Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur të martën, 10 shtator, rrëzimin e padisë për shpifje të ish-kryetarit të Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshit, në adresë të përfaqësuesve të Partisë Demokratike, Ervin Salianji dhe Myslym Murrizi.
Këta të fundit, së bashku me një grusht mbështetësish, organizuan në 2016 një protestë kundër Kokoneshit në Divjakë, ku e akuzuan se ishte i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike, vite më parë, në Itali fakt të ciin sipas tyre nuk e kishte deklaruar në Formularin e Dekriminalizimit.
Akuzat e artikuluara nga Murizi dhe Salianji, ish-kryetari i Bashkisë së Divjakës i konsideroi shifje, ndaj ngriti padi kundër tyre më 4 prill 2024 pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Në njoftimin e saj, gjykata ka argumentuar se pushimi i çështjes ka ardhur pasi ndjekja penale është ushtruar në tejkalim të afatit të parashkrimit.
Shpifja konsiderohet si kundravajtje penale që dënohet me gjobë në vendin tonë dhe Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë parashikon që nuk mund të ketë ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në ngritjen e akuzës kanë kaluar dy vjet.
Ndërkohë, Murrizi dhe Salianji nuk janë të vetmit pjestarë të opozitës që kanë ngritur këto akuza kundër ish-kryebashkiakut të Diviakës, pasi në korrik të 2022 një grup prej 15 deputetësh të PD-së i kërkuan Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e figurës së Fredi Kokoneshit, si i dënuar për trafik të qënieve njerëzore në Itali. Sipas opozitës Kokoneshit duhet t’i ndalohej zgjedhja në funksione publik, për shkak të shkeljes së ligjit të dekriminalizimit.
Megjithatë, një hetim i tillë ishte kërkuar nga KQZ-ja edhe në 2018, me kërkesë të një grupi deputetësh. Hetimi u mbyll në maj të 2019 nga ish-kreu i SPAK, Arben Kraja, i cili hodhi poshtë akuzat se Kokoneshi ishte dënuar me vendim të formës së prerë nga një gjykatë e një vendi të huaj.
Kokoneshi u zgjodh për herë të parë kryetar i bashkisë Divjakë, nën siglën e Partisë Socialiste, në 2011 dhe më pas, u rikonfimua në atë pozicion në zgjedhjet vendore të 2015 dhe zgjedhjet e ashtuquajtura “pa garë” të 2019. Mandati i tretë ngeli në mes me ripërsëritjen e zgjedhjeve të parakohëshme vendore në 2021, pasi PS-ja komadoi në atë pozicion Josif Gorrean.
Rezarta Caushaj është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri". Ajo ka përfunduar studimet për Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës. Caushaj është angazhuar me shkrime në mediat online dhe si gazetare e lirë prej vitit 2018, me fokus politikat publike, aktualitetin dhe korrupsionin. Ajo angazhohet herë pas here në publik si analiste politikash dhe ka punuar në të shkuarën si hulumtuese e si koordinatore projektesh në disa organizata të shoqërisë civile.