Gjykata lehtëson masat për kryebashkiakun e Tropojës dhe zëvendësin e tij

Të akuzuar për shpërdorim detyre dhe prerje të paligjshme pyjesh gjatë ndërtimit të një rruge pa leje në zonë të mbrojtur. Gjykata e Posaçme ka liruar nga burgu kryetarin e Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberin, si dhe nënkryetarin Abedin Kerrnaja.

35
Kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberi
Credits: shteg.org - Kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberi

Gjykata e Posaçme ka pranuar sot më 1 gusht 2025, kërkesat e paraqitura nga kryetari i Bashkisë Tropojë Abedin Kerrnaja dhe zëvendësi i tij Rexhë Byberi për shuarjen e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” duke e zëvendësuar atë me një masë më të butë sigurie “detyrim për t’u paraqitur”.

Kërkesat u depozituan më 31 korrik nga vetë të pandehurit dhe u bashkuan në një çështje të vetme gjatë seancës gjyqësore të mbajtur më 1 gusht. Vendimi përfundimtar u dha nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Irena Gjoka.

Abedin Kerrnaja, i cili ndodhej në arrest shtëpie që prej 6 shtatorit 2024, akuzohet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, sipas neneve 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Gjykata urdhëroi lirimin nga masa e arrestit dhe caktoi detyrimin për t’u paraqitur çdo të hënë të parë të muajit pranë Prokurorisë së Posaçme.

Rexhë Byberi, po ashtu nën hetim për të njëjtën vepër penale, përfitoi të njëjtin vendim. Masa e arrestit në shtëpi ndaj tij u zëvendësua me detyrimin për paraqitje në organet e drejtësisë.

Rexhë Byberi dhe Abedin Kerrnaja, të cilët ishin në arrest shtëpie, akuzohen për “shpërdorim të detyrës” dhe “prerje të paligjshme të pyjeve”. Sipas SPAK, Byberi, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Tropojë, ka kryer veprime dhe mosveprime në mospërmbushje të rregullt të detyrës, gjatë procesit për hapjen e rrugëve, sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak.

Në një seancë më parë, gjykata i la detyrë prokurorit të pyesë ekspertët që kanë përcaktuar dëmin e shkaktuar nga hapja e një rruge nga Bashkia Tropojë. 

Sipas prokurorisë, rezulton se drejtuesi i Bashkisë, gjatë procesit për hapjen e rrugëve me një gjatësi 3.2 km e cila në pjesën dërrmuese kalon nëpër një rrugë këmbësore ekzistuese duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje, pranë Bashkisë Tropojë, si institucioni vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të kishte verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi, siç parashikohet në legjislacionin për këto lloj punimesh.

Sipas Prokurorisë Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës, si: Agjencia Kombëtare e Mjedisit për hartimin e Raportit të Vlerësimit për Ndikimin në Mjedis, si edhe me Ministrinë e linjës, për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit”.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.