Pemët në qendrën e Tiranës janë kryesisht të ulëta, disa të reja, ashtu si kantieret rreth Sheshit Skënderbej, ku po ngrihen qiejgërvishëset. Kulla e Sahatit, dikur ndërtesa më e lartë e qytetit, shikon nga zona pedonale me xhaminë e vjetër, mozaikun e Muzeut Kombëtar, por edhe kullën blu të një hoteli dhe, pranë saj, 85 metra të tjerë lartësi në ndërtim, është ndërtesa “Skanderbeg”, e projektuar nga studioja holandeze MVRDV. Është një pallat-skulpturë, ka formën e një koke. “Përfaqëson heroin kombëtar që i ka dhënë emrin sheshit, – shpjegon një guidë për një grup turistësh,- por ajo që shohim është fytyra e kryeministrit, Edi Rama.”
Zona e kantierit është e madhe. Mbi barriera janë vizatimet e Tiranës së së ardhmes që zhvillohet në mënyrë vertikale, siç është teorizuar nga arkitekti Stefano Boeri në planin rregullues “Tirana 2030”. Pak hapa më tej, një tjetër kantier: “Eves of Tirana”, 31 kate përgjatë 130 metrave, studio daneze. Kulla ngjitet pas godinës së Dhomës së Tregtisë.
Projekti parashikon hotel, pishinë, tarracë, dyqane dhe kazino. Ka pasur probleme me volumet e padeklaruara. Rama i ka shpronësuar, duke e rivendikuar atë si pjesë të rikthimit shtetëror të çdo metri katror abuziv. Duke nisur nga ata që janë mbi qendër.
“Deri në vitin 2018,- rrëfen Alba Kepi, korrespondente për mediat shqiptare,- sheshi qendror nuk mund të prekej për shkak të vlerës së tij historike. Më pas, hapësira e mbrojtur u ridizenjua nga Qeveria dhe u ngritën grataciela përreth.”
Sot, një metër katror i tyre mund të vlejë deri në 5 mijë euro, çmime të përballueshme vetëm për kompani ose hotele luksoze.
“Nuk njoh askënd që jeton aty, – thotë një tregtar nga qendra, – njerëzit e zakonshëm banojnë në pallatet e vjetra ose nga ana e lumit. Duken bosh.”
Ola Xama, gazetare ekonomike, vitin e kaluar tregoi se në vitin 2023, të paktën 51.129 nga 292 mijë banesa me kontratë për shërbimin kombëtar të energjisë nuk kishin konsumuar energji. Që nga viti 2018, apartamentet e pabanuara ishin trefishuar. Por Rama gjithmonë e ka konsideruar këtë të dhënë si të pavërtetë.
“Këto ndërtese të mëdha kanë pak të përbashkët me identitetin historik të qytetit, por edhe me pagën mesatare prej 600 eurosh të shqiptarëve”, thotë Kepi. Sektori i ndërtimit tërheq rritjen ekonomike të vendit, me mbi 3 miliardë investime në dy vitet e fundit.
“Vetëm në Tiranë, në 7 vitet e fundit, janë autorizuar rreth 12 milionë m² ndërtime, një pjesë e konsiderueshme në qendër”, shpjegon urbanisti Gentian Kaprata. Më shumë se 100 kantiere. Kryeministri është në krye të Këshillit Kombëtar të Territorit, përgjegjës për projektet strategjike dhe ndërtesat mbi 6 kate. Ai i vlerëson arkitektët, ndërtesat e reja janë të firmosura nga studio me famë botërore: italiane, holandeze, nga veriu i Evropës.
“Ndërtuesit, nga ana tjetër janë kryesisht shqiptarë”, – shpjegon Doriana Musaj nga Universiteti Polis. Hotelet përfitojnë lehtësira fiskale dhe arkitektët vendas punojnë në partneritet me ‘archistar’.” Por, gjithmonë e kudo, investimet e mëdha sjellin rreziqe të mëdha.
Në raportin e vitit 2022, Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave e përmend sektorin e pasurive të paluajtshme ndër mjetet kryesore. Ndërsa raporti i TAIF (2024) sjell si shembull përfshirjen e një zyrtari publik dhe një subjekti kriminal në blerjen e pasurive të paluajtshme.
Biznesi është në fakt tërheqës: “Ndërtimi dhe fuqia punëtore kushtojnë deri në 800 euro për m², ndërsa vlera e shitjes mund të katërfishohet për shkak të pozicionit të privilegjuar.” Dhe çfarë ndodh me vlerësimet që thonë se vetëm një e treta e kapitalit vjen nga sektori bankar?
“Agjencia Kundër Pastrimit të Parave në Shqipëri, – thotë Rama, – i njeh investitorët, bankat, markat ndërkombëtare të hoteleve dhe klientët: të gjithë në dritën e diellit si blerës të hapësirave.”
Për kryeministrin, në fakt, “ka klishe dhe akuza që prekin sferën penale (jo të bazuara në fakte), që rishfaqen sa herë flitet për ndryshimin historik të Tiranës apo të Shqipërisë”, dhe “kur rikthehet diskutimi për anëtarët e mëdhenj të ‘Albanian ArchArmy’.” As transformimi i Tiranës apo i Shqipërisë, thotë ai, “as arkitektët që kontribuojnë në të, nuk mund të trajtohen duke nisur nga formula të vagëta dhe pa prova.”
