Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas gjashtë orësh seancë, vendosi të lërë në fuqi masën e arrestit me burg ndaj ish-Presidentit të Republikës Ilir Meta. Po ashtu masat “detyrim paraqitje” u la edhe për ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi dhe shtetasen Ema Çoku. Ndërsa në lidhje me ish-kreun e AKEP, Pirro Xhixha, gjykata vendosi ndryshimin e masës së sigurisë, nga “arrest shtëpie” në detyrim paraqitje.
Ish-çifti Meta-Kryemadhi, akuzohen për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë publik, mosdeklarim ose fshehje të pasurisë, si dhe pastrim parash. Ish kreu i AKEP, Pirro Xhixha zyrtar i lartë shtetëror 2009-2017, përfaqësues i LSI-së, akuzohet për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë publik”. Ndërsa shtetasja Ema çoku, akuzohet nga Prokuroria Speciale për “pastrim parash” e kryer në bashkëpunim.
Sipas SPAK, është provuar se gjatë kohës kur Meta mbante postin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës (shtator 2010-janar 2011) ka përdorur influencën dhe autoritetin për të ndërhyrë në nënshkrimin e kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje, e cila kishte si objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura.
Si rrjedhojë e ndikimit të Metës në këtë proces, shoqëria “Debt International Advisory” ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 649,803,520 lekësh.
Gjithashtu, në vitin 2014 Meta, me autoritetin e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, dhe ish-bashkëshortja, Monika Kryemadhi, me autoritetin e deputetes, kanë përdorur influencën e tyre tek drejtues të institucioneve të ndryshme shtetërore dhe te kompanitë telefonike celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike dhe lidhjen e marrëveshjes midis dy kompanive të ndryshme.
“Subjektet në hetim I.M dhe M.K. kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit”, – ka sqaruar Struktura e Posaçme.
Kontratat e lobimit janë një tjetër pikë ku ndalen hetimet e prokurorisë. Në rolin e Kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) Meta ka lidhur kontratë për shërbim konsulence dhe lobimi me kompanitë Global Security and Inovative Solution LLC dhe Grupi McKeon Inc në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga Hetimi i bërë nga SPAK rezulton se pagesa e kryer për këtë shërbim (463.546,26 dollarë) nuk është kryer nga llogaria bankare e LSI-së.
Gjatë periudhës 2009-2010, Meta dhe Kryemadhi kanë blerë një apartament të llojit dublex në zonën e ish-bllokut, të deklaruar si të blerë me anë të një kredie bankare. Huaja e kredisë është paguar në cash dhe dyshohen se janë gjeneruar nga veprimtari të paligjshme.
Pas përfundimit të seancës së GJKKO për masat ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, kjo e fundit i konsideroi akuzat qesharake.
“Qëndrimi im dhe argumenti im, ishte që për çdo gjë që akuzohet, Ilir Meta nuk ka asnjë lloj lidhje. Duket që s’kanë pasur asnjë gjë për CEZ-DIA dhe e kanë bashkuar me akuzat e mia. Ishte qesharake, kur prokurori tha se Monika Kryemadhi ka hequr mitrën në bashkëpunim me Ilir Metën. Ç’lidhje ka Ilir Meta” – tha Kryemadhi ndërsa avokatët e saj paralajmëruan apelimin e vendimit.
Ilir Meta u arrestua më 20 Tetor me urdhër të SPAK ndërsa Gjykata vendosi mërkurën masën e arrestit me burg duke e kthyer atë në të parin ish-Kryetar të shtetit që përballet me këtë vendim të drejtësisë.
Për arrestimin e Metës ka reaguar dhe Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), duke deklaruar për Zërin e Amerikës se SHBA mbështet Shqipërinë në përparimin e zbatimit të ligjit.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin përparimin e Shqipërisë drejt sundimit të ligjit, përfshirë përpjekjet e SPAK-ut për të ndjekur penalisht korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, në përputhje me ligjin”, – ka deklaruar DASH për Zërin e Amerikës.