Implikimet që çuan në arrestimin e kryeprokurorit të Vlorës

Prokuroria e akuzon për korrupsion dhe ndikim i paligjshëm në 8 çështje penale ku të përfshirë janë finksionarë të drejtësisë dhe njerëz me rekorde kriminale.

1025
Aurel Zarka, ish Drejtuesi i Prokurorise Vlore
Credit: shteg.org

Korrupsion, ushtrim ndikimi të paligjshëm, trafikim të lëndëve narkotike dhe nxjerrje të sekretit hetimor janë akuzat që Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj ish kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka dhe tre personave të dyshuar si bashkëpunëtorë, ish-oficeren gjyqësore Eriona Dautaj, avokatin Radovan Çela si dhe sipërmarrësin Astrit Vladi.

Prokuroria e Posaçme pretendon se ka siguruar prova për tetë çështje penale ku ish kryeprokurori është i përfshirë për të lehtësuar procedimet ndaj personave me rekorde të rënda penale.

Drejtuesi i prokurorisë së Vlorës, u arrestua në zyrën e tij mëngjesin e së hënës, pasi një ditë më parë, më 28 korrik 2024 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kishte miratuar masën e sigurimit “arrest në burg” për të dhe bashkëpunëtorëve të tij të ciët ende rezultojnë të jenë të lirë.

SPAK njoftoi të martën arrestimin e Zarkës, por nuk dha shpjegime se përse tre të dyshuarit e tjerë, ish-oficerja gjyqësore Eriona Dautaj, avokati Radovan Çela si dhe sipërmarrësi Astrit Vladi, nuk ishin gjetur edhe pas 48 orësh kërkimi policor.

Implikimet me grupet kriminale

Hetimet ndaj ish prokurorit të Vlorës janë hapur në Shkurt të 2024 dhe për këtë procedim SPAK ka bashkëpunuar në marrjen e informacioneve dhe provave me agjenci të huaja të zbatimit të ligjit.

“Gjatë hetimeve paraprake të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se personat nën hetim në bashkëpunim dhe në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë” – thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK ku referohen edhe rastet dosjeve penale ku janë të përfshirë njerëzit e drejtësisë.

SPAK dyshon se biznesmeni Vladi, avokati Çela dhe prokurori Zarka në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ndikuar në rrjedhën e procesit gjyqësor në tre procedime  penale për atë që njihet si dosja e “Toyota Yaris”. 

Kushërinjtë Elvis dhe Alfred Vladi në vitin 2018 u akuzuan se qëndronin pas një grupi të dyshuar kriminal që transportonte në mënyrë të paligjshme para në Shqipëri. 

Aso kohe në portin e Durrësit u gjet një shumë prej rreth 3.4 milionë euro në disa makina që ishin sjellë nga Belgjika.

Çështja u njoh si “Toyota Yaris” pasi kreu i opozitës Lulzim Basha e denoncoi atë në parlament disa ditë para se ato të sekuestroheshin nga policia.

Basha paralajmëroi trafikimin e parave me makina “Toyota Yaris” dhe akuzoi kreun e grupit socialist, Taulant Balla se kishte dalë garant për ato që i quajti “para të drogës”. Balla i mohoi akuzat dhe fitoi në gjykatë një padi për shpifje ndaj Bashës por fakt është se personat e akuzuar nuk u arrestuan asnjëherë nga policia.

Asokohe prokuroria hapi tre procedime penale. Një procedim në vitin 2018 kur kushërinjtë Vladi akuzoheshin për pastrim parash dhe grup kriminal, një  procedim të dytë në vitin 2019 ku ata hetoheshin për pasurinë dhe një procedim të tretë të vitit 2020 ku Elvis Vladi shqyrtohej për mosdeklarim parash në kufi.

Sidoqoftë pretendimet e opozitës dhe akuzat që rëndonin mbi meshkujt e familjes Vladi nuk mundën të faktoheshin nga prokuroria në gjykatë, teksa Elvis Vladi pranoi se kishte shkelur procedurat e deklarimeve të parave, shkelje për të cilën ai u dënua me 1 vit e 6 muaj burg.

