Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, la në fuqi masat e sigurisë “arrest me burg” për 10 të arrestuarit të dyshuar si pjesë e grupit kriminal të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine.
Një laborator droge u zbulua nga SPAK disa ditë më parë pas kontrolleve në disa zona të vendit, ku u arrestuan dhe trafikantë dhe përpunues të kokainës, mes tyre tre latinë.
Njëri prej të arrestuarve, 25-vjeçari Endi Sejdini ishte pronari i banesës ku ishte ngritur laboratori i drogës, në një nga katet e ndërtesës.
I riu kishte një biznes privat mobileri në zonë dhe se nuk rezulton një person me precedentë penal apo rekorde kriminale. Dyshohet se drejtues të këtij grupi trafikantësh janë, Aldi Zonja, Artion Çaushllari, Geis Fejsullai dhe Kladi Birçe, të katër të arrestuar.
Rolin kryesor të financuesit dyshohet ta ketë Geis Fejsullai, Aldi Zonja, Ismail Abdurrahmanaj, dhe Baki Huqi.
Në total SPAK deklaron se sekuestroi 850 lëkura kafshësh të kriposura që ishin importuar në Shqipëri. Për ta nxjerrë përmbajtjen narkotike nga lëkurët e gjethëve udhëtuan drejt kryeqytetit shqiptar 3 shtetas të huaj, dhe konkretisht kolumbiani Hiulen Narvarez, Joze Vasquez dhe Samuel Serrano nga Venezuela.
Tre shtetasit e huaj të arrestuar, dyshohet se kryenin rolin e “kimistëve” në ndarjen dhe përpunimin e kokainës e cila pasi përpunohej në Shqipëri në një laborator të sofistikuar në fshatin Qerekë të Fushë-Krujës dërgohej drejt vendeve të Bashkimit Europian.
SPAK thekson se duke u nisur nga mënyra e organizimit, ndarja e roleve, gjetja e pikave strategjike për ngritjen e laboratorëve dhe sasia e madhe e lëndës narkotike, dyshohet se kemi të bëjmë më një grup të mirëoganizuar kriminal.
“Ky rrjet shfaqte një bashkëpunim efikas mes ekspertëve të huaj me përvojë dhe elementëve lokalë të mirë-organizuar, duke krijuar një mekanizëm funksional dhe shumëdimensional të aktivitetit kriminal” – thotë SPAK.
SPAK konstaton se laboratori i ngritur në Qerekë të Fushë Krujës dhe ambientet ndihmëse në Tiranë dhe Durrës, ishin vendosur në pika strategjike të infrastrukturës kombëtare.
Pranë aeroportit më të madh të vendit, dhe portit të Durrësit, këto zona vështirësonin monitorimin nga ajri prej agjensive ligjzbatuese, dhe nga ana tjetër lehtësonin transportin e shpejtë të drogës dhe përzierësve kimike, duke siguruar një qasje të shpejtë në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Rrjeti operonte në mënyrë të synkronizuar, me çdo hallkë të përcaktuar në mënyrë të detajuar. Ekspertët e huaj përqendroheshin në proceset teknike të përpunimit, duke shfrytëzuar aftësitë e tyre për të ngritur laboratorë të përpunimit të drogës. Ndërkohë, financuesit shqiptarë siguronin investimet, pajisjet dhe përbërësit kimikë.
Transportuesit dhe përpunuesit lokalë luanin rolin e tyre për të siguruar lëvizjen e sigurtë të drogës dhe pajisjeve, ndërsa shpërndarësit kishin detyrën për ta futur drogën në tregjet e destinuara.
Hetimi i narkotrafikut u kryesua nga prokurori Adnan Xholi, ndërsa zyrtarisht thuhet se u bllokuan edhe gati 6 kilogramë kokainë dhe përzierës që do të shërbenin për procesin.
Mes provave të sekuestruara numërohen edhe dhe 57 milionë peso kolumbianë dhe 36 mijë euro.
Bjorn Alija është gazetar pranë redaksisë shteg.org