Ilir Beqaj është ministri i cili arkitektoi dhe implementoi koncesionimin e shërbimeve kyçe të shëndetësisë duke dedikuar rreth 400 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë për 10 vitet e ardhshme.
Koncesionet në fjalë janë:
Sterilizimi, me vlerë rreth 100 milionë euro.
Laboratorët, me vlerë rreth 130 milionë euro.
Dializa, me vlerë rreth 86 milionë euro.
Kontrolli i përgjithshëm (Check-up), me vlerë rreth 100 milionë euro.
Pavarësisht se shërbimet janë të ndryshme, skema është e njëjtë. Të gjitha sa më sipër janë shërbime të cilat i ofroheshin pacientëve shqiptarë nga vetë spitalet publike dhe që, sipas rasteve, jepeshin me prokurim me justifikimin e rritjes së cilësisë së investimit, qoftë duke blerë pajisje të reja apo duke mirëmbajtur pajisjet aktuale. Shërbimi që i ofrohej pacientit ishte i njëjti dhe, në shumë raste, edhe më i mirë se ai që marrin sot. E vetmja gjë që ka ndryshuar, është sasia e parave që shpenzohet për këto shërbime dhe adresa e institucionit prokurues dhe atij përfitues.
Duke qenë skemë PPP, spitalet kanë dalë nga loja financiare dhe janë shndërruar thjesht në shërbyes të kompanive që kanë fituar koncesionet. Pagesat bëhen direkt nga buxheti i shtetit me miratimin e Ministrisë dhe përfituesit janë kompanitë private, të cilat, me përjashtim të “Marketing Distribution”, kompani e specializuar për shitje alkooli dhe duhani (e cila bën kontrollin e përgjithshëm), janë kompani “offshore”, të cilave nuk u dihet saktësisht numri apo emri i ortakëve.
Në rastin e koncesionit të sterilizimit, kostot për një set kirurgjikal u rritën me gati 80 herë. Investimet nga ana e kompanisë janë të papërfillshme dhe pajisjet që përdoren për sterilizimin në shumicën e rasteve janë të njëjtat që përdornin vetë spitalet publike.
Kostoja e sterilizimit për set kirurgjikal para koncesionit shkonte në masën 2.4 euro për set. Këtë standard kanë dhe vendet e tjera, si: Turqia rreth 1 euro, Anglia rreth 2 paundë etj. Koncesioni e rriti koston e sterilizimit për set në 190 euro. Dhe problemi nuk mbeti vetëm te 80-fishimi i kostos, por edhe abuzimi që vazhdon duke i ndërtuar setet kirurgjikale në atë formë që detyron kirurgun të përdorë më shumë se një.
Ka edhe ironi në faktin që përgjatë një operacioni të ndërlikuar shteti shpenzon sot për sterilizimin më shumë sesa për pagën mujore të një kirurgu, i cili është duke operuar me të njëjtat mjete si dje, kur procesin e organizonte vetë spitali.
Dhe nuk mbaron këtu. Duke qenë të stacionuar pranë spitaleve, edhe duke qenë se përdorin pajisjet e spitaleve, koncesionarët nuk paguajnë as detyrimet normale të operacioneve të tyre.
Një raport i KLSH-së ka gjetur se në vitin 2018 spitali i Traumës ka paguar 32 mijë euro më shumë për energji elektrike, sasi kjo e shpenzuar nga koncesionari i cili operon brenda spitalit.
Të njëjtat argumente qëndrojnë edhe për koncesionet e laboratorëve, dializës apo kontrollit të përgjithshëm. Shërbime të cilat shteti i ofronte ose më mirë, ose njësoj si sot por me një kosto shumë herë më të lirë, u koncesionuan duke rritur barrën ndaj taksapaguesve shqiptarë.
Duke analizuar skemën, mund të arrijmë në përfundimin se qëllimi nuk ka qenë përmirësimi i shërbimeve, por manipulimi i procedurave financiare, duke nxjerrë spitalet jashtë loje si aktorë prokurues, duke përqendruar financat në duart e ministrisë dhe më pas duke i transferuar ato në kompani-guacka ku një Zot e di se kush merr çfarë.
Sot Ilir Beqaj është në burg, por jo me akuzën e abuzimit me 400 milionë euro të shqiptarëve, por me atë të shpërdorimit të 200 mijë euro të taksapaguesve europianë. Ndoshta SPAK-ut i duhet ende kohë të lidhë fijet, të ndjekë paranë dhe të sigurojë provat e duhura për krimet serioze të Ilir Beqajt.
Por, fundja, edhe Al Kapone për “evasion fiskal” përfundoi në burg, e më pas nuk doli më!
Besjan Pesha është një studiues i shkencave politike dhe njohës i mirë i politikës në rajonin e Ballkanit. Ai ka mbaruar Masterin për Shkenca Politike pranë Universitetit të Tiranës dhe ka një eksperiencë të gjatë si aktivist i shoqërisë civile, duke filluar me themelimin e Lëvizjes Mjaft e më pas me themelimin e Nismës Thurje.
Besjani gjithashtu ka një eksperiencë në politikën aktive si edhe në qeverisje ku ka shërbyer në disa pozicione të rëndësishme përgjatë viteve 2007-2013.
Së fundmi ai punon si konsulent politik në rajon dhe gjatë kohës së lirë kontribuon për shteg.org.