Gjykata refuzon ndarjen e çështjes “5D”, shtyhet procesi për tre të pandehurit kryesorë

Në seancën e sotme, GJKKO rrëzoi kërkesat për gjykim të veçuar dhe për gjykim të shkurtuar nga mbrojtja, ndërsa shtyu seancën për më 5 qershor, duke pezulluar edhe afatet e paraburgimit për Redian Mollën, Mariglen Qaton dhe Taulant Tushën.

315
5D - Konstruksion
Credit: shteg.org - 5D - Konstruksion

Në sallën e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), avokatët e të pandehurve u përpoqën sërish të ngadalësonin rrjedhën e një prej çështjeve më të ndjeshme të korrupsionit publik të viteve të fundit, dosjen “5D”.

Me argumentin se kanë paqartësitë për përjashtimin e dy gjyqtareve të çështjes, bënë kërkesa për ndarjen e procesit për disa nga klientët e tyre.

Kërkesa e avokatëve u rrëzua nga trupa gjykuese duke shënuar një tjetër përballje të tensionuar mes mbrojtjes dhe prokurorisë në një proces që ka prodhuar më shumë zhurmë jashtë sesa brenda sallës së gjyqit.

Refuzime zinxhir

Seanca nisi me kërkesën e avokatëve për shtyrje për shkak të paqartësive në përjashtimin e gjyqtareve Fjorela Davidhi dhe Flora Hajradinaj. Kjo kërkesë u rrëzua nga togat e zeza.

“Gjykata e ka shteruar këtë çështje dhe se procesi duhet të vijojë,” deklaroi kryesuesi i trupit gjykues.

Pas kësaj, mbrojtësit ligjorë të të pandehurve Taulant Tusha, Elton Punavija, Julian Zanaj dhe Albano Jako kërkuan ndarjen e çështjes, me pretendimin se klientët e tyre nuk kanë lidhje me akuzat kryesore që rëndojnë mbi të pandehurit e tjerë dhe se mund të ndiqnin procedurën e gjykimit të shkurtuar.

Por prokurori Klodian Braho kundërshtoi kërkesat me pretendimin se ndarja e procesit do të dëmtonte hetimin gjyqësor.

“Kërkesa është jashtë afateve procedurale. Ndarja do të dëmtonte integritetin e provave dhe koherencën e procesit.” – deklaroi prokuroria, argumentet e të cilët u pranuan nga togat e zeza që vendosi që gjykimi të vijojë në mënyrë të unifikuar për të gjithë të pandehurit.

Një tjetër përpjekje për të vonuar procesin u bë nga avokati i Redi Mollës, i cili kërkoi revokimin e vendimit të mëparshëm që nuk i lejoi gjykimin e shkurtuar. Por edhe kjo kërkesë u hodh poshtë.

Në fund të seancës, prokurori Braho deklaroi se i qëndron kërkesës për administrimin e provave, duke paralajmëruar një proces të gjatë dhe të detajuar, me dëshmi nga dhjetëra persona.

“Avokatët kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur. Kërkojmë që të pezullohen afatet e paraburgimit për tre të pandehurit kryesorë,” tha ai.

Në mungesë të Redian Mollës, Mariglen Qatos dhe Taulant Tushës, të tre në arrest me burg që prej marsit 2023, gjykata vendosi të shtyjë procesin për më 5 qershor, ora 10:00. Seancat do të vijojnë çdo të enjte në të njëjtën orë.

Çështja “5D” ka ekspozuar një rrjet të përbërë nga ish-drejtorë të institucioneve publike, pjesëtarë të komisioneve të tenderëve dhe përfitues të dyshimtë kontratash shtetërore.

Redian Molla dhe Mariglen Qato, dyshohet se janë pronarë “de facto” të kompanisë “5D”, e cila ka përfituar 11 tenderë publikë me vlerë të konsiderueshme, përmes emrave fiktivë si “Igor Electric” dhe “Vas Construction”, gjatë viteve 2016–2022.

Për ta, SPAK ka ngritur akuza për “korrupsion pasiv”, “fshehje pasurie” dhe “pastrim parash”, ndërsa për Taulant Tushën ish-drejtor tjetër publik, akuza është për “shkelje të barazisë në tendera”.

Në dosje përfshihen edhe pesë persona të tjerë nën masën “detyrim paraqitje”, mes tyre Elton Punavija, Julian Zanaj dhe Albano Jako, të cilët kanë shërbyer si anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, si dhe Nestor Muhametllari, Englatina Zera dhe Deborah Keçi.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.