Gjykata Kushtetuese legjitimon si prova për prokurorët komunikimet e ç’koduara nga aplikacioni “Sky ECC” mbi të cilat Prokuroria e Posaçme nga ngritur një sërë procedimesh penale për anëtarë të grupeve kriminale si dhe funksionarë të lartë të sistemit të drejtësisë.
Ishte Pëllumb Gjoka, një biznesmen ky që qeveria e ka shpallur dhe investitor Strategjik, i arrestuar në korrik të vitit 2023, që i kërkoi gjykatës kushtetuese të shpallë si të pavlefshme komunikimet në aplikacionin “Sky ECC”, mbi të cilat janë bazuar prokurorët për ta akuzuar atë për një sërë veprash penale.
Nëpërmjet avokatit të it, Gjoka iu drejtua Gjykatës për shpalljen e këtyre komunikimeve si të pa vlefshme me pretendimin se përdorimi i këtyre të dhënave si prova gjyqësore përbën një shkelje të të drejtave të njeriut dhe rregullave të privatësisë.
“Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, bazuar në nenet 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, vendosi, njëzëri, rrëzimin e kërkesës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Përpos kërkesës së lidhur me masën e sigurimit dhe “Sky ECC”, gjykata rrëzoi edhe pretendimet në lidhje me kushtetutshmërinë e disa pikave në ligjin që rregullon ngritjen e strukturave të posaçme kundër korrupsionit.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar Eduard Halimi. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Halimi thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese sot është një hap vendimtar për drejtësinë dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Sipas tij vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri është një vendim drejtësisë i cili përputhet me standardet e vendosura nga gjykatat evropiane si ECJ, ECHR dhe Gjykata e Kasacionit në Itali, duke shënuar një pikë kthese të rëndësishme për drejtësinë në vendin tonë.
Ky vendim i orientuar debatin drejt thelbit të autenticit të provave dhe përbën një garanci të re për drejtësinë e procesit gjyqësor dhe largimin nga paragjykimet procedurale që shpesh janë pengesë për drejtësinë e vërtetë.
“Sky ECC” është një aplikacion i zhvilluar nga kompania kanadeze “Sky Global” dhe një hetim i OCCRP-së zbuloi se kjo platformë përdorej gjerësisht nga krimi i organizuar.
Hetimi i “The Crime Messenger” bazohet në rreth 3,800 dosje nga çështjet penale kundër Sky ECC në Francë, ku gjykata e Parisit centralizoi procedurat evropiane kundër kompanisë së aplikacioneve të koduara në vazhdën e operacionit të vitit 2021. Dosjet përfshijnë raporte nga hetimet policore dhe japin prova të gjetura në telefonat Sky, si: transkripte të bisedave dhe fotografi të drogave e armëve të dërguara përmes Sky. Këto dosje më pas u krahasuan me provat e marra nga të dhënat publike të dokumenteve gjyqësore në Holandë, Gjermani, Kanada, Belgjikë dhe Serbi dhe gazetarët intervistuan shumë persona kyç në universin Sky.
Në gusht 2024, pas një hetimi shumëvjeçar nga gjyqtarët investigues francezë, CEO i Sky Global, Jean-Francois Eap, dhe 30 persona të tjerë të lidhur me kompaninë – përfshirë punonjës me përvojë të Sky, shpërndarës dhe shitës lokalë – u akuzuan për bashkëpunim kriminal, pastrim parash, dhe shpërndarje të pajisjeve të enkriptuara pa regjistrim të plotë. Ndaj Eap gjithashtu janë ngritur akuza në SHBA, për bashkëpunim në lehtësimin e trafikut ndërkombëtar të drogës përmes telefonave Sky.
Lexoni më thellë
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.