Gjykimi për vrasjen e ish-policit dhe konflikti Martinaj-Duka

Leonard Duka dhe bashkëpunëtorët përballen me akuza për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, ndërsa në seancat gjyqësore mohojnë konfliktet familjare dhe pranojnë vetëm takimet me Ervis Martinajn, i cili vijon të jetë i zhdukur që prej 2022.

302
Leonard Duka dhe Santiago Malko
Credits: shteg.org - Leonard Duka dhe Santiago Malko

Në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj Leonard Dukës dhe katër të pandehurve të tjerë, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e ish-policit Santiago Malko më 27 gusht 2019 në Tiranë.

Në seancën e fundit, Leonard Duka, i njohur si rivali kryesor i bosit të lojërave të fatit Ervis Martinaj, pranoi se kishte pasur takime me Martinajn, por mohoi komunikime të vazhdueshme dhe përdorimin e aplikacionit të koduar SKY ECC, ndonëse prokuroria solli prova që sugjerojnë të kundërtën.

Sipas SPAK, prishja e marrëdhënieve mes Dukës dhe Martinajt, pas rrëmbimit dhe dhunimit të babait të Dukës, shënoi pikën e kthesës që çoi në hakmarrjen ndaj Malkos, të cilin e konsideronin si “krahu i djathtë” i Martinajt.

Duka u pyet nga Prokuroria për konfliktin e dyshuar mes babait të tij, Muhamet Duka, dhe Ervis Martinajt, që dyshohet se çoi në hakmarrje. 

Ai e mohoi këtë fakt, duke thënë shkurt: “Jo, babai im nuk ka pasur asnjë problem”.

Santiago Malko, mik i afërt i Martinajt, u ekzekutua me 10 plumba në zonën e Xhamllikut, teksa udhëtonte me një BMW X5. Autorët e pritën me një furgon të bardhë dhe qëlluan me breshëri kallashnikovi nga një “Mercedes Benz”. Pas përplasjes së makinës së Malkos me një mur lavazhi, atentatorët iu afruan dhe e qëlluan në kokë për ta siguruar vdekjen e tij. Pak orë më pas, në një makinë të djegur në Ferraj, u gjet një armë kallashnikov që dyshohet se u përket autorëve.

Sipas dosjes hetimore, ekzekutor dyshohet të jetë Fatmir Hyseni nga Vlora, i shpallur në kërkim. Ndërkohë që akuzohen si organizatorë vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka.

Malko, ish-efektiv policie për vetëm 3 muaj në strukturën e Patrullës së Përgjithshme në Tiranë, kishte një të kaluar të lidhur me botën e krimit. Ai ishte i përfshirë në ngjarjen e 4 tetorit 2018 në ish-Bllok, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha pas një përplasjeje të armatosur ku u përfshinë edhe figura të njohura të botës së krimit.

Leonard Duka u arrestua më 14 shkurt 2023 në Bruksel, nga autoritetet belge, pasi në banesën e tij u gjetën armë zjarri dhe një sasi e konsiderueshme parash. Ai u ekstradua në Shqipëri në gusht 2024 dhe akuzohet për “vrasje me paramendim”, “grup i strukturuar kriminal”, si dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”. Së bashku me të janë në gjykim edhe bashkëpunëtorët: Erlis Duka, Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku dhe të tjerë.

Nga ana tjetër, Ervis Martinaj vijon të jetë i zhdukur prej gushtit 2022, dhe pavarësisht hetimeve, autoritetet shqiptare ende nuk kanë dhënë një përgjigje zyrtare për fatin e tij.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.