Në Policinë e Shtetit po ndodh një paradoks i rëndë, që rrallëherë është trajtuar me seriozitetin që meriton.
Ligji që rregullon gradat dhe ngritjen në detyrë shkel në mënyrë flagrante parimin e barazisë profesionale, meritokracisë dhe zhvillimit të karrierës në shërbimin publik. Konkretisht, për pozicionin e shefit të komisariatit, legjislacioni aktual lejon të konkurrojnë oficerë me grada të ndryshme nga nënkomisar deri te kryekomisar duke i vënë në garë njësoj, pavarësisht diferencave të qarta që këto grada përfaqësojnë në përvojë, aftësi dhe përgjegjësi. Me fjalë të tjera, grada, që në vetvete është tregues i përgatitjes dhe kontributit profesional, në këtë rast nuk ka më asnjë vlerë reale.
Krejt ndryshe ndodh për pozicionin e drejtorit vendor të policisë, ku ligji lejon të konkurrojnë vetëm oficerët që mbajnë gradën “drejtues” apo “drejtues i parë”, duke përjashtuar në mënyrë kategorike oficerët me gradën “kryekomisar”. Kjo gradë, e cila logjikisht duhet të ishte një nga pikat kyçe për avancim në drejtim, kthehet në një “fund rruge” ligjërisht të paracaktuar. Ky standard i dyfishtë nuk është një lapsus ligjor apo teknikalitet i pafajshëm është një produkt i qëllimshëm, i krijuar në zyrat e ish-ministrave të Brendshëm dhe ish-drejtorëve të përgjithshëm të Policisë, për të kontrolluar aksesin në pozita drejtuese dhe për të kufizuar avancimin e atyre që nuk bëjnë pjesë në rrethin e preferuar.
Pasojat e këtij diskriminimi të institucionalizuar janë të thella dhe dëmtojnë seriozisht funksionimin e Policisë së Shtetit. Para së gjithash, kemi të bëjmë me shembjen e meritokracisë dhe me bllokimin e karrierës për oficerët që kanë ndërtuar me vite përvojë dhe besueshmëri në strukturë. Oficerët që arrijnë gradën “kryekomisar”, shpesh pas një angazhimi shumëvjeçar në detyra komplekse dhe me përgjegjësi të lartë, e gjejnë veten të përjashtuar nga çdo mundësi reale për të avancuar më tej. Mesazhi që u dërgohet atyre dhe gjithë trupës policore është i qartë: puna nuk shpërblehet, dhe karriera nuk varet nga aftësia apo përkushtimi, por nga pozicionimi në rrjetet e pushtetit.
Kjo çon natyrshëm te pasojë e dytë: de-motivimi i thellë dhe braktisja progresive e sistemit nga oficerë me përvojë. Kur policët ndiejnë se rruga e tyre profesionale është e mbyllur, mungesa e motivimit dhe përkushtimit është e pashmangshme. Shumë largohen nga radhët e Policisë, ndërsa të tjerë mbeten pa angazhimin dhe ndjesinë e drejtësisë që kërkohet për të funksionuar me integritet. Ky realitet sjell si pasojë një dobësim të strukturës, ulje të standardeve të profesionalizmit dhe një kolaps të ngadaltë moral brenda institucionit.
Ndërkohë, pozicionet drejtuese mbushen me individë që nuk janë domosdoshmërish më të aftët, por që thjesht zotërojnë gradën e përcaktuar si kusht formal. Kjo situatë krijon vendimmarrje të dobët, autoritet të dobësuar dhe paaftësi në menaxhimin e rendit publik në nivele kritike. Kemi të bëjmë me një deformim të thellë të karrierës në polici, ku grada nuk është më simbol i përparimit profesional, por një mjet seleksionimi që i shërben interesave të një kaste të mbyllur.
Më tej, ky model i padrejtë ushqen idenë e një sistemi të privilegjuar që mbështetet jo mbi meritën, por mbi lidhjet, ndikimet dhe pazaret institucionale. Gradat bëhen çelësa të emërimeve politike dhe jo të avancimit të drejtë profesional. Kjo dëmton jo vetëm strukturën e brendshme të Policisë, por dëmton edhe autoritetin e saj përballë qytetarëve. Kur publiku percepton se policia nuk funksionon mbi bazën e drejtësisë dhe profesionalizmit, por mbi kritere klienteliste, atëherë bie besimi dhe përkrahja qytetare për rendin dhe ligjin.
Në fund të ditës, një polici që nuk është meritokratike nuk mund të jetë efektive. Ajo nuk mund të krijojë siguri, as të ruajë rendin, sepse e ka humbur legjitimitetin e saj themelor.
Prandaj, është e domosdoshme që kuadri ligjor dhe nënligjor që rregullon gradat dhe ngritjen në detyrë të rishikohet urgjentisht. Çdo përjashtim që bazohet vetëm në gradën formale, dhe jo në përvojë, kompetencë dhe performancë të vërtetuar, duhet të shfuqizohet. Policia ka nevojë për konkurencë të ndershme, vlerësim objektiv dhe barazi ligjore – në të kundërt, rrënimi do të thellohet.
Kjo nuk është një thirrje për hakmarrje apo për mbrojtje të interesave personale. Është një thirrje për drejtësi dhe për rikthimin e dinjitetit profesional në një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit. Sepse pa një polici të drejtë dhe të barabartë për të gjithë, nuk mund të ketë një shtet të drejtë për qytetarët.
Pedagog në Akademinë e Sigurisë, me mbi 20 vite përvojë në strukturat e Policisë së Shtetit. Gjatë karrierës së tij, ai ka mbajtur funksione drejtuese në disa prej drejtorive vendore të policisë në qytete të ndryshme të vendit, ku është dalluar për menaxhimin efektiv të rendit publik dhe forcimin e kapaciteteve operacionale të strukturave policore. Përkushtimi i tij ndaj profesionalizmit dhe etikës në shërbim e ka bërë një prej figurave më të respektuara në radhët e Policisë.
Në vazhdën e zhvillimit të tij profesional, Agim Basha ka ndjekur një sërë trajnimesh të specializuara brenda dhe jashtë vendit. Ai është trajnuar nga programe të mbështetura nga ICITAP (Programi Ndërkombëtar i Asistencës për Trajnimin në Hetimet Penale të Departamentit Amerikan të Drejtësisë), PAMECA (Asistenca e Bashkimit Evropian për Reformën në Sektorin e Sigurisë) dhe institucione të tjera ndërkombëtare të fushës së rendit dhe sigurisë. Aktualisht, në rolin e pedagogut, ai kontribuon në formimin profesional të brezave të rinj të oficerëve, duke sjellë në auditor përvojën e tij të gjatë dhe njohuritë e përfituara në nivel ndërkombëtar.