Ish-uzina e superfosfatit në Laç, dikur krenari industriale e vendit, sot përfaqëson një nga zonat problematike të ndotjes mjedisore dhe shqetësimeve shëndetësore të komunitetit.
E ndërtuar në vitet 1960, në një sipërfaqe prej 380 mijë metrash katrorë, uzina sot është shndërruar në një ngrehinë ku gjatë dekadës së fundit kanë gjetur vdekjen 5 persona.
Rrënojat e uzinës u shembën mbi trupat e tyre teksa viktimat po përpiqeshin të siguronin jetesën nga grumbullimi i skrapit.
Sipas të dhënave zyrtare, ajo që ka mbetur nga ish uzina janë mijëra ton hekur dhe sasi të konsiderueshme kimikatesh. Deri më tani askush nuk është kujdesur për vendosur shtresa mbrojtëse dhe sisteme pastrimi edhe pse janë miratuar plane kombëtare për menaxhimin e mbetjeve apo dhe firmosur marrëveshje me donatorë të huaj. Dokumentet tregojnë se një fond mbi 60 milionë euro është lëvruar për ngritjen e strukturave të menaxhimit të mbetjeve, por “shteg.org” nuk gjeti gjurmë të zbatimit të këtyre projekteve ndërsa institucionet përgjegjëse refuzuan të shpjegojnë se ku kanë përfunduar këto para.
Ngrehina që merr jetë

Në periferinë e qytetit të Laçit, teksa kalon në rrugicat e ngushta, të del përpara sipërfaqja prej 38 hektarësh tokë që dikur gumëzhinte nga motori industrial dhe forca punëtore e ish-Uzinës së Superfosfatit. Sot, në hyrje të saj gjenden goma automjetesh, pak më tutje pirgje mbeturinash ndërsa në të djathtë ngrihen e oxhaqet dhe ndërtesat e dikurshme e administratës, gati në të shembur. Duke u futur më në brendësi syri të sheh rripa metalesh që kanë dalë nga muret e ndërtesave. Para viteve ’90, këto metale përbënin bazën strukturore të godinave, ndërsa sot janë burim skrapi për banorët vendas. Vetëm në periudhën 2004–2018, pesë persona kanë humbur jetën nga shembjet e mureve gjatë përpjekjeve për të mbledhur skrap.
E përuruar në vitin 1967, kjo uzinë është shndërruar në një relike toksike.
“Kompleksi Laç ka 60 kilogramë kimikate për përdorim laboratorik dhe 30 mijë ton mbetje hekuri,” thuhet në Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit për vitin 2025, publikuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Këto mbetje janë depozituar në zonën e fabrikës pa asnjë shtresë mbrojtëse apo sistem drenazhimi. I njëjti problem është përmendur edhe në Raportin e Gjendjes Mjedisore për vitin 2021.
Një studim i tokës në këtë zonë u krye në vitin 2000 nga Programi i Mjedisit i Kombeve të Bashkuara (UNEP), i cili evidentoi prezencën e arsenikut dhe bakrit, substanca të rrezikshme për shëndetin e njeriut. Banorët përreth pohojnë se që nga ajo kohë nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje për të përmirësuar situatën.
“Jetoj afër uzinës dhe deri më sot, nuk kam parë askënd të vijë për të kontrolluar apo për të na dhënë ndonjë zgjidhje,” – thotë Zef Ndreca, i cili për 15 vjet ka punuar si elektricist në uzinë.
Organizata lokale si Qendra Rinore “Sebastia” dhe ekspertë të mjedisit kanë kërkuar ndërhyrje për rehabilitimin e zonës.
“Ideja është që nevojitet një rehabilitim i thellë, sepse metalet e rënda dhe kimikatet nuk zhduken vetë. Problemi nuk është vetëm toka e kontaminuar, por edhe përhapja e ndotjes drejt ujërave nëntokësore nga reshjet e shiut,” thotë biologe Eni Hoxha. Ajo nënvizon se ndotja e tillë përbën rrezik të madh për shëndetin e komunitetit.
Qendra Rinore ka përfshirë edhe të rinjtë e komunitetit në diskutimin për të ardhmen e zonës. Ata kanë propozuar që, pas pastrimit të duhur, zona të shndërrohet në një hapësirë atraktive për aktivitete kulturore dhe turistike.
“Në rekomandimet tona, kemi sugjeruar kthimin e uzinës në muze. Oxhaqet janë shumë të larta dhe bien në sy nga larg. Ideja e të rinjve ishte t’i pikturojmë si simbole të reja të qytetit, ose të shfrytëzojmë ambientet për teatër apo projekte filmike,” thotë Elsa Sula, aktiviste në Qendrën Rinore “Sebastia”.
