Gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka ka dhënë dorëheqjen nga dosja e “Toyota Auris”

Sipas SPAK, është provuar se të pandehurit Astrit Vladi, Radovan Çela, Eriona Daupaj dhe Aurel Zarka në bashkëpunim me njëri tjetrin, në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë.

641
Gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka
Credits: shteg.org

Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka bërë të ditur se magjistratja Irena Gjoka ka paraqitur kërkesën për dorëheqje nga dosja penale që përfshin ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, dhe tre të pandehurit e tjerë të përfshirë në çështjen penale.

Kërkesa e dorëheqjes nga ana e gjyqtares Irena Gjoka është miratuar nga Zv. Kryetari i Gjykatës, dhe pas një shorti elektronik të realizuar, çështja është kaluar në duar të një gjyqtari të ri, Erjon Çela.

Ky ndryshim ka ndodhur për shkak të shqetësimeve të ngritura nga vetë gjyqtarja, e cila ka shprehur dyshime për mundësinë e një konflikti interesi lidhur me çështjen, duke qenë se ishte e përfshirë në disa procese që lidhen me pasuritë e Suel Çelës, një nga individët që ndodhet në kërkim dhe akuzohet për krime të rënda, përfshirë trafikun e narkotikëve dhe pastrimin e parave.

Në përfundim të hetimeve, SPAK ka dërguar për gjykim çështjen e katër të pandehurve për veprat penale të korrupsionit, përfshirë “Korrupsionin aktiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve,” si dhe “Korrupsionin pasiv”.

Hetimet kanë treguar se të akuzuarit kanë vepruar në mënyrë të organizuar për të ushtruar ndikim në çështje të ndryshme gjyqësore dhe hetimore.

Çështja përfshin edhe implikimin e disa personave të tjerë që mund të kenë kërkuar dhe pranuar përfitime të paligjshme, dhe hetimet janë ende në vazhdimësi për të zbuluar më shumë detaje rreth lidhjeve të mundshme të tjera mes të akuzuarve dhe personave të tjerë.

Të pandehurit që janë pjesë e këtij hetimi janë Aurel Zarka, ish-kryeprokurori i Vlorës, Erjona Dautaj, Radovan Çela dhe Astrit Vladi. Ata akuzohen se kanë bashkëpunuar mes tyre për të ofruar dhe marrë përfitime të paligjshme, duke ushtruar ndikim te funksionarët e drejtësisë.

“Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë procedim penal si edhe nga burimet e provave të mbledhura dhe të administruara gjatë hetimeve paraprake është provuar fakti se të pandehurit në bashkëpunim me njëri tjetrin, në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë, kanë pranuar premtime dhe përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim të paligjshëm te funksionarë të drejtësisë, kanë ofruar përfitime të parregullta për funksionarë të drejtësisë, si dhe kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive, për secilin prej tyre” – thuhet në njoftimin e SPAK.

Gjatë hetimeve, SPAK ka zbuluar se ata kanë ndërhyrë në procese gjyqësore të ndryshme, duke përfshirë çështje të lidhura me pasuritë e Suel Çelës. Ky person, i cili është i njohur për lidhjet e tij me krimin e organizuar, është një nga individët që dyshohet se ka pastruar paratë e fituara nga aktivitetet e jashtëligjshme dhe ka përfituar nga ndikimi i njerëzve të lidhur me sistemin e drejtësisë.

Në hetime është zbuluar se të akuzuarit, duke përdorur aplikacionin e njohur Sky Ecc, kanë diskutuar mbi mundësinë e heqjes së sekuestrimit të pasurive të lidhura me Çelën dhe se si mund të ndikojnë te gjyqtarët për të marrë vendime që favorizojnë ata.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e hetimeve ka përfshirë komunikimet mes të akuzuarve dhe disa individëve të tjerë që përmenden në mesazhe, duke përfshirë emra të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët janë të dyshuar për kërkesa ose marrje të përfitimeve të paligjshme. Ky informacion ka shtuar më tej dyshimet për ndikimin që individë të caktuar kanë pasur në procese gjyqësore, duke vepruar për të ndihmuar njerëzit që ndodhen nën hetim, ose që janë të lidhur me krime të rënda, siç janë trafiqet e drogës dhe pastrimi i parave.

Në vijim, procesi gjyqësor do të përballë të pandehurit me akuza të rënda dhe do të hedhë dritë mbi përpjekjet e organizatave kriminale për të manipuluar drejtësinë.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.