I penduari i drejtësisë tregon si u takua me Plaurent Dervishajn në Librazhd

Bashkëpunëtori i drejtësisë, Erion Alibej, deklaron në GJKKO se atentati ndaj ish-prokurorit Ndoja u zbulua për shkak të gabimeve të autorëve dhe se ishin kërkuar 300 mijë euro për të prishur provat e vendngjarjes që implikonin vrasësit.

215
Plaurent Dervishaj dhe Erion Alibej
Credits: shteg.org - Plaurent Dervishaj dhe Erion Alibej

Në një seancë të tensionuar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), dëshmitari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë Erion Alibej dha një dëshmi që hodhi dritë mbi prapaskenat e atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, ngjarje që tronditi opinionin publik në vitin 2019.

Ai deklaroi se autorët kishin lënë pas prova në vendin e ngjarjes dhe më pas kishin kërkuar një shumë prej 300 mijë eurosh për të zhdukur gjurmët.

Të pandehur në këtë proces janë Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj, ndërsa gjatë dëshmisë pati përplasje të forta verbale mes Alibejt dhe Dervishajt, duke detyruar trupën gjykuese të përjashtojë këtë të fundit nga seanca. Në dëshminë e tij, Alibej tha se ishte takuar vetëm një herë fizikisht me Dervishajn në Librazhd ku negociator i takimit ishte pronari i Fabrikës së Cigareve, dhe duket se bëhet fjalë pikërisht për Ilir Jasharin i cili është në kërkim policor për një tjetër dosje të SPAK, ku ai akuzohet për evazion fiskal dhe kontrabandë në vendet e BE.

Një dëshmi që ngre pikëpyetje të reja

Që në nisje të dëshmisë së tij, Alibej përmendi njohjen me Plaurent Dervishajn dhe takimet më të në Librazhd, qytetzë në të cilën “miku” i tij posedonte një fabrikë cigaresh.

Më herët, Alibej kishte dëshmuar edhe në çështjen “Plumbi i Artë”, ku kishte treguar për kërkimin e autorëve të tragjedisë së tij familjare, një motiv që, sipas tij, lidhej edhe me kontaktin e vetëm që kishte pasur me Dervishajn.

“Plaurentin e kam njohur përmes dajës së bashkëshortes sime, i cili më mundësoi një takim me ndihmën e një shoku të tij. Daja kishte një fabrikë cigaresh në Librazhd. Në atë kohë, Arben Laze zotëronte një automjet Volkswagen Tuareg me ngjyrë të zezë. U ula në sediljen e pasme dhe së bashku shkuam në fabrikën e cigareve. Aty na pritën Iliri dhe Arbeni. Nuk mbaj mend me siguri nëse Plarenti ishte aty që në fillim apo erdhi më vonë. Ai kishte një BMW të blinduar, ngjyrë blu. Shofer ishte një person tjetër, ndërsa Plarenti qëndronte në vendin e pasagjerit. Kemi drekuar së bashku në ambientet e fabrikës. Ky ka qenë takimi i parë dhe i vetëm me të,” – deklaroi Erion Alibej në gjykatë.

Sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, bëhet fjalë për Ilir Jasharin, ndaj të cilit në fund të majit të 2025, SPAK urdhëroi arrestimin e tij ndërsa hetimet  zbuluan se fabrika cigareve në Librazhd, e regjistruar me autorizim “Regjim Përpunimi Aktiv” (RPA), përdorej për të shmangur detyrimet doganore duke prodhuar cigare që nuk regjistroheshin si eksport, por ngarkoheshin brenda territorit shqiptar për t’u kontrabanduar më pas në vendet fqinje dhe BE-në. Vlera e dëmit ndaj buxhetit shqiptar arrin në mbi 3.6 miliardë lekë, ndërsa humbjet për vendet evropiane kapin 12.8 milionë euro.

Një pjesë thelbësore e dëshmisë së Alibejt ishte rrëfimi për ngjarjen e atentatit ndaj prokurorit Ndoja.

I penduari i drejtësisë pretendoi se kishte mësuar nga vetë Dervishaj se pas atentatit, autorët ishin zbuluar për shkak të lënies së syzeve në vendngjarje, mospastrimit të makinës dhe panikut nga dëshmitarët.

“Dija që pas atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja ishte përfshirë Plaurenti. U zbulua shpejt sepse autorët kishin lënë syze, nuk kishin djegur makinën, ishin trembur nga pranisë së disa personave dhe kishin gabuar. Më tha Plaurent i se Redjan Rraja ishte shoku i tij i ngushtë dhe kishte dashur të futej me zor në makinë për të marrë pjesë”- deklaroi i penduari i drejtësisë.

Alibeja tha gjithashtu që po përpiqej të fshinte provat në laborator dhe se për këtë i kishin kërkuar 300 mijë euro.

“Më tha se po përpiqej të hiqte provat në laborator. Ishin kërkuar 300 mijë euro për të prishur gjithçka dhe po pritej një përgjigje,” – vijoi Alibej.

Për sa i përket objektivit të atentatit, Alibej sqaroi se prokurori Ndoja ishte shënjestra kryesore, ndërsa Pëllumb Muharremi, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, i plagosur në atentat, nuk ishte pjesë e objektivit.

“Kur shpëtoi prokurori, diskutova me Plarentin që Arjan Ndoja shkonte në një lokal në Gjirin e Lalzit dhe fliste që po përgatitej ta godiste atje. Aleksandër Lahon nuk e mbaj mend mirë, Plaurenti nuk e llogariste fare. Fliste gjithmonë, thoshte janë mbyll fare. E kishte tek prokurori fokusin.” – vijoi dëshiminë i penduari i drejtësisë.

Më tej, Alibej tha se nuk e dinte arsyen pse e donte të vrarë prokurorin, por hedh 2 hipoteza, atentatin ndaj tij pak muaj më parë dhe konfliktet për pronat në Durrës.

Pas dëshmisë së Alibejt, avokatët e të pandehurit Plaurent Dervishaj, Ilia Ilia dhe Gerta Gorjani, kundërshtuan deklaratat, duke kërkuar leximin e procesverbalit të mëparshëm, ku sipas tyre, motivi i atentatit ishte përmendur si konflikt pronësor. Ata kërkuan gjithashtu pezullimin e dëshmive të mëtejshme pa praninë e klientit të tyre, i cili ishte përjashtuar nga seanca.

Trupa gjykuese e rrëzoi kërkesën dhe vijoi procesin me dëshminë e Alibejt. Në shenjë proteste, dy avokatët u larguan nga salla pa lejen e gjykatës, veprim për të cilin u ndëshkuan me gjobë prej 1 milion lekësh secili.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.