Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur nën arrest shtëpie Kryetarin e Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberin dhe zëvendës kryetarin, Abedin Kërrnaja.
Byberi dhe Kërrnaja akuzohen nga Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK) se kanë bashkëpunuar me njeri-tjetrin, duke bërë të mundur hapjen e rrugëve të reja në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Ndaj tyre janë ngritur akuzat për shpërdorim detyre, prerje të paligjshme të pyjeve dhe shkatërrim prone.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, subjekti i interesuar për hapjen e një rrugë të re duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje, pranë Bashkisë Tropojë, e cila më pas do të shqyrtonte e miratonte lejen, në bazë të verifikimeve të dokumentacionit tekniko-ligjor, që parashikon VKM nr. 408 datë 13.05.2015 (e ndryshuar), duke lënë të kuptohet së një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Po njësoj, titullarët e Bashkisë Tropojë akuzohen se kanë shkelur ligjin duke mos bashkëvepruar për projektet me institucionet e tjera kompetente si: Agjencia Kombëtare e Mjedisit për raportin e Vlerësimit të ndikimit në Mjedis apo Ministrinë e Linjës për impaktin dhe pasojat e mundshme të ndërtimit të rrugëve të reja.
Pra, të pandehurit kanë autorizuar fillimin e punimeve për hapjen e rrugëve të reja, bazuar në një projekt-ide, pa kryer procedurat konkurruese të tenderimit, pa një plan teknik dhe pa identifikuar pronarë të mundshëm të tokave, ku do të kalonin gjurmët e rrugëve.
Dhe jo rastësisht, në korrik të 2021, Ded Gjoli, banor i fshatit Palç pretendoi se është pronari i tokës përgjatë segmentit Qafa e Murrizit – Qafa e Agrit. Ai kallëzoi kryetarin e bashkisë për dëmtim prone në Prokurorinë e Rrethit Tropojë, pretendim që u konfirmua nga akti i eksperimentimit.
Një tjetër kallëzim u regjistrua atë vit nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Kukës, e cila më pas ka shpallur mos kompetencën dhe ia kaloi çështjen Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kjo e fundit, e ngarkuar për hetimin e zyrtarëve të lartë, mori përsipër e bashkoi të dyja procedimet, duke kryer një tjetër akt eksperimentimi.
“Nga kryerja e aktit të ekspertimit ka rezultuar se hapja e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak është bërë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi duke sjellë një dëm prej 277. 611.520 (dyqind e shtatëdhjetë e shtatë milion e gjashtëqind e njëmbëdhjetë mijë e pesëqind e njëzet) Lekë,” shkruhet në njoftimin e SPAK.
Rexhë Byberi u zgjodh si kryetar i bashkisë Tropojë nën siglën e Partisë Socialiste në zgjedhjet e konsideruara “pa garë” të viti 2019, pasi kishte drejtuar për llogari të Partisë Demokratike komunën Margegaj për 15 vjet. Ai u rikonfirmua në krye të bashkisë në zgjedhjet vendore të 2021.
Nën dyshimet për korrupsion, Prokuroria e Posaçme do ti shtrijë hetimet mbi të gjitha investimet infrastrukturore që janë kryer gjatë mandatit të tij si kryetar bashkie, të cilat kapin një vlerë prej 733,164,105 lekësh, referuar të dhënave të Open Data Albania mbi prokurimet publike të njësisë vendore Tropojë.
Shteg kërkoi një koment mbi akuzat e ngritura nga prokuroria, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nga z. Byberi nuk ka pasur përgjigje.
Rezarta Caushaj është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri". Ajo ka përfunduar studimet për Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës. Caushaj është angazhuar me shkrime në mediat online dhe si gazetare e lirë prej vitit 2018, me fokus politikat publike, aktualitetin dhe korrupsionin. Ajo angazhohet herë pas here në publik si analiste politikash dhe ka punuar në të shkuarën si hulumtuese e si koordinatore projektesh në disa organizata të shoqërisë civile.