Goditet rrjeti ndërkombëtar i trafikut të drogës mes Shqipërisë dhe Italisë

Hetimet e SPAK-ut dhe antimafias italiane zbulojnë rrjetin kriminal me bazë në Durrës, i ndërtuar si një organizatë ushtarake me zinxhir komandimi, përfshirjen e zyrtarëve të lartë në polici, drejtësi dhe biznes, si dhe bashkëpunimin me grupe mafioze në Itali dhe kartelë të Amerikës Latine për trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e parave.

359
Rrjeti ndërkombëtar i trafikut të drogës
Credits: shteg.org - Rrjeti ndërkombëtar i trafikut të drogës

Në orët e para të mëngjesit të 20 Majit 2025, në një koordinim mes SPAK-ut dhe Antimafias italiane, nisi “Operacioni URA” – një megaaksion i koduar që shënjoi goditjen më të rëndësishme ndaj një prej organizatave kriminale. E bazuar në Durrës, por me degë në Itali, Gjermani dhe deri në Amerikën Latine, kjo organizatë kishte ndërtuar një rrjet të mirërregulluar që përfshinte trafik droge, pastrim parash, korrupsion në polici dhe drejtësi, e deri te vrasjet me pagesë.

SPAK dhe autoritetet italiane organizuan sot një konferencë për shtyp në Sallën e Mbledhjeve të Prokurorisë së Posaçme, ku u konfirmua bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve për këtë aksion të përbashkët.

Prokurori Vladimir Mara deklaroi se hetimet kanë dokumentuar 30 episode të trafikut të drogës në Itali dhe 10 raste të tjera në Shqipëri dhe vende të tjera evropiane.

Për zbardhjen e këtij rrjeti u përdorën edhe të dhënat nga aplikacioni i komunikimeve të koduara SKY ECC. Gjithashtu, u dokumentuan 30 transaksione parash me vlerë rreth 5 milionë euro, që transportoheshin nga Italia drejt Shqipërisë, duke përdorur shoferët e autobusëve të linjave ndërkombëtare.

Në Shqipëri, nga 52 masa sigurie “arrest me burg” të lëshuara nga Gjykata e Posaçme, janë ekzekutuar 40 masa sigurie, ndërsa 12 të tjerë janë në kërkim. Në Itali janë lëshuar 22 masa sigurie kundër anëtarëve të tjerë të grupit. Sipas prokurorëve, ky rrjet kishte qendër operacionale në Durrës dhe kishte shtrirje në Pulia, Gjermani, Holandë dhe vende të Amerikës së Jugut, prej nga sigurohej lënda narkotike, kryesisht kokaina.

Lidhje në polici, drejtësi dhe biznes

Konferenca për shtyp në Prokurorisë së Posaçme
Credits: shteg.org – Konferenca për shtyp në Prokurorinë së Posaçme

Sipas dosjes hetimore të SPAK-ut, “Grupi kriminal kishte ndërtuar një strukturë piramidale të ngjashme me një organizatë ushtarake, me ndarje rolish dhe zinxhir komandimi të qartë, duke përdorur dhunën si mjet për të siguruar territorin dhe heshtjen.”

Në majë të piramidës kriminale qëndronte Xhevdet Troplini. Në krah të tij, nipi, Elvis Doçi, “Visi i Pojës”, i konsideruar nga hetuesit si “koka financiare dhe logjistike e rrjetit”.

Hetimet e zgjatura mbi një vit u ushqyen nga zbërthimi i komunikimeve të koduara në aplikacionin “SkyECC” dhe nga rrëfimet tronditëse të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.

Sipas një përshkrimi në dosjen hetimore, “Grupi kriminal planifikonte dhe kryente ekzekutime me pagesë kundrejt vlerave që shkonin nga 30 mijë deri në 100 mijë euro. Kishte një listë individësh për t’u eliminuar, të kategorizuar si ‘kundërshtarë të interesave’.”

Dumani zbuloi gjithashtu se grupi i Troplinit paguante deri në 150 mijë euro në muaj për “sigurinë” e lagjeve ku operonin. Rrogat e personave që kujdeseshin për sigurinë e familjes dhe rrjetit varionin nga 500 në 1000 euro.

Sipas dëshmive të Dumanit, “Doçi kishte marrë përsipër pagesat për çdo pjesëtar të grupit, nga rojet, tek ekzekutorët, tek korrierët, duke ndërtuar një sistem besnikërie përmes parasë.”

Ky grup nuk ishte thjesht një rrjet rrugësh e shpërndarësish. Ai kishte depërtuar thellë në strukturat e shtetit.

