Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, i cili u paraqit të enjten para gjykatës për vlerësimin e kësaj mase. Vendimi u mor pas ekstradimit të tij dy ditë më parë nga Spanja, ku Berisha ishte shpallur në kërkim për disa akuza të rënda.
Në vitin 2020, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda (GJKKO) kishte caktuar masën “arrest në burg” për Berishën, i cili akuzohet për kryerjen e veprave penale “vrasja me paramendim”, “vrasja në rrethana cilësuese” kundër dy ose më shumë personave, dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të kryera si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Në seancën gjyqsore të ditës së sotme, para trupës gjykuese Lulzim Berisha ka mohuar të ketë njohje me bashkëpuntorin e drejtësisë Luftar Reçin.
Edhe avokati i tij Detar Hysi, u shpreh për median se Luftar Reçi po mashtron institucionet e drejtësisë duke i bërë thirrje prokurorëve të posaçëm të jenë të pavarur në kryerjen e detyrës.
“Nisur nga përmasat mediatike, duhet të sqaroj opinionin publik se i ashtuquajturi bashkëpunëtor i drejtësisë Luftar Reçi, një mitoman permanent, që nga dita që është futur në sistem e deri më sot bëri kërkesa dhe krijon artifica duke mashtruar institucionet shtetërore.”, – u shpreh avokati Detar Hysi.
Lulzim Berisha pas 1 vit e 3 muaj arrestimi në Spanjë, u ekstradua të martën e 18 marsit 2025, në Tiranë, ish-kreu i bandës së Durrësit, i akuzuar nga autoritetet shqiptare që prej vitit 2022.
Berisha mbërriti në Rinas gjatë orëve të mbrëmjes, ndërsa nuk fitoi betejën as me autoritetet gjyqësore në Spanjë për kundërshtimin e ekstradimit në vendlindje, 15 muaj pas arrestimit.
Hetimet
Lulzim Berisha, u shpall në kërkim në vitin 2020 pas akuzave të ngritura nga prokuroria për përfshirjen e tij në vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, ngjarje këto të ndodhura në vitin 2005.
Për vepra të rënda penale, si pjesëmarrje në organizatë kriminale, vrasje dhe trafik ndërkombëtar të kryera në vitet 1998-2000, Berisha, ishte dënuar me burgim të përjetshëm por ai mundi të ndryshojë dënimin nga burg përjetë në 25 vjet burg, me vendim të Gjykatës së Lartë në vitin 2014.
2 vjet më vonë, ish-kreu i bandës së Durrësit fitoi lirinë me vendim të Gjykatës së Apelit të Durrësit, e cila arsyetoi se 3/4 e dënimit ishte shlyer, për shkak të sjelljes së tij të mirë duke sjellë faljen e 5 viteve të mbetura të dënimit.
Mirëpo Gjykata e Lartë, në dhjetor të 2021 prishi vendimin e Apelit të Durrësit për faljen e 5 viteve, duke kërkuar rikthimin në qeli për vuajtjen e tyre. Me këtë arsye Prokuroria e Durrësit e shpalli në kërkim në janar 2022 dhe u arrestua në Spanjë në dhjetor 2023.
Me rikthimin në Tiranë, Lulzim Berisha ka 2 episode të përballjes me drejtësinë, përmbylljen e dënimit të vjetër dhe gjykimin për vrasjen e 2005-ës të Klodian Saliut.
Kujtojmë që në tetor të 2024, nga Gjykata e Posaçme u rrëzuan akuzat ndaj drejtuesve të dyshuar të “Bandës së Durrësit” për vrasjen e biznesmenit Klodian Saliu. Gjatë hetimit gjyqësor, u konstatua mungesa e provave të mjaftueshme për të mbështetur akuzat kundër tyre.
Pas katër vitesh hetime prokuroria i kërkoi gjykatës rrëzimin akuzës ndaj Lulëzim Berishës dhe Plarent Dervishaj duke argumentuar se “nuk provohet kryerja e veprës penale nga ana e personave nën hetim”.
Si provë për prokurorinë shërbyen dëshmitë e të penduarve të drejtësisë që implikonin në vrasjen e biznesmenit dhe dy prej drejtuesve kryesorë, të grupit kriminal që në rekordet e organeve ligjzbatuese njihet si “Banda e Durrësit“.
I pari ishte Luftar Reci, i cili dëshmoi për prokurorët se kishte njohje e miqësi me Lulëzim Berishën e Plarent Dervishajn dhe se ishte Berisha që i kërkoi ti gjente një minë, e cila sipas tij u përdor për ekzekutimin e Vajdin Lamajt e mikut të tij.
“Nga faktet e dhëna prej tij (Luftar Reci) nuk provohet përfshirja e personave nën hetim Lulzim Berisha dhe Plarent Dervishaj në vrasjen e shtetasve Vajdin Lamajt e Artan Arsi”, arsyeton prokuroria.
Megjithatë prokuroria pranoi se mina që u përdor në vrasjen e Lamajt është montuar në prani të të dyshuarve, porse nuk rezulton të kenë pasur dijeni për ngjarjen ku do të përdorej.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.