Miliona euro për strategji …
Më 27 maj 2020, Këshilli i Ministrave miratoi “Dokumentin e Politikave Strategjike dhe Planin Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve 2020-2035”, me qëllim përmirësimin e trajtimit të mbetjeve dhe përmbushjen e kritereve për integrimin në Bashkimin Evropian. Dokumenti vë në dukje mungesën e infrastrukturës bazë dhe plotësuese për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme. Po ashtu, deri në vitin 2020 mungonin të dhëna për sasinë apo llojet e këtyre mbetjeve.
Në zbatim të dokumentit u ngarkuan institucione si Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe bashkitë vendore. Por sipas raportit vjetor të monitorimit për periudhën 2020-2021, progresi në trajtimin e mbetjeve kimike ka qenë i papërfillshëm.
Po në atë periudhë, qeveria shqiptare firmosi një marrëveshje financimi me Bankën Gjermane KfW për një kredi të butë prej 50 milionë euro dhe një grant prej 11.9 milionë eurosh për ndërtimin e infrastrukturës së menaxhimit të mbetjeve. Megjithatë, raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për vitin 2023 vë në dukje se sistemi aktual i menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri është i pamjaftueshëm dhe joefikas, si dhe mungojnë kapacitetet financiare dhe teknike.
“Shqipëria nuk ka kapacitete për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme,” thotë Olsi Nika, drejtor i qendrës “Eco Albania”, por qeveria pretendon se ka ngritur infrastrukturën e duhur për trajtimin e tyre.
Në të njëjtin dokument strategjik u parashikua edhe ngritja e Qendrës së Grumbullimit dhe Trajtimit të Kimikateve të Rrezikshme në Elbasan, si strukturë vartëse e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo qendër, e krijuar më 2015 me një vendim të Këshillit të Ministrave, ka për qëllim reduktimin e rrezikut të ndotjes mjedisore nga mbetjet e ish-ndërmarrjeve.
E vendosur në fshatin Balëz, qendra përshkruhet si një godinë harkore, e mbuluar me tullë dhe gëlqere, që ruan arkitekturën industriale të dekadave më parë. Një derë e thjeshtë metalike të çon në ambientin e brendshëm ku punojnë 13 punonjës. Sipas raportit të buxhetit për vitin 2024 të Ministrisë së Mjedisit, qendra ka pasur shpenzime kapitale prej 4.1 milionë lekësh për katër projekte, por nuk janë dhënë detaje mbi to.
Sipas dokumenteve të qeverisë, kërkohet që të raportohet nga institucionet e përfshira në dokumentin strategjik çdo 10 shkurt të çdo viti pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Në kërkimin online nuk gjenden raportet e kryera të MIE, MTM dhe qendrës së specializuar.
Të kontaktuar nga “shteg.org”, për të marrë informacion mbi raportet specifike për uzinën në Laç, zyrtarët e qendrës thanë se nuk kanë marrë ende konfirmim nga Ministria e Infrastrukturës për shpërndarjen e të dhënave. Ministria, nga ana tjetër, nuk është përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.
Prej muajsh, institucione të ndryshme shtetërore po shmangin përgjegjësinë për fatin e ish-uzinës në Laç, ndërsa qytetarët dhe organizatat që kërkojnë transparencë përballen me heshtje ose adresime të ndërsjella.
Nga ana tjetër, edhe pse uzina ndodhet në territorin e Bashkisë Kurbin, kjo e fundit mohon çdo kompetencë mbi të, duke ia kaluar përgjegjësinë Ministrisë së Financave. Por kjo ministri, përmes një deklarate të këshilltares Elona Bedalli, u shpreh se objekti nuk është më nën juridiksionin e saj, pasi administrimi i pronave të tilla i është transferuar Ministrisë së Ekonomisë.
As ky institucion nuk ka pranuar të japë sqarime. Ndërkohë, askush nuk jep përgjigje se çfarë do të ndodh me sasinë e konsiderueshme kimikateve me mijëra ton hekur që ka mbetur territorin e uzinës, mbetje që deri më sot, kanë të dokumentuar vdekjen e 5 jetë njerëzish ndërsa të kërcënuar janë mijëra të tjerë që jetojnë në Laç.
Gazetare me përvojë në raportimin e kronikës së zezë dhe çështjeve politike në Shqipëri.
Gjithashtu, ajo ka qenë pjesë e “Investigative Journalism Lab” pranë “Albanian Center for Quality Journalism” (ACQJ).
Në SHBA ka marrë leksione të gazetarisë investigative në Kolegjin e Bostonit.
Desada ka përfunduar studimet në “Media Leadership and Management” dhe “Political Journalism” dhe ka qenë e angazhuar në projekte dhe internship-e që fokusohen në gazetarinë cilësore dhe hetimore.