Hartuan fatura fiktive, të implikuar 19 punonjës policie

1191
Policia gjatë një kontrolli rutinë në pikat kufitare
Credit; Policia e Shtetit

Një hotel dykatësh buzë rrugës së fshatit Vrisera në Dropull dhe një stacion karburanti në Bilisht u kthyen në “fabrika” faturash fiktive për punonjësit e policisë kufitare të Kapshticës. Hetimet e nisura në vitin 2022 nga Prokuroria e Korçës zbuloi se punonjësit e policisë kufitare që komandoheshin të shoqëronin kolegët e “Frontex”-it në mbikëqyrjen e kufirit përfitonin në mënyrë të padrejtë djita për fjetje dhe ushqime. Vlera e përfitimit është përllogaritur në mbi 575,000 euro dhe përfitues janë 19 punonjës policie.

“Punonjësit janë rimbursuar padrejtësisht në shumën 574,320 euro,” deklaroi prokuroria në një njoftim zyrtar të enjten. Një pjesë e punonjësve gëzuan dieta pavarësisht se ishin banues në Devoll, jo shumë larg pikës kufitare të Kapshticës, ndërsa pjesa tjetër përfituan, edhe pse ishin të sistemuar në shtëpi me qira. Ata po hetohen për “shpërdorim detyre” nën dyshimin se, duke bashkëpunuar me sektorin e financës dhe dy sipërmarrës lokalë, përvetësuan para përmes faturave të falsifikuara. 

Nga lista e punonjësve të përfshirë, një oficer është caktuar nga Durrësi, një tjetër nga Elbasani dhe dy të tjerë nga pika kufitare e Qafë-Thanës. Të përfshirë në këtë skemë rezultojnë 19  policë të kufirit, ndaj të cilëve më 3 korrik 2024 Gjykata e Korçës vendosi pezullimin e tyre nga detyra deri në përfundimin e hetimeve. 

Për të njëjtat akuza të “shpërdorimit të detyrës”, gjykata pezulloi edhe shefin e Sektorit të Financës dhe një specialist të Shërbimeve Mbështetëse në Drejtorinë Vendore të Mbrojtjes së Kufirit dhe Migracionit Korçë.“Frontex” është agjenci evropiane e ruajtjes së kufijve të BE-së, e cila operon në Shqipëri prej vitit 2019. Qeveria shqiptare e ka ripërtërirë dy herë marrëveshjen e bashkëpunimit me të. Bashkëpunimi me Shqipërinë përbën rastin e parë ku forca të “Frontex”-it dislokohen në një shtet jo-anëtar të Bashkimit Evropian. Kjo erdhi si nevojë e BE-së për të shtuar sigurinë e kufijve përballë flukseve në rritje të migracionit të paligjshëm. Punonjësit e Frontex gëzojnë imunitet penal nga ligjet shqiptare, status i dhënë ky në rekomandim me udhëzimet e BE-së.

Erblin Vukaj
Gazetar |  + posts

Erblin Vukaj është gazetar i Rrjetit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri. Ai ka përfunduar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës. Vukaj ka punuar që nga viti 2012 në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion, ku ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ai ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.