Pas një ndërprerjeje dyjavore dhe me një trupë të re gjykuese të përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Flora Hajredinaj dhe Elsa Ulliri, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua këtë të martë seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe 11 të pandehurve të tjerë, në kuadër të dosjes së njohur si “Sterilizimi”.
Procesi u hap me deklaratat e Beqajt, i cili kërkoi pushimin e çështjes dhe pavlefshmërinë e akteve procedurale, duke pretenduar se nuk është njoftuar zyrtarisht për akuzën për të cilën gjykohet.
“Jam i fundit në këtë betejë, por më paraqesin si të parin,” tha ai, ndërsa theksoi se vendimi i seancës paraprake është mbështetur në një nen për armëmbajtje pa leje, të përmendur 15 herë në dosje, një çështje që sipas tij nuk ka lidhje me rastin në fjalë.
Sipas Beqajt, kjo nuk është një çështje “sterilizimi”, por menaxhimi i integruar i instrumenteve kirurgjikale. Ai shtoi gjithashtu se rasti nuk është në kompetencë të SPAK, duke e cilësuar ministrin si institucion monokratik që duhet të kontrollohet vetëm nga Këshilli i Ministrave. Ish-ministri shprehu edhe shqetësime për përfaqësimin e tij ligjor, duke kërkuar sqarime nëse avokatët zëvendësues kanë pasur akses në dosjen gjyqësore dhe nëse e kanë lexuar atë të plotë, ndërsa deklaroi se nuk është takuar kurrë me avokatin në ambientet e paraburgimit.
Avokati i tij, Ermal Yzeiraj, ngriti gjithashtu dyshime për paqartësinë e akuzave.
“Me shkrim kemi shpërdorim detyre, me gojë në seancë dëgjojmë për grup të strukturuar kriminal. Nuk ka fakt se sa është vjedhur, kujt i është vjedhur dhe si,” tha Yzeiraj, duke kërkuar gjykim të zakonshëm dhe jo ndarje të çështjes.
Nga ana tjetër, Klodjan Rrepaj, i përfaqësuar nga avokati Dritan Hamitaj, kërkoi ndarjen e procedimit dhe gjykim të shkurtuar, duke pretenduar se kjo nuk do të ndikojë në proceset e bashkëpandehurve.
Në fjalën e tij përpara trupës gjykuese, Rrepaj theksoi se “projekti i sterilizimit” është një term i sajuar për të krijuar perceptim mashtrues publik dhe kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest me burg në një më të lehtë.
“Kam ardhur nga Anglia për t’u përballur me drejtësinë. Kanë kaluar dy vite dhe ende nuk është bërë asgjë konkrete. Më duhet kohë dhe hapësirë për të përgatitur mbrojtjen time,” tha ai. Rrepaj hodhi akuza për paragjykim të çështjes, duke deklaruar se nuk është lejuar të trajtohet profesionalisht.
“Ne jemi këtu për një procedurë që ka 19 vite që diskutohet, paragjykohet dhe akuzohet, por asnjëherë nuk është debatuar shkencërisht. Ka qenë një debat folklorik, mediatik dhe politik. Deri më sot çdo vendim gjykate ka treguar paragjykim. Nga ana mediatike, sterilizimi është kthyer në thesin bosh të miellit, që sa herë e shkund, nxjerr tym,” tha Rrepaj, duke shtuar se çështja është devijuar qëllimisht dhe “projekti i sterilizimit” si koncept nuk ekziston realisht.
Ndërkohë, i pandehuri Ilir Rrapaj, përmes avokatit të tij, u shpreh dakord me zhvillimin e gjykimit të shkurtuar dhe nuk paraqiti kërkesa për këtë fazë të procesit. Edhe avokatët e tetë të pandehurve të tjerë kërkuan ndarjen e çështjes dhe zhvillimin e gjykimit të shkurtuar për klientët e tyre.
Seanca u ndërpre përpara se gjykata të shprehej mbi kërkesat, pasi avokati i Klodjan Rrepajt kërkoi largimin për arsye personale. Procesi do të vijojë me një seancë tjetër, ku pritet të shqyrtohen kërkesat për pavlefshmëri të akteve procedurale, kompetencën e SPAK dhe formën e gjykimit për secilin prej të pandehurve.
Ish-ministri, Ilir Beqaj është i pandehur për dosjen e koncesionit të sterilizimit, ndërsa më 18 mars iu komunikua edhe akuza “shpërdorim detyre” e kryer në bashkëpunim.
Hetimi SPAK është kryer për koncesionin “shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, në kohën kur Beqaj drejtonte ministrinë e Shëndetësisë.
Për të njëjtën çështje janë marrë të pandehur edhe 8 të tjerë, mes tyre ish-zv-ministri Klodian Rrjepaj dhe përfituesi i Koncesionit Ilir Rrapaj të dy në pranga që prej gushtit të vitit të kaluar. Në gjykim janë edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të koncesionit të sterilizimit.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.