Informacionet nuk janë aq të drejtpërdrejta. “Ekziston, për shembull, fenomeni i shitjes me leasing, – shpjegon Kaprata. Një ndërtues paguan furnitorë dhe nënkontraktorë me sipërfaqe të ndërtuar në këmbim të punimeve. Në regjistrat qeveritarë ky stok konsiderohet i shitur, por në realitet nuk është.” “Një apartament është i banuar, ndërsa 19 të tjerët janë bosh”, shpjegon ai.
“Dhe është një model i keq Milano, – thotë Alba Kepi, e cila shton: “Nëse në Milano hapësira urbane pasqyron zemrën e saj ekonomike dhe financiare, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Tiranën, ku popullsia po pakësohet dhe varfërohet. As turizmi nuk mund ta justifikojë këtë flluskë rezidenciale dhe fshirjen e historisë sonë.”
Kush po fiton nga modeli Rama-Boeri

Urbanistika në Tiranë nuk ka të bëjë vetëm me estetikën dhe trashëgiminë kulturore të qytetit, por është më e thellë: ka të bëjë me atë që unë këtu e quaj një ‘regjim’ që mbahet ekonomikisht duke folur mbi industrinë e ndërtimit”.
Fatos Lubonja është një shkrimtar dhe intelektual shqiptar, i njohur për të kaluarën e tij si disident dhe për angazhimin e tij në denoncimin e abuzimeve me pushtetin. Ai ka kaluar 17 vite në burg nën regjimin e Enver Hoxhës, nga viti 1974 deri në vitin 1991, për opozitën e tij ndaj regjimit.
Fatos, a është ky një superpushtet i ri?
Jo, ka ekzistuar gjithmonë, por tani është bërë më i fortë. Mund të themi se fillimi i këtij sistemi ekonomik, politik dhe shoqëror, që nga viti 1997, ishte i tipit “berluskonian”: të pasurit e rinj shqiptarë, do të thoja oligarkë të pasuruar, investuan në ndërtim dhe në media me të cilat shantazhonin ose favorizonin politikanët për të marrë leje ndërtimi.
Burimet e tyre ekonomike në atë kohë vinin nga emigrantët që dëshironin të kishin një shtëpi në Tiranë. Interesi i tyre ishte të ndërtonin atje ku çmimet ishin më të larta. Ndërkohë, industria shqiptare zhdukej, por askush nuk e denonconte.
Pastaj çfarë ndodhi?
U rrit nevoja për banim, deri në kulmin e vitit 2005. Ajo u menaxhua gjithmonë me të njëjtat dinamika dhe, pasi ajo nevojë u shter, u përhapën lloje të tjera spekulimesh dhe klientelizmi, për shembull në fushën e hidrocentraleve. Pastaj ndodhi një përshpejtim dhe u rikthye ndërtimi. Megjithatë, në vitin 2015, kryetari i bashkisë Veliaj, në fushatën e tij elektorale, kishte premtuar ndalim total të ndërtimeve në Tiranë dhe që nuk do të prekej qendra.
Pse u tradhtua ky premtim?
Për disa arsye, sipas mendimit tim: vendi nuk kishte më burime ekonomike, Edi Rama, fillimisht kryetar bashkie, pastaj kryeministër, ishte ambicioz dhe e imagjinonte qytetin si zgjatje të vetes, dhe së fundi ishte mësuar me këtë lloj pushteti të betonit. Në vitin 2023, sipas disa ekonomistëve, pothuajse 90% e taksave të paguara në Bashkinë e Tiranës vinin nga sektori i ndërtimit, pasurive të paluajtshme dhe gjithë zinxhiri përkatës. Ishte një minierë ari, por ata oligarkë, edhe pse të pasuruar, nuk i kishin të gjitha ato para.
Dhe kush i kishte?
Mafia shqiptare, narkotrafiku, para të pista. Në disa përgjime të hetimeve të Gratterit, për shembull, ‘Ndrangheta flet për Shqipërinë si Kalabria e viteve ’60 për lehtësinë e ndërtimit. Kështu futesh në makinerinë e investimeve dhe bëhesh edhe ndërmjetës mes krimit dhe qeverisjes së territorit. Hotele me 10 kate që nuk arrinin të mbushnin dhomat, bëhen kulla me 40-50 kate. Pastrohen para, u jepet pak punë vendasve, politikanët marrin pjesën e tyre, administrata merr taksat dhe të gjithë janë të kënaqur. Në Doha thuhet se nafta merret nga toka dhe ngrihet në qiell, në grataciela. Por cila është nafta e Shqipërisë?
Pse atëherë mbështetemi te emrat e mëdhenj të arkitekturës?
Ka nevojë për një veshje të bukur për të mbuluar dhe treguar vrapin drejt ndërtimit, për një autoritet, më mirë nëse është perëndimor, që të justifikojë “lumin” e lejeve dhe investimeve. Në planin Tirana 2030, Boeri fut idenë e “zhvillimit vertikal”, të dendësisë dhe për të zhvilluar e ruajtur një “pyll orbital” me dy milionë pemë, ngrihen grataciela në qendër, duke shkatërruar pa hezitim trashëgiminë artistike e kulturore, por edhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
Shënim: Ky shkrim është publikuar në gazetën e njohur italiane “Il Fatto Quotidiano”