Prokuroria e Posaçme (SPAK) njoftoi përfundimin e hetimeve dhe kalimin në gjykim të çështjes ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Qani Xhafa, i akuzuar për veprën penale “drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Akuzat e ngritura lidhen me një aksident të ndodhur gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2023, kur Xhafa, duke drejtuar automjetin tip Toyota në gjendje të dehur, humbi kontrollin dhe u përplas me një shtyllë të ndriçimit në Bulevardin “Qemal Stafa” në Elbasan. Aksidenti shkaktoi vetëm dëme materiale të lehta.
Çështja ndaj deputetit Xhafa mori një zhvillim të ri pas zgjedhjes së tij si deputet në Kuvendin e Shqipërisë më 19 maj 2023. Pas këtij momenti, SPAK e kaloi çështjen në Gjykatën e Posaçme, për shkak të mandatit të tij parlamentar.
Deputeti Xhafa ka pranuar gabimin në drejtimin e mjetit dhe ka kërkuar gjykim të shkurtuar, duke theksuar se aksidenti ka ndodhur në kohën kur ai nuk ishte deputet, dhe nuk ka shkaktuar asnjë dëm material përveç dëmtimit të vetë makinës së tij.
Deputeti Xhafa u shpreh për “shteg.org” se kjo vepër ka qenë gabuar nga ana e tij megjithëse asokohe nuk ishte deputet por pavrësisht rrjedhës së kësaj çështjeje, nuk e pengon për rikandidim.
“Para 2 vjetësh kur nuk isha deputet kam bërë një dalje jasht rruge dhe drejtim mjeti në mënyrë të parregullt. Nisi procedimin penal Prokuroria e Elbasanit e kaloi në Gjykatë dhe kërkova gjykim të shkurtuar por Gjykata shpalli moskopetencë duke ia kaluar Spak-ut. Shkaku i pozicionit, pra jam deputet deri në shtator, prandaj i ka kaluar SPAK-ut dosja. Unë do t’i nënshtrohem urdhërave të drejtësisë, megjithëse s’ka patur asnjë dëm material, vetëm makina ime. Unë gabim kam qenë e kam pranuar dhe në Prokurori dhe në Gjykatë të Elbasanit. Kjo nuk më pengon dhe për rikanditim” – tha ai.
Dosja gjyqësore e deputetit u kthye në një histori kompetencash për insitucionet e drejtësisë pasi një gjyqtar i Elbasanit hoqi dorë nga hetimi gjyqësor duke ja deleguar dosjen Tiranës.
Në vitin 2024, gjyqtari i posaçëm Erjon Çela e konsideroi të pavlefshme veprimin e prokurorisë së Elbasanit dhe bëri të ditur se ligji pengon ngritjen e akuzave për një deputet nga një gjykatë e zakonshme. Kështu, çështja u kalua për shqyrtim të mëtejshëm nga SPAK, i cili e rivendosi deputetin nën hetim për këtë veprim.
Në gjykatën e Elbasanit deputeti më herët ka kërkuar gjykim të shkurtuar dhe nëse vepron njësoj edhe në Gjykatën e Posaçme, ai mund të fitojë dënimin punë me interes publik.
Emri i deputetit demokrat Qani Xhafa rezulton edhe në listat e hapura të kandidatëve për deputetë të PD-së në qarkun Elbasan.
Statistikat zyrtare tregojnë se për 9 vite organi i akuzës ka regjistruar rreth 36 mijë procedime penale ku të pandehur janë marrë mbi 21 mijë shtetas për veprat penale që kanë të bëjnë me shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, që përfshihen veprat penale si: “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” neni 290, “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor në gjendje të dehur, pa dëshmi” neni 291 dhe “Largim nga vendi i aksidentit” neni 273.
Gjatë viteve të fundit, politikat penale janë ashpërsuar, siç konstatohet edhe nga Prokuroria e Përgjithshme në raportin e fundit mbi gjendjen e kriminalitetit. Në vitin 2024 organi akuzës kërkoi në gjykatë 3073 masa arrest në burg.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.