Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur sot seanca gjyqësore për skandalin e inceneratorit të Tiranës, një çështje që sjell në bankën e të akuzuarve ish-Ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, së bashku me disa ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mjedisit dhe persona të tjerë të përfshirë në procedurat e koncesionit.
Në këtë seancë, togat e zeza pranuan kërkesën e tetë të pandehurve për gjykim të shkurtuar, një procedurë që parashikon një ulje të mundshme të dënimit me një të tretën, ndërsa katër të tjerë do të përballen me procesin e zakonshëm.
Sipas vendimit të gjykatës, të pandehurit që do të përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar janë Lefter Koka, Bledar Karoli, Erjon Murataj, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku dhe Jetmir Llapaj. Ndërkohë, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Alba Thoma dhe Silena Tola kanë refuzuar këtë procedurë dhe do të gjykohen sipas procedurës së zakonshme. Kjo ndarje e procesit u bë pas një debati ligjor mes palëve, me argumentin se një trajtim i diferencuar i të pandehurve do të shmangte vonesat në shqyrtimin e çështjes.
Akuzat e Prokurorisë
Gjatë hetimeve Prokuroria e Posaçme ka konstatuar një sërë parregullsish gjatë procedurës së ndjekur për dhënien e koncesionit dhe po ashtu ka dyshime se ish-funksionarët publik kanë bashkëpunuar me Klodian Zoton për të bërë gati të gjitha dokumentat për të fituar koncesionin për rehabilitimin e landfill-it dhe ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.
Sipas Prokurorisë, kontrata për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, e lidhur mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy BV SPV”, është firmosur në shkelje të rëndë të procedurave ligjore, duke favorizuar në mënyrë të paligjshme kompaninë koncesionare.
Hetimet kanë zbuluar se projekti, me një vlerë prej 128.2 milionë euro pa TVSH, është manipuluar që në hapat e parë të tij, duke i krijuar përparësi një subjekti të paracaktuar për të fituar tenderin. Ky favorizim është mundësuar nga një zinxhir vendimmarrësish brenda Ministrisë së Mjedisit, të cilët kanë ndihmuar kompaninë “Integrated Energy BV” që të sigurojë kontratën koncesionare përpara se të hapej zyrtarisht gara.
Një nga pikat kyçe të hetimit është dhënia e një bonusi prej 8% për kompaninë e shpallur fituese, pa asnjë analizë të thelluar financiare apo raport teknik të justifikueshëm.
Komisioni i Dhënies së Koncesionit, i përbërë nga disa prej të pandehurve, ka miratuar këtë bonus pa hartuar një raport të qartë mbi vlerën e investimit dhe ndikimin e tij në buxhetin e shtetit. Hetimet kanë treguar se kjo procedurë është kryer në shkelje të hapur të rregullave të prokurimit publik, pasi nuk ka pasur një vlerësim real të kostove të projektit dhe pasojave që ai do të kishte për financat publike. Për më tepër, është provuar se dokumentacioni i tenderit nuk është hartuar nga institucionet përgjegjëse, por nga punonjës të Klodian Zotos, një prej personave kyç të kësaj skeme, të cilët më pas ia kanë dorëzuar zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit për ta kaluar në sistemet e prokurimit elektronik.
Një tjetër element i rëndësishëm i këtij skandali është manipulimi i studimit të fizibilitetit, i cili ka shërbyer si bazë për justifikimin e vlerës së lartë të kontratës. Hetimet kanë treguar se tarifa e depozitimit të mbetjeve, e vendosur në 29 euro për ton, është mbivlerësuar artificialisht, duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit. Për më tepër, në këtë studim nuk janë përfshirë të ardhurat reale që kompania koncesionare do të gjeneronte nga burime të tjera, përfshirë depozitimin e mbetjeve inerte nga palë të treta. Nëse këto të ardhura do të ishin përllogaritur, atëherë tarifa e shërbimit do të ishte më e ulët, duke sjellë një kursim të ndjeshëm për shtetin dhe qytetarët.
Një tjetër shkelje e evidentuar nga SPAK lidhet me mosrespektimin e procedurave të regjistrimit të pronarëve përfitues të kompanisë koncesionare. Sipas akuzës, punonjësit e Qendrës Kombëtare të Biznesit, Jetmir Llapaj dhe Silena Tola, kanë lejuar regjistrimin e kompanisë “Integrated Energy BV SPV” pa administruar dokumentacionin e duhur që justifikonte ndryshimet në aksionerët e saj. Ky veprim ka ndihmuar në fshehjen e pronësisë reale të kompanisë dhe ka shmangur transparencën e nevojshme mbi përfituesit finalë të këtij koncesioni.
Procesi gjyqësor ndaj të pandehurve do të vazhdojë me seancën e radhës, e cila është planifikuar për më 7 shkurt 2025. Në këtë seancë, Prokuroria e Posaçme pritet të paraqesë konkluzionet përfundimtare dhe kërkesën për dënimin e të akuzuarve, duke përcaktuar masat e sakta të ndëshkimit për secilin prej tyre.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.