Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kaluar për gjykim dosjen e njohur si “Sterilizimi”, ku janë të akuzuar 9 persona, përfshirë ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Gjykata pranoi akuzat e ngritura nga Prokuroria për “grup të strukturuar kriminal” ndaj ish-ministrit të shëndetësisë Ilir Beqaj, zv.ministrit Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj në lidhje me kontratën e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, me vlerë thuajse 100 milion dollarë.
Të tre, Beqaj, Rrjepaj dhe Rrapaj do të përballen me akuzat për “grup të strukturuar kriminal” dhe “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” sipas vendimit të gjykatëses Flojera Davidhi.
Ish-ministri, Ilir Beqaj, gjatë seancës së sotme gjyqësore në GJKKO, ka kërkuar që të gjykohet me procedurë të zakonshme dhe jo gjykim të shkurtuar.
Ai është shprehur para togave të zeza se do të provojë pafajësinë e tij, ndërsa të pandehurit e tjerë i qëndrojnë gjykimit të shkurtuar.
“Më janë shkelur të drejtat”, ka deklaruar në GJKKO ish-ministri, duke iu drejtuar togave të zeza: “Akuzat e mia i ka bërë PD, ndikimi juaj është politik”.
Beqaj akuzohet për shpërdorim të detyrës dhe përfshirje në një skemë të dyshuar korrupsioni që ka sjellë dëm të konsiderueshëm financiar për shtetin.
Hetimet e SPAK sugjerojnë se Beqaj ka favorizuar biznesmenin Ilir Rrapaj, fitues i koncesionit, dhe ka shpërdorur pozitat e tij duke mos respektuar ligjin dhe procedurat e parashikuara.
Në një deklaratë të bërë të ditur nga SPAK, thuhet se procedurat e ndjekura për dhënien e koncesionit nuk kanë qenë të përshtatshme dhe pavarësisht se kishte informacione për një qendër sterilizimi që mund të operonte me kosto më të ulët, Beqaj nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të anuluar kontratën. Ky veprim ka sjellë rritje të kostove dhe ka krijuar dyshime për abuzime me fondet publike.
Nga ana tjetër, Beqaj ka mohuar akuzat dhe ka mbrojtur veprimet e tij përmes mediave sociale, duke argumentuar se koncesioni ishte i nevojshëm për modernizimin e shërbimeve shëndetësore dhe se ai ka vepruar në përputhje me ligjin.
Një nga pikëpyetjet kryesore në hetimet e SPAK ka të bëjë me lidhjet personale dhe profesionale të Beqajt me biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili ka fituar koncesionin. Akuzat sugjerojnë se marrëdhëniet e afërta midis të dyve mund të kenë ndikuar në procesin e dhënies së kontratës.
Të akuzuarit e tjerë përfshijnë Klodian Rjepaj, i cili dyshohet për shpërdorim të detyrës dhe falsifikim dokumentesh, duke luajtur një rol kyç në procedurat administrative të kontratës së sterilizimit. Ilir Rrapaj akuzohet për përfshirje aktive në procesin e keqmenaxhimit të fondeve dhe përfitimeve të paligjshme të lidhura me kontratën.
Marsela Serjani, Saimir Kadiu, Petref Mersini, Arben Gjata, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi (Abazi) akuzohen për falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim të detyrës, pasi kanë ndihmuar në krijimin e një skeme që justifikonte shpenzimet e pajustifikueshme për procedurat e sterilizimit në institucionet shëndetësore.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, këta individë kanë bashkëpunuar për të përfituar në mënyrë të paligjshme fonde publike përmes kontratave të manipuluara, duke përdorur dokumente të falsifikuara dhe duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare.
Në maj të 2024, Ilir Beqaj u njoftua zyrtarisht se akuzohej nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit” dhe “Shkeljes së barazisë në pjesëmarrësve në tendera”. Prokuroria e akuzon ish-Ministrin e Shëndetësisë për “shpërdorim detyre” në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes koncesionare më të kushtueshme në sektorin shëndetësor në Shqipëri, atë të sterilizimit të pajisjeve mjekësore.
Në kohën që Ilir Beqaj ushtronte detyrën e ministrit, në dhjetor të 2015-s nënshkroi kontratën koncesionare, që vetëm në dy vitet e para të operimit kapi vlerën e 134 milionë eurove.
Por Beqaj u arrestua të enjten e 2 korrikut 2024 pas akuzave që u ngritën ndaj tij për abuzimet me fondet e Bashkimi Evropian.
Prokuroria e Posaçme ngriti akuza ndaj Beqajt për vepra penale këto për të cilat, nëse gjendet fajtor, rrezikon 26 vjet heqje lirie.
Beqaj dyshohet se përgjatë viteve 2022-2023 ka kryer procedura prokurimi fiktive në të paktën 8 procedura tenderimi për projektet që financohen nga Bashkimi Evropian për Shqipërinë në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPA II)”.
Hetimet tregojnë se në kohën që kjo agjenci është drejtuar nga Beqaj, janë krijuar skema mashtruese përmes së cilës lëshoheshin fatura fiktive për shërbime të pakryera, të cilat më pas i ngarkoheshin SASPAC-it si shpenzime.
Këto fatura rezulton se plotësoheshin nga një rreth miqsh të lidhur ngushtësisht me ish-ministrin Beqaj, por edhe me zyrtarët e tjerë në SASPAC, njerëz të lidhur me biznesin apo që kishin krijuar organizata jofitimprurëse.
Ilir Beqaj ka qenë deputet i Partisë Socialiste për disa legjislatura dhe ai u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit Edi Rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017 u firmosën tre kontrata koncesionare prej dhjetëra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.