GJKKO ka lëshuar 29 masa arrest me burg në Shqipëri, përfshirë emra të policisë, avokatëve, pronarëve të bizneseve dhe zyrtarëve të dyshuar për përfshirje në pastrim parash dhe shpërdorim detyre.

“Në këtë çështje kemi të bëjmë me një grup që ka përfituar nga bashkëpunimi me zyrtarë publikë. Një efektiv policie në Durrës ndihmonte në shmangien e kontrolleve, ndërsa një avokat ndërhynte në vendime gjyqësore kundrejt pagesave.” – deklaroi prokurori Vladimir Mara.

Në dosje thuhet se “Avokati Armand Tragaj ka ndërmjetësuar të paktën katër raste ndikimi të paligjshëm në proceset hetimore dhe gjyqësore, kundrejt përfitimeve monetare që varionin nga 5 deri në 20 mijë euro.”

Ndërkohë, sekuestrimet flasin vetë për përmasën e këtij rrjetit. 9 apartamente, 4 kompani, 7 llogari bankare dhe 3 automjete në Itali. Në Shqipëri, SPAK sekuestroi 3 restorante në Durrës, një rrjet televiziv në Vlorë, një bar-kafe, kompani ndërtimi dhe agjenci imobiliare. Gjithçka e ndërtuar mbi miliona euro të ardhura nga trafiku i drogës.

Rruga e kokainës nga Amerika Latine

Në dosjen e Prokurorisë Italiane, një tjetër emër del si drejtues i grupit, Adi Çoba, i njohur si “Bazholi” apo “Bisha”. Ai ishte përgjegjës për menaxhimin e trafikut të drogës drejt Italisë dhe ndërlidhjen me rrjetet italiane.

Sipas dokumenteve të siguruara nga antimafia italiane, “Çoba vepronte si ndërmjetës mes karteleve të Amerikës Latine dhe grupit në Shqipëri. Ai komunikonte me kontaktet në Kolumbi, duke parapaguar ngarkesat me shumën prej 400 deri në 500 mijë euro, të cilat futeshin në Itali përmes porteve të Ankonës dhe Barit.”

Hetimet, të zhvilluara nga shtatori 2021 deri në qershor 2022, zbuluan një lidhje të sofistikuar mes këtyre grupeve që përpunonin dhe shpërndanin sasi të mëdha droge.

Sipas komunikatës zyrtare, janë dokumentuar të paktën 255 kilogramë heroinë dhe kokainë e pastër, të trafikuara nga Shqipëria dhe Europa Veriore drejt Italisë që nga viti 2016.

Një fluks parash prej rreth 4.5 milionë eurosh transportohej në mënyrë sekrete nga Puglia drejt Shqipërisë, duke përdorur shoferë autobusësh si korrierë.

DIA (Drejtoria e Antimafias Italiane) thekson se grupi shqiptar dhe shoqatat kriminale të Barit kryenin operacione të ndërlikuara për “prerjen” dhe paketimin e drogës, duke furnizuar me heroinë dhe kokainë cilësore rrjetet kriminale në Barin, Brindisin dhe Leçen. Këto lëndë narkotike vinin kryesisht nga Turqia dhe Amerika Latine.

Hetimet përfshinë përgjime telefonike dhe ambientale, analizë të komunikimeve të koduara në platformën SkyECC, si dhe deklarata nga tre bashkëpunëtorë të drejtësisë, që konfirmuan operacionet e grupit. Në rrjetin kriminal u identifikuan edhe funksionarë shqiptarë, përfshirë një drejtues policie, një oficer, një avokat dhe gjashtë shoferë autobusësh.

Nga hetimet u zbuluan edhe raste të shpërdorimit të detyrës dhe transferimeve të mëdha parash jashtë vendit. Një rast i veçantë ishte dërgimi i mbi 500 mijë dollarëve në Guayaquil, Ekuador, si paradhënie për 500 kilogramë kokainë.

Në kuadër të operacionit “Ura”, autoritetet shqiptare dhe italiane kanë vendosur nën sekuestro kompani të ndryshme, mes tyre edhe shoqëritë “Marquez” e Ervin Zeqirit, “Felix Vinum” e Adi Çobës, “Majestic Konstruksion” e Juxhin Drazhit, “Portside” e Ervis Doçit (i njohur si “Visi i Pojës”), “Dubai Inn” dhe rrjeti televiziv “Vlora Cable”, të dyja në pronësi të Nexhmedin Danajt, si dhe një kompani tregtare për shitblerje makinash në pronësi të Olgert Shqevit.

Operacioni përfshin sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në Shqipëri dhe Itali, me vlerë disa milionë euro, si dhe lëshimin e urdhër-arresteve për 52 persona të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe shpërdorim detyre. Vendimet janë marrë nga gjyqtari hetues i Barit dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.