Pas një viti hetimesh Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim dosjen në të cilën dyshon se zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetin janë përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike, pastrim parash, sigurimi e kushteve për vrasje dhe dhënien e informacione të klasifikuara për llogari të një prej grupeve kriminale që vepronte mes Shqipërisë, Evropës dhe Amerikës Latine.
Nën akuzë janë vendosur ish-drejtuesi i lartë të policisë së Tiranës, Erzen Breçani, ish-shefin e krimeve Dedan Gjoni, Jonida Babameto, specialiste e zyrës së Interpol Tiranë për të cilët Prokuroria e Posaçme deklaron se “janë pjesë e grupit që karakterizohet nga një organizim i mirë koordinuar dhe një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet anëtarëve të tij”.
Grupi kriminal u zbërthye nga Prokuroria e Posaçme pas çkodimit të bisedave të kryera në aplikacionin SKY ECC të vëna në dispozicion nga autoritetet franceze.
Ismail Zeneli dyshohet si një nga drejtuesit ndërsa si anëtarë prokuroria akuzon Eralbi Breçanin, Besmir Murtatin, Artan Sulejmani, Albert Prengën dhe Bajram Grabovën.
“Çdo anëtar ka role dhe detyra specifike, nga financimi, porositja e deri tek transporti dhe shpërndarja e lëndëve narkotike. Anëtarët shfrytëzojnë lidhjet e tyre ndërkombëtare, veçanërisht në vendet e Amerikës Latine dhe Evropës, për të siguruar furnizimin dhe transportimin e narkotikëve.”- thuhet në njoftimin e SPAK, sipas të cilit për llogari të këtij grupi kanë “punuar” dhe disa funksionarëve të agjencive ligj zbatuese për të mbledhur dhe shpërndarë informacion të klasifikuar.
“Informacioni i dhënë ndihmonte anëtarët e grupit që t’i shmangeshin drejtësisë dhe të vijonin aktivitetin kriminal” – sqaron prokuroria e cila ka publikuar edhe detajet e hetimeve për veprat penale për të cilat akuzon zyrtarët e Policisë së Shtetit por dhe ka zbardhur disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në vend.
Rolet dhe drejtuesit e grupit
Më 5 janar të 2021 më portin detar të Roterdamit autoritetet vendase sekuestruan 446 kg kokainë të fshehura brënda një kontejneri mallrash. Në momentin e sekuestrimit të drogës në është arrestuar edhe një shtetas Holandez por 4 vite më vonë nga bisedat e zbërthyera nga aplikacionin ‘Sky’ të zhvilluara më datën 9 nëntor 2021, prokuroria ka mundur jo vetëm të zbuloj se kush fshihet pas kësaj ngarkese por edhe rrolin e gjithsecilit të përfshirë në këtë ngjarje.
Sipas SPAK, Ismail Zeneli, Besmir Murtati dhe Eralbi Breçani ka pasur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e drogës në vendin e origjinës.
Për herë të parë Prokuroria thotë se ka dokumentuar edhe bashkëpunimin e këtij grupi kriminal me Ergys Dashin, një emër i njohur i narkotrafikut i cili është ekzekutuar në Ekuador.
“Sekuestrimi i kësaj ngarkese me lëndë narkotike të llojit kokainë i është atribuar të pandehurve Ismail Zeneli (në rolin e porositësit dhe financuesit), Artan Sulejmani (financues), Eralbi Breçani (porositës dhe financues), Besmir Murtati (porositës dhe financues) dhe shtetasi Ergys Dashi i cili siguronte furnizimin me kokainë në vendet e origjinës si dhe më tej edhe ngarkimin e saj në port me destinacion portet e Evropës”, thekson SPAK.
Të njëjtët persona akuzohen si organizatorë të trafikimit të 69 kg kokainë e sekuestruar në Brazil më 18 shkurt të 2021.
Një rast të tretë të përfshirjes së këtij grupi në veprimtari kriminale prokuroria përmend sekuestrimin e një sasi prej 166 kg marijuanë në Erwitte. Droga ishte nisur nga Spanja për në Gjermani, dhe sipas prokurorisë i pandehuri Albert Prenga, ka pasur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike.
Në këtë ngjarje, rezulton sipas SPAK i përfshirë edhe shefi i krimeve, Dedan Gjoni, që ka rolin e bashkëpunëtorit, porositësit dhe financuesit, ndërsa Bajram Grabova ka pasur rolin e transportuesit.
Implikimi i zyrtarëve të policisë
Prokuroria e Posaçme në kërkesën për gjykim pretendon se ka të dokumentuara implikimin e zyrtarëve të organeve ligjzbatuese qoftë në dhënien e informacioneve të klasifikuara apo dhe përfshirjen e tyre në planet e grupit kriminale për ekzekutimin e kundërshtarëve të tyre.
Provat e serviruara nga SPAK flasin për planet e thurura për vrasjen e dy vëllezërve që jetonin në Britaninë e Madhe. Sipas prokurorisë vrasja ishte porositur nga pandehuri Ismail Zeneli.
