Inceneratori i Tiranës, SPAK shpall në kërkim 8 persona

Prokuroria i akuzon si “grup i strukturuar kriminal” të përfshirë në një skemë pastrimi të rreth 20 milionë eurove. Megjithatë asnjë prej tyre nuk u arrestua pasi policia nuk i gjeti në Shqipëri.

1018
Pamje me dron Sharra
Credit: Kristi Çavo

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK) njoftoi të martën, datë 16 korrik 2024, për 8 urdhër-arreste për abuzime në lidhje me koncesionarin e menaxhimit të mbetjeve të Tiranës. SPAK i akuzon si “grup i strukturuar kriminal” të përfshirë në një skemë pastrimi të rreth 20 milionë eurove. Megjithatë asnjë prej tyre nuk u arrestua pasi policia nuk i gjeti në Shqipëri.

Hetimet paraprake të punës së koncesionarit “Integrated Energy BV SPV” në vendgrumbullimin e mbetjeve të Sharrës në Tiranës kanë nxjerrë në pah një skemë pastrimi parash që sipas SPAK-ut drejtohej nga sipërmarrësit kontroversë Mirel Mërtiri e Klodian Zoto, të dënuar në mungesë nga Gjykata e Posaçme për skemë të ngjashme me koncesionarin e Fierit dhe Elbasanit.

“Aktiviteti kriminal i pastrimit të produkteve të veprës penale, rezulton se është kryer në vazhdimësi duke filluar që nga momenti i lidhjes së kontratës koncesionare duke përdorur mekanizma dhe forma të ndryshme të ngritura nga organizatorët e këtij aktiviteti kriminal, me pjesëmarrës shtetas shqiptar dhe të huaj, të cilët kanë vepruar në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal,” – theksoi SPAK.

Për sa më sipër, SPAK-u ka kërkuar arrestimin e 3 të huajve Giuseppe Ciaffaglione, Marc Lapat dhe Michael Drujits si dhe 5 shqiptarëve Dashamir Ymeraj, Denisa Tollkuçi, Renardo Nallbani, Ilir Dedja dhe Endrit Habilaj.

Tre të huajt rezultojnë ish-drejtues të kompanisë holandeze “GeoGenix BV”, e cila sipas SPAK u përdor nga Mërtiri e Zoto si guaskë për të fshehur pronësinë mbi koncesionarin “Integrated Energy BV SPV”.

Tollkuçi ka qenë administratore e koncesionarit të Tiranës, Nallbani administrator i koncesionarit të Elbasanit “Albtek Energy”, ndërsa Ymeraj dhe Dedja janë sipërmarrës.

Emri i Ymerajt u përmend në vitin 2022 në një denoncim nga opozita si pjesë e një skeme evazioni fiskal ku përfshiheshin 24 kompani.

Nga lista bie në sy emri i gazetarit Habilaj, ish-autor i një emisioni hulumtues në një nga televizionet kombëtare në Shqipëri.

Ndaj grupit rëndojnë katër akuza: mashtrim, pastrim parash, grup i strukturuar kriminal dhe veprimtari në kuadër të një grupi kriminal.

Koncesionet “djegëse” të parave publike

Koncesionari i menaxhimit të mbetjeve të Tiranës mori dritën jeshile për t’u zhvilluar pasi Bashkia Tiranë i paraqiti qeverisë nevojën për zgjerimin e vendgrumbullimit të Sharrës.

Pas kësaj, në vitin 2017, përmes një oferte të pakërkuar, sipërmarrësit kontroversë Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, arritën të siguronin koncesionin 30-vjeçar për menaxhimin, zgjerimin e vendgrumbullimit, rehabilitimin e zonës dhe ndërtimit të një impianti djegës për prodhim energjie.

Projekti kërkonte 128 milionë euro investim, por punimet nuk u përfunduan teksa impianti i djegies së mbeturinave nuk u vu asnjëherë në punë.

Skema rezultoi e ngjashme me dy koncesionet e tjