Ish-Presidenti Ilir Meta do të vijojë të qëndrojë në paraburgim, pasi Gjykata e Posaçme rrëzoi sot kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë. Në seancën e zhvilluar këtë të mërkurë, Prokuroria e Posaçme paraqiti përpara gjykatës raportin dy mujor të ecurisë së hetimeve.
Meta vetë ka folur në seancë duke kundërshtuar provat e reja të paraqitura nga organi i akuzës.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani, deklaroi për mediat se klienti i tij po mbahet padrejtësisht në burg dhe se nuk ka asnjë lidhje me kontratat e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI).
“Sot paraqitëm të gjitha pretendimet tona. Organi i akuzës nuk ka asnjë provë që e lidh zotin Meta me pagesat apo kontratat për lobimin e LSI-së në SHBA,” u shpreh avokati Cakrani.
Ndërkohë, një tjetër element i përfshirë në hetim lidhet me përdorimin e një karte krediti në emër të ish-bashkëshortes së Metës, Monika Kryemadhi.
Sipas SPAK, ekzistojnë dyshime se karta është vënë në dispozicion nga biznesmeni Ardian Shatku për arsye ende të paqarta. Avokati Cakrani tha se Meta nuk ka qenë në dijeni të shpenzimeve të kryera përmes kësaj karte.
“Të gjitha kartat janë përdorur nga ish-bashkëshortja e tij. Meta nuk ka pasur dijeni për to dhe nuk ka asnjë lidhje me këto shpenzime,” theksoi ai.
Sipas mbrojtjes, dëshmitë e paraqitura në këtë dosje janë të rreme dhe kanë ndikuar në vazhdimin e paraburgimit në mënyrë të padrejtë. “Jemi në një betejë që do të zgjasë. Kjo është një çështje me motive të qarta politike,” deklaroi Cakrani.
Ilir Meta u arrestua në tetor të vitit 2024 dhe ndodhet ende në paraburgim në pritje të përfundimit të hetimeve, ndërsa ka kërkuar disa herë zëvendësimin e masës së sigurisë me një më të lehtë – kërkesë që sot u refuzua sërish nga gjykata.
Hetimi ndaj Metës dhe Kryemadhit ka si pikënisje aferën CEZ-DIA, një marrëveshje e vitit 2009 mes kompanisë çeke CEZ dhe asaj shqiptare DIA, për mbledhjen e borxheve të energjisë. SPAK dyshon se marrëveshja është përdorur për të përfituar në mënyrë të paligjshme rreth 6.5 milionë euro, nga të cilat Meta dyshohet se ka marrë pagesa të konsiderueshme.
Akuzat përfshijnë gjithashtu ndërhyrje në tregun e fibrave optike gjatë vitit 2014, ku çifti Meta-Kryemadhi dyshohet se ka favorizuar një kompani të huaj për të hyrë në tregun shqiptar, duke përfituar financiarisht përmes kartave krediti të padeklaruara. Ish-drejtuesi i AKEP, Pirro Xhixho, akuzohet për ndihmë në këtë proces në kundërshtim me ligjin.
SPAK gjithashtu ka hetuar kontratat e lobimit të lidhura nga Meta si kryetar i LSI-së me kompani amerikane gjatë viteve 2016–2017. Një shumë prej 463 mijë dollarësh dyshohet se nuk është deklaruar dhe nuk është pasqyruar në bilancet zyrtare të partisë në KQZ.
Ndërkaq, një tjetër pistë hetimi lidhet me blerjen e një apartamenti me vlerë 310 mijë euro në emër të nënës së Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, e paguar tërësisht në cash. SPAK dyshon se kredia e përdorur ishte një mbulesë për pastrimin e parave që vinin nga aktiviteti i paligjshëm i çiftit.
Akuzat për mosdeklarim pasurie përfshijnë edhe shpenzime mjekësore të padeklaruara gjatë viteve 2013–2019 në vlerën e 106 mijë euro, nga të cilat 86 mijë janë paguar në cash.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.