre kanë krijuar një seri ngjarjesh kriminale, përfshirë vrasje dhe atentate. Sadikaj u ekzekutua më 11 qershor 2022, kur makina e tij shpërtheu në një atentat me eksploziv. Hetimet zbuluan se vrasja e Sadikajt ishte pjesë e një cikli hakmarrjesh që kishte filluar për shkak të prishjes së pazareve të drogës mes grupeve të ndryshme. Nga kjo “luftë” mes grupeve rezultojnë të jenë vrarë shtatë persona, pesë në Shqipëri dhe dy në Greqi.
Gjykata e Posaçme më datë 2 mars 2025, caktoi masën “arrest në burg” për 10 shtetas të dyshuar si anëtar të një grupi kriminal që vepronte në jug të vendit.
Nga 10 të akuzuarit si trafikantë të drogës të përfshirë në këtë skemë policia mundi të arrestojë vetëm 3 prej presonave për të cilët gjykata vendosi masën e arrestit me burg.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.