TIRANË – Gjykata e Posaçme ka vendosur vijimin e masës arrest në shtëpi për ish-gjyqtaren e Elbasanit Pajtime Fetahu, e akuzuar për korrupsion pas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme për një nga grupet kriminale në qytetin e Elbasanit.
Seanca për ish-gjyqtaren u zhvillua e veçuar nga 11 personat e tjerë, për të cilët është ekzekutuar masa e sigurisë në kuadër të vijimit te operacionit plumbi i artë.
Ish gjyqtarja ka mohuar akuzat por në listën e personave të lëshuar urdhër arresti është dhe ish sekretarja e saj, Denada Toda alias Runaj.
Ajo është motra e të ndjerit Regis Runaj, i cili është ekzekutuar më 29 korrik 2020.
Sipas SPAK, Denada Toda gjatë periudhës Shtator-Tetor 2020 kur shërbente si sekretare në gjykatën e Elbasanit, ka dërguar dokumente sekrete në drejtim të personave të ndryshëm dhe për këtë shkak është vendosur masa e sigurisë për akuzën e “Zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete”.
Aktualisht për vrasjen e Regis Runaj është dënuar me 17 vite burgim Euglen Halili, ndërsa Xhuliano Hoxha u dënua me burgim të përjetshëm, për vrasjen e Regisit dhe Emiljano Ramazanit. Ndërkohë i pandehur është marë Erjon Alibej, i cili tashmë është në pritje të gjikimit me persona të tjerë edhe për vrasje të tjera.
Më 29 korrik 2024 GJKKO firmosi 33 masa sigurie, nga të cilat 13 janë ekzekutuar ndërsa, 2 rezultojnë të arrestuar më parë jashtë Shqipërisë.
Në njoftimin e bërë publik dje SPAK bënte me dije se vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, me kalimin e viteve kishin arritur të fuqizoheshin ekonomikisht dhe si rrjedhojë dhe pozitat e tyre në raport me grupet e tjera në trafikun e drogës në Europë e jo vetëm.
Organizata, thotë SPAK kishte arritur të rekrutonte edhe dy punonjës të policisë së shtetit dhe një punonjëse në gjykatën e Elbasanit që u jepte informacione sekrete.
Të paktën 4 atentate me 6 të vrarë, 3 vrasje të mbetura në tentativë, 14 të porositura, dhe grabitja e 4.6 milionë eurove në Rinas në prillin e vitit 2019 janë vetëm disa prej krimeve më të rënda të cilat SPAK ka zbardhur dhe thotë se kanë për autorë organizatën kriminale të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja Elbasani.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme u çuan përpara falë bashkëpunimit me Eurojust, Europol dhe autoritetet holandeze, belge dhe franceze.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.