Në Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), u zhvillua seanca paraprake gjyqësore ndaj të pandehurve Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi. Ish-kryeministri akuzohet nga SPAK për “korrupsion pasiv” dhe Jamarbër Malltezit për korrupsion aktiv dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, në lidhje me aferën e ish kompleksit Partizani.
Dy të pandehurit Berisha dhe Malltezi nuk ishin të pranishëm në gjykatë, duke u përfaqësuar nga avokatët mbrojtës. Ata kërkuan pushimin e çështjes si të pabazuar në prova. Gjithashtu pretenduan më shumë kohë që të njihen me aktet e dosjes mjaft voluminoze. Në kushte të tilla, gjykata vendosi të shtyjë për në datën 25 nëntor seancën e radhës në të cilën do të përcaktohet nëse çështja kalon për gjykim ose jo.
Po sot ish-kryeministri Sali Berisha në një tjetër betejë ligjore për çështjen e tij i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese përjashtimin e anëtarës Marsida Xhaferllari. Berisha argumenton se Xhaferllari, si avokate e qeverisë së tij, ka një konflikt interesi në vendimmarrjet që prekin PD-në. Kjo kërkesë është ngritur në kontekstin e shqyrtimit të ligjshmërisë së disa vendimeve të mëparshme, ku ajo ka qenë e angazhuar.
Për këtë kërkesë të ish-kryeministrit Gjykata Kushtetuese njoftoi se vendimi do të merret më datë 19 nëntor. Berisha kërkon të shpallë si antikushtetues vendimin e mëparshëm të SPAK i cili vendosi për të fillimisht masën “detyrim paraqitje” dhe “bllokim të pasaportës”. Në atë kohë Berisha gëzonte mandatin e deputetit dhe pretendoi se kërkesa e SPAK e miratuar edhe nga GJKKO binin në kundërshtim me kushtetutën e vendit.
Refuzimi i Berishës për të zbatuar masën “detyrim paraqitje” detyroi SPAK që të kërkonte një masë më të ashpër sigurie atë të “arrestit shtëpiak”, duke paraqitur në kuvend edhe kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit, masë që vijon ta vuajë aktualisht.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.