Pavarësisht se çështjet ekonomike dhe mjedisore gjithnjë janë pjesë e programeve politike të çdo partie që synon të vijë në pushtet, dy partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë refuzuan t’i përgjigjen zyrtarisht kërkesës për koment të “shteg.org” pas publikimit të hulumtimit rreth impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Kashar.
Punimet rreth ndërtimit të këtij impianti në Kashar nisën 11 vite më parë me qëllim trajtimin e ujërave të ndotura të kryeqytetit. Megjithatë, realizimi i tij dështoi duke i shkaktuar shtetit shqiptar dëmin ekonomik prej rreth 100 milionë eurosh.
Drejtoria e Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizime, sot Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve, nënshkroi kontratën me shoqërinë, “Joint Venture Dondi & Kubota”, një bashkim i dy kompanive të njohura në fushën e ndërtimit të impianteve, sidomos në Itali dhe tjetra për tubacionet dhe valvulat me origjinë në Japoni.
Kompania merrte përsipër përfundimin e impiantit që do të shërbente për përpunimin e ujërave të ndotura urbane, brenda një afati 4-vjeçar, ndërkohë që kostoja totale e të gjitha punimeve ishte 79 milionë euro.
Në hulumtimin e publikuar nga “shteg.org” rezulton se punimet e kryera nga kompania “Dondi & Kubota” aktualisht kanë degraduar pasi punimet u ndërprenë në mënyrë të menjëhershme pas shkëputjes së kontratës me kompaninë nga ana e shtetit shqiptar në mënyrë të njëanshme në vitin 2018.
Kompania u detyrua të braktisë punimet dhe të kërkojë të drejtën e saj në gjykatën e Arbitrazhit duke kërkuar si dëmshpërblim 90 milionë euro nga shteti shqiptar. Çështja në Arbritazh u fitua nga kompania çfarë i shtoi shtetit shqiptar koston e shtuar në një vlerë prej 13.5 milionë euro, për shkak të humbjen së çështjes në gjykatën e Arbitrazhit.
Institucionet e përfshira në këtë aferë ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës ndërkohë që sot Tirana është në prag të një katastrofe ekologjike. Nëse ky impiant do të ishte realizuar, ai do t’u vinte në ndihmë 912 mijë banorëve dhe ujërat e ndotura nuk do të vazhdonin të derdheshin në lumin e Lanës dhe të Tiranës pa asnjë trajtim.
Pas publikimit të këtij hulumtimi “shteg.org” i dërgoi në mënyrë zyrtare kërkesë për koment partive opozitare, rreth qëndrimit të tyre në këtë aferë të ndodhur dhe si do e trajtonin këtë rast nëse do të arrijnë të fitojnë zgjedhjet e 11 majit.
Por, pavarësisht dëmit ekonomik dhe atij mjedisor të shkaktuar nga mosndërtimi i impiantit të Kasharit, dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë refuzuan të kthejnë përgjigje, ndërkohë të vetmet parti të vogla që pranuan të prononcoheshin për këtë çështje është “Lëvizja Bashkë” dhe “Nisma Thurje”.
Kryetari i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori tha për “shteg.org” se dëmi ekonomik dhe mjedisor i ndodhur si rezultat si ndërprerjes së njëanshme të kontratës nga shteti shqiptar, tregon paaftësinë e institucioneve shqiptare.
“Hulumtimi juaj tregon jo vetëm dëmet kolosale ekonomike, por edhe përkeqësimin e një gangrene mjedisore që vazhdon sot e kësaj dite. I gjithë ky proces tregon paaftësinë dhe me gjasë korrupsionin e institucioneve shtetërore” – thotë Qori duke shtuar se “Lëvizja Bashkë” nëse do të votëbesohet nga qytetarët do të hartojë një strategji antikorrupsion që do të synojë hetimin administrativ të çdo akti korruptiv, duke nisur nga ato me impakt më të thellë ekonomik dhe mjedisor.
Gjithashtu, Qori pranon se në programin politik të partisë së tij janë përfshirë edhe çështjet mjedisore, në të cilat përfshihet edhe menaxhimi i ndotjes dhe i mbetejeve në Tiranë.
“Në lidhje me ndotjen e ujërave, është i domosdoshëm trajtimi i ujërave të zeza përpara se të shkarkohen në basenet lumore. Ndërsa menaxhimi i mbetjeve të ngurta kërkon zbatimin e hierarkisë së zgjidhjeve të pranuara botërisht: zvogëlim i mbetjeve, ripërdorim, riciklim, incinerim dhe në fund trajtim në landfill”- shkruhet në programin e Lëvizjes Bashkë.
Ndërkohë, Pano Soko, përfaqësues i “Nismës Thurje” thotë se afera e impiatit të Kasharit i ka shkaktuar vendit një dëm mjedisor më të madh se ai ekonomik.
“Ne jeni duke përpunuar një set prej gati 20 denoncimesh që gjykojmë se ka pasur aktivitet të paligjshëm nga ana e autoriteteve shtetërore, impiati i përpunimit të ujërave është një nga këto. Ne mbledhim çështje, mbledhim fakte, të dhëna dhe i referojmë në SPAK. Impianti I përpunimit të ujërave të ndotura është një nga këto afera”, – thotë Soko duke shtuar se çështjet e mjedisit në programin politik të “Nismës Thurje” bazohen në strukturën e “pemës”, ku qëllimi kryesor është rikthimi tek ripërdorimi, riciklimi dhe më pas incenerimi i mbetjeve.
Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.