Një javë pas nisjes së gjykimit në themel për çështjen “Partizani”, Gjykata e Posaçme ka vendosur të lirojë nga masa e sigurisë “arrest në shtëpi” Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Vendimi i gjykatës parashikon zëvendësimin e masës me një garanci pasurore prej 3 milionë lekësh, e cila duhet depozituar brenda dy ditëve nga shpallja e vendimit.
Malltezi ka qëndruar në arrest shtëpie për rreth 1 vit e 7 muaj, ndërsa ka deklaruar publikisht se hetimi ndaj tij është një akt politik.
“Vendimi i sotëm vjen pas 20 muajsh privim lirie, thjesht me një urdhër politik të Edi Ramës”, u shpreh ai pas daljes nga gjykata.
Ndaj Malltezit rëndojnë akuzat për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, në kuadër të privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”. Sipas SPAK, ai ka përfituar 5.4 milionë euro në mënyrë të parregullt, përmes një marrëdhënieje të ndërlidhur me pushtetin e vjehrrit të tij, Sali Berisha, gjatë kohës kur ky i fundit ushtronte funksionin e kryeministrit.
Çështja kaloi për gjykim më 19 maj 2025, pas më shumë se 7 muajsh zvarritje proceduriale. Seanca e parë në themel u mbajt më 30 qershor, por u shty për shkak të mungesës së Berishës.
Ky i fundit pretendoi se nuk kishte marrë një njoftim zyrtar, por shtoi se shkaku kryesor i mungesës ishte një udhëtim personal.
“Njoftim zyrtar nuk kisha marrë, por nuk ishte kjo arsyeja, unë isha në një udhëtim”, – deklaroi ai për mediat ditën e sotme, më 7 korrik, pasi u paraqit si çdo të hënë në ambientet e SPAK.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza penale ndaj tetë të pandehurve, përfshirë Berishën dhe Malltezin, për veprat “korrupsion pasiv i kryer në bashkëpunim” dhe “pastrim parash”, lidhur me privatizimin e truallit dhe ndërtimin e 17 pallateve në ish-kompleksin Partizani, çështje për të cilën SPAK pretendon se ka sjellë përfitime të paligjshme për Malltezin.
Një tjetër zhvillim që shoqëroi hapjen e gjykimit ishte kërkesa për dorëheqje e gjyqtares Elsa Ulliri, e cila drejton trupin gjykues. Kërkesa e saj u bë objekt shqyrtimi, por në fund u refuzua nga vetë gjykata, çka do të thotë se procesi do të vijojë nën drejtimin e saj.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.