Goro, një tjetër rast abuzimi me pronat në jug të vendit

GJKKO kalon për gjykim dosjen e dytë për ish-kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro i akuzuar sërish për shpërdorim detyre.

391
Jorgo Goro ish-kryetari i Bashkisë Himarë
Credits: shteg.org

Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, do të përballet sërish me drejtësinë, pasi Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dorëzuar pranë Gjykatës së Posaçme kërkesën për dërgimin në gjyq të tij dhe dy ish-zyrtarëve vendorë, Vasillaq Strakosha dhe Jerasimo Bashi. Të tre akuzohen për shpërdorim të detyrës në bashkëpunim, vepër e parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.

GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK për kalimin në gjykim të çështjes si dhe kërkesën e mbrojtjes për zhvillimin e një gjykimi të shkurtuar. Seanca gjyqësore në themel është caktuar për datën 20 maj 2025.

Sipas SPAK, hetimet e procedimit penal nr.127 të vitit 2024, të bashkuar me dosjen nr.298 të vitit 2021, kanë zbuluar shkelje të rënda ligjore në trajtimin e kërkesave për kalimin e tokës bujqësore në pronësi. Goro dhe dy ish-drejtorët dyshohet se kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.171/2014, ligjin nr.9948/2008, si dhe me vendimet e Këshillit të Ministrave nr.253/2013 dhe nr.337/2015, duke dëmtuar interesat e disa qytetarëve rezidentë në Bashkinë e Himarës.

SPAK nënvizon se Goro, Strakosha dhe Bashi kanë kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me detyrimet ligjore, duke shkelur procedurat për kalimin e tokës së ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve. Sipas aktakuzës, këto veprime kanë ndodhur në mënyrë të përsëritur dhe në bashkëpunim, duke sjellë pasoja ligjore dhe sociale.

Sipas dokumentacionit të siguruar nga organet e drejtësisë, ish-kryebashkiaku Goro, në bashkëpunim me dy ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë Himarë – Vasillaq Strakosha dhe Jerasimo Bashi – akuzohet për përfshirje në një skemë të mirëorganizuar për tjetërsimin e tokave bujqësore publike në favor të individëve të caktuar. Përmes veprimeve dhe mosveprimeve që bien ndesh me ligjin, kjo treshe vendimmarrëse ka devijuar procedura ligjore që rregullojnë kalimin e tokave nga shteti te përfituesit e ligjshëm.

SPAK ka arritur të provojë se, nën drejtimin e Goro-s, një sërë kërkesash për pronësim të tokave janë trajtuar në kundërshtim me ligjet nr.9948/2008 dhe nr.171/2014, si dhe me aktet nënligjore përkatëse si VKM nr.253/2013 dhe VKM nr.337/2015. Në vend që t’u jepnin përparësi qytetarëve rezidentë dhe familjeve bujqësore që kishin të drejtë mbi këto toka, zyrtarët kanë deformuar procedurat ligjore në favor të individëve të lidhur me pushtetin apo me investitorë të mëdhenj.

Në thelb të skemës qëndron koncepti i mbivendosjes – ndryshimi i vendndodhjes së tokës së kërkuar, shpesh duke e mbivendosur mbi pasuri shtetërore të regjistruara. Më pas, kjo tokë u regjistrua si private, për t’u shitur në një fazë të dytë tek kompani të interesuara në zhvillime turistike.

Në një tjetër çështje penale, Goro është dënuar më herët nga GJKKO me 2 vite e 20 ditë burg për shpërdorim detyre. Hetimet e SPAK zbuluan se ai kishte lehtësuar tjetërsimin e një sipërfaqeje toke shtetërore prej 10,000 metrash katrorë në favor të Stavri Mëhillit, person në kërkim. Më pas, kjo tokë u shit te një shoqëri private, përfaqësuar nga ish-deputeti Artan Gaçi, bashkëshort i ministres Olta Xhaçka. Të dyja sipërfaqet janë aktualisht të sekuestruara me vendim gjykate.

Gjatë hetimeve, është dokumentuar se në një rast është regjistruar një pronë prej 5,500 metrash katrorë në mënyrë të parregullt në favor të një përfituesi, përmes dokumenteve të falsifikuara. Në një rast tjetër, është ndryshuar vendndodhja e një pasurie prej 5,000 metrash katrorë, duke u mbivendosur mbi një pronë shtetërore. Kjo pronë më pas u shit dhe për të u lëshua leje ndërtimi për një kompleks turistik.

Në përfundim të gjykimit për çështjen e mëparshme, GJKKO vendosi edhe konfiskimin e dy pronave në Dhërmi, në total 10,000 metra katrorë, në favor të shtetit.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.