Një ambient i ndodhur në qendër të Tiranës, në katin e 11-të të një kulle të quajtur “Sky Tower”, dyshohet se posedohet nga bashkëshortja e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Avokati i Xoxës deklaron se ambienti është marrë me qira dhe përdoret për evente dhe skenografi.
Ambienti nuk është deklaruar në asnjë prej deklaratave të pasurisë së çiftit, por një vendim të Gjykatës së Posaçme, i miratuar më 14 janar 2025 ngre dyshime mbi posedimin e kësaj prone nga zonja Xoxe.
Pikërisht ky ambient është bërë objekt kontrolli i agjentëve të Byrosë së Hetimit, të cilët mesditën e së martës, 14 Janar 2025, për disa orë kanë këqyrur dhe siguruar materiale për efekt të procedimit penal të nisur ndaj kryebashkiakut.
“Kontrolli bëhet me qëllim zbulimin administrimin dhe sekuestrimin e provave që kanë lidhje me veprën penale, duke përfshirë prova dokumenta, celularë, paisje kompjuterike laptop apo edhe kompjuter personal” – thuhet në vendimin e Gjykatës së Posaçme i cili rrodhi në media.
Referuar vendimit, duket se kemi të bëjmë me një ambient të ri i cili ndodhet një kat më sipër ku ndodhen zyrat e regjistruara të organizatës “Harabel“ që drejtohet nga bashkëshortja e kryebashkiakut Veliaj.
“Lejohet kontroll i ambientit nr.11/4, rruga “Ibrahim Rugova”, Sky-Tower” thuhet në vendim ndërsa sipas faqes zyrtare të organizatës “Harabel” ambientet e funksionimit të saj janë po në të njëjtën godinë, por në një kat më poshtë, 10/4.
Kontrollet e agjentëve të Byrosë së Hetimit u konfirmuan për “shteg.org” edhe nga avokati i Ajola Xoxës i cili ngriti shqetësimin e rrjedhjes së vendimin të Gjykatës së Posaçme në media.
Ermir Beta deklaroi për “shteg.org” se nuk mund të jepte detaje për kontrollin e ushtruar për shkak të sekretit hetimor por ai saktësoi se objekti i kontrollit ishte një pasuri e zotëruar nga kompania “Lani Shpk”, që është administruese e kullës “Sky Tower”. Sipas avokatit, vetëm një hapësirë e vogël e këtij ambienti përdoret nga Xoxe për evente dhe skenografi.
Zyrën 10/1 e ka me qira zyra ligjore “Partners Law shpk”. Zyrën 11/4 e ka në pronësi dhe e posedon “Lani Shpk”, që është kompania administruese e “Sky Tower”. Kjo pronë përdoret si hapësirë magazinuese e “Lani Shpk”. Brenda kësaj hapësirë, me disa dhoma, një hapësirë shumë e vogël (1 dhomë plus një pjesë e një dhome tjetër) përdoren si magazinë në kuadër të marrëveshjes së qirasë me Partners, ku ndodhen kryesisht objekte që përdoren për evente dhe skenografi.
Referuar “Qendrës Kombëtare të Biznesit” (QKB), kompania “LANI shpk” zotërohet nga Vladimir Kosta, ish deputet i PS-së, i cili zotëron 70% të aksioneve dhe Mirton Lika një biznesmen dhe Konsull Nderi i Sri Lankës në Republikën e Shqipërisë.
Kjo nuk është hera e parë që pasuritë e zotëruara nga bashkëshortja e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës janë bërë objekt i kontrollit të agjentëve të Byrosë së Hetimit.
Në kuadër të hetimeve që Prokuroria e Posaçme ka regjistruar ndaj Erion Veliajt, mbi dyshimet së ai është i përfshirë në korrupsion dhe akuza të tjera të lidhura me funksionarë të lartë shtetërorë dhe të zgjedhur vendorë, pronat e poseduara nga ai dhe të afërm të tij kanë qenë objektet kontrolli i agjentëve hetimorë.
Në dhjetor 2024, agjentët “bastisën” zyrat e organizatës “Harabel” si dhe kryen kontrolle në banesën e Veliajt, ndërsa ai ndodhej në Gjermani. Ata sekuestruan telefonin e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxe, dhe kryen kontrolle në disa pasuri dhe biznese të lidhura me të dhe familjarët e tij.
Shtëpitë dhe ambientet e kompanive ishin disa në Tiranë, një tjetër në autostradën Tiranë-Durrës dhe një pronë në Qerret, ku vëllai i Veliajt, Arbëri kishte vilat e tij. Mes apartamenteve që u kontrolluan ishin edhe ato të kompanive të Ajola Xoxës, “Nan Gallery” dhe “Partners Law”.
Hetimet janë të fokusuar në çështje për të cilat SPAK ka mbledhur prova të mjaftueshme për të ngritur të paktën katër akuza penale, duke përfshirë “korrupsionin pasiv”, “pastrimin e produkteve të veprës penale”, dhe “fshehjen e pasurive”.
Në vazhdën e këtyre hetimeve, më 27 dhjetor, Veliaj është marrë në pyetje nga prokurorët për çështje për të cilat SPAK mendon se ka gjetur prova për të paktën katër akuza.
“Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal (korrupsioni pasiv), por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, paragrafi 2 i Kodit Penal”, thuhet në reagimin e prokurorisë.
Por kryetari i Bashkisë së Tiranës ka lënë të kuptohej që akuzat ndaj tij janë të iniciuara politikisht dhe se faktet janë ngritur mbi dëshmitarë të rreme.
Veliaj shfrytëzoi mbledhjen e Këshillit Bashkiak për të ngritur pretendimet se çështja ndaj tij ishte kurth.
“Jam denoncuar në mënyrë anonime nga një qytetar që quhet Nesti Angoni, një person që nuk ekziston. Disa njerëz që nuk na mundin dot në zgjedhje janë kthyer në zanatin e letrave anonime.
Të gjithë e dimë se çfarë përfaqëson ky emër. Duke qenë se kryetari i bashkisë ka në zotërim regjistrin e gjendjes civile dhe mund të verifikojë se është një kurth i sajuar”, tha Veliaj.
Menjëherë pas kësaj deklarate SPAK bëri me dije se informacioni ishte verifikuar, dhe se nga hetimet paraprake rezulton së janë siguruar prova të qenësishme për të regjistruar procedimet për të paktën katër akuza penale me me hetimet për korrupsion pasiv dhe akuza të tjera të lidhura me funksionarë të lartë shtetërorë dhe të zgjedhur vendorë.
Hetimet janë të fokusuar në çështje për të cilat SPAK ka mbledhur prova të mjaftueshme për të ngritur të paktën katër akuza penale, duke përfshirë “korrupsionin pasiv”, “pastrimin e produkteve të veprës penale”, dhe “fshehjen e pasurive”, vepra penale këto për të cilat nëse Veliaj gjendet fajtor rrezikon të dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.