Në njoftimin zyrtar, SPAK i rëndit këto raste si prova të implikimit të kryeprokurorit të Vlorës në akuzat që ka ngritur ndaj tij për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm. Si bashkëpunëtorë të tij në këto çështje janë të akuzuar avokati Radovan Çela dhe sipërmarrësi Astrit Vladi.

Çela njihet për faktin se ka përfaqësuar në procesin gjyqësor kushërinjtë Elvis dhe Alfred Vladi, të cilët në vitin 2018 u akuzuan për krijim të grupit të strukturuar kriminal  ndërsa Astriti, sipërmarrës dhe aksioner në disa kompani në Shqipëri, rezulton të jetë vëlla i Elvis Vladit.

SPAK dyshon se Vladi, Çela dhe prokurori Zarka mund të kenë ndikuar në ekzekutimin e kërkesave për ndihmë juridike të ardhura nga autoritetet belge në lidhje me çështjen “Toyota Yaris”.

Astrit Vladi ka qenë më parë i dyshuar për vrasjen e shtetasit Paulin Marku në vitin 2011 tek kthesa e Kamzës në Tiranë. Pasi është arrestuar nga Policia si i dyshuar për vrasjen e Markut, ai është liruar me urdhër të Prokurorisë, e cila e ka cilësuar arrestimin si të paligjshëm.

Në listën e çështjeve për të cilat ka dyshime për ndikim të paligjshëm dhe korrupsion ndaj funksionarëve të drejtësisë përmendet edhe çështja ndaj Suel Çelës, i njohur gjithashtu me emrin Marius Lulaj.

Rasti ndaj tij lidhet me një procedim pasuror të vitit 2020 nga SPAK në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit, që i kishte kërkuar justifikimin e pasurisë.

Prokuroria nuk bën me dije se në çfarë rrethanash kryeprokurori i Vlorës ka bashkëpunuar në procedimet penale të përmëndura si prova për ngritjen e akuzave, por shton se “vazhdojnë hetimet për fakte të tjera penale apo për persona të tjerë që mund të përfshihen në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal”.

Suel Çela u përmend në media fillimisht shtatorin e vitit 2017 kur gjatë përpjekjes për t’iu shmangur një kontrolli policor ai dhe dy miq të tij aksidentuan mjetet e policisë në hyrje të tregut agroushqimor të Elbasanit, sipërmarrje e cila zotërohej nga babai i tij, Petrit Çela. Autoritetet e akuzuan për tentativë vrasje të punonjësve të policisë, por ai u shpall i pafajshëm. Vite më vonë ndaj tij u ngritën akuza për pengmarrje dhe armëmbajtje pa-leje.

Dyshime për implikime të ngjashme të prokurorit Zarka dhe ish-oficeres gjyqësore Dautaj janë ngritur dhe në lidhje me mos-fillimin e një procedimi penal të referuar në mars të vitit 2020 nga Komisariati i Policisë Himarë si dhe me një çështje kultivimi narkotikësh gjykuar nga Gjykata e Vlorës.

Zarka pritet të merret të përballë gjykatën të mërkurën, më 31 korrik për vlerësimin e masës së sigurisë në lidhje me tre akuza që rëndojnë mbi të, ndërkohë që tre bashkëpunëtorët e tij janë shpallur në kërkim nga policia.

Aurel Zarka ka një karrierë të gjatë në organet lig zbatuese shqiptare. Në  qershor të këtij viti, Zarka  ka kaluar pa probleme edhe procesin e Vetingut, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i dha dritën jeshile për të vazhduar punën normalisht si drejtues i Prokurorisë së Vlorës.

Në një seancë dëgjimore rutinë, e cila nuk zgjati shumë, ai dha llogari për dy konstatime për pasurinë të bëra nga Komisioni i kryesuar prej Suela Zhegut, me relator Roland Ilian e anëtare Genta Tafa-Bungon.

Ndaj Zarkës nuk pati pretendime sa i takon kritereve të vlerësimit të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Zarka ka nisur karrierën si oficer i policisë gjyqësore në vitin 2004 pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai ka punuar për një kohë të gjatë në këtë prokurori deri sa në vitin 2012 u emërua prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ku dhe së fundmi kishte marrë drejtimin e saj.


iPhone 152x152 1
[email protected] | Website |  + posts

RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.