“I pandehuri Bujar Ajeti, në marrëveshje me të pandehurin Ismail Zeneli – që ishte i interesuar direkt për vrasjen për motive hakmarrje – kanë organizuar duke u investuar personalisht në gjetjen e banesave të dy vëllezërve që kishin qëllim për ti vrarë.”- shpjegon prokuroria.
Hetimet kanë zbuluar se çdo hyrje dalje e vëllezërve vëzhgoheshin nga “syri” i punonjësve të policisë të cilët të dhënat konfidenciale ua përcillnin anëtarëve të grupit.
Prokuroria akuzon ish-shefin e krimeve Dedan Gjoni dhe Jonida Babameto, me detyrë specialiste e zyrës së Interpol Tiranë që kanë shpërndarë informacione në lidhje me dy vëllezërit të vendosur nën objektivin e grupit kriminal.
“I pandehuri Ismail Zeneli në bashkëpunim me të pandehurit Bujar Ajeti, Adrian Cenaj dhe të pandehurin Dedan Gjoni kanë ndërmarrë veprime konkrete në drejtim të sigurimit të kushteve, duke gjurmuar, identifikuar banesat dhe mbikëqyrur lëvizjet e E. N., A. N. dhe S. N., për të kryer një vrasje ndaj tyre”, thekson SPAK.
Ndërsa një tjetër zyrtarë i lartë i Policisë, Erzen Breçani akuzohet se e i ka dhënë ndihmë të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani ti shpëtonte policisë, teksa ishte në kërkim për krime të rënda si vrasje.
Prokuroria e akuzon ish policin për përkrahje të autorit të krimit për shkak se nga hetimet ka rezultuar se Brecani i ka dhënë informacion Nuredin Dumanit dhe Bujar Ajetit, në mënyrë që ti shmangeshin arrestit nga policia.
Breçani rezulton se kishte njohje me Ajetin, për shkak se ky i fundit ka punuar në forcat RENEA, ndërsa Dumanin dyshohet se e njeh përmes Ajetit.
“Të pandehurit Bujar Ajeti, Adrian Cenaj dhe Erzen Breçani kanë përkrahur shtetasin Nuredin Dumani i cili ishte në kërkim për kryerjen nga ana e tij të disa veprave penale shumë të rënda, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Të pandehurit Cenaj dhe Ajeti kanë strehuar dhe ndihmuar shtetasin Nuredin Dumani me qëllim që t’i shmanget drejtësisë në një moment kur për këtë person ishte caktuar një masë sigurimi nga gjykata”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Pastrimi i parave

Në mesin e të pandehurve të Prokurorisë së Posaçme është edhe ish drejtues i lartë i Policisë së Shtetit, Erzen Breçani.
Pas një karriere 20 vjeçare, Breçani u largua nga Policia në vitin 2013 dhe nisi aktivitetin privat në krijimin e kompanive që kanë të bëjnë me sigurinë fizike apo dhe me ndërtimin e hidrocentrale në veri të vendit.
Ish-zëvendësdrejtori i policisë së Tiranës u arrestua në muajin nëntor të vitit 2023, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “ përkrahje e autorit të krimit” dhe “pastrim parash”.
Pothuajse pas 10 vjetësh që i Breçani ishte i përfshirë në biznes, Prokuroria e Posaçme ka dyshimin se kompanitë e tij kreditoheshin me financime të siguruara nga grupi kriminal ku bënte pjesë edhe i biri, Eralbi Brecani.
“I pandehuri Erzen Breçani me veprime aktive të kundra ligjshme ka administruar dhe futur në qarkullim të ardhurat e përftuara nga i pandehuri Eralbi Breçani si rezultat i aktivitetit kriminal të trafikimit të narkotikëve nga vendet e Amerikës Latine në Evropë, me qëllim mbulimin e vërtetë të origjinës së tyre dhe vijimit të nxjerrjes së mëtejshme të të ardhurave nga aktivitetet tregtare ku janë injektuar këto të ardhura. Nga aktet e administruara rezulton se veprimet e të pandehurve Erzen Breçani dhe Eralbi Breçani, kishin një synim të përbashkët, pengimin e identifikimit të origjinës së të ardhurave, produkte të veprimtarisë kriminale”, njoftoi SPAK.
Sipas prokurorisë, paratë janë investuar në ndërtimin e hidrocentralit mbi lumin Valbonë në Tropojë që, i vendosur nën sekuestro së bashku me disa aste të tjera që zotëron familja Breçani.
Hetimet kanë treguar se ish zyrtari i lartë i policisë ishte në dijeni të aktivitetit të paligjshëm në të cilën ishte përfshirë i biri dhe se i kishte kërkuar atij të tërhiqej.
Djali i Erzen Breçani është kunati i Ervin Matës, për të cilin prokuroria thotë se po vijojnë hetimet. Mata akuzohet nga SPAK për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës dhe është në kërkim ndërkombëtar.
Ajo është gazetare në televizionin News 24 si dhe autore e emisionit “Në shënjestër”.
Prej më shumë se një dekade ajo raporton mbi aktualitetin dhe ka kryer një sërë investigimesh që implikojnë zyrtare të lartë të shtetit shqiptar me botën e krimit.
Për meritat e saj të veçanta dhe kurajon e treguar Klodiana Lala është nderuar edhe me çmime.