Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të vazhdojë masën e pezullimit nga detyra për Kryetarin e Komisionit të Prokurorimeve Publike (KPP), Jonaid Myzyri.
Ky vendim pason kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), dhe zgjat efektet e masës së vendosur që prej 30 qershorit 2025 ndaj zyrtarit të lartë të adminsitratës shtetërore.
Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës së Posaçme, Myzyri është ende nën hetim dhe dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka kryer veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.
Hetimi lidhet me dëmin e supozuar ekonomik ndaj buxhetit të shtetit në vlerën prej 2 miliardë e 550 milionë eurosh, dhe bëhet fjalë për tenderin “Mirëmbajtje rutinë me përformancë rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal – Q. Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit” i zhvilluar më 18 shtator 2020 nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe që kishte një fond limit pa TVSH prej 219.8 milionë lekësh.
Jonaid Myzyri, i cili me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2020 u emërua kryetar i KPP-së me një mandat 5-vjeçar, u paraqit për herë të parë në mjediset e Prokurorisë së Posaçme më 7 prill të këtij viti, 2025.
Fillimisht ai u thirr për të dëshmuar si person në dijeni në kuadër të hetimeve që SPAK zhvilloi për procedurat e tenderave gjatë viteve 2020-2023, që përkon dhe marrjen e këtij fuksioni prej Myzyrit.
Më pas, më 22 prill u mor në pyetje për mbi tre orën si person nën hetim dhe dy muaj mw pas ai u mor i pandehur nga SPAK.
Në kuadër të këtyre hetimeve, më 24 qershor 2025, Gjykata vendosi pezullimin e tij nga detyra, çka pamundëson në çdo rast dhe rikandidimin e tij për një mandat të dytë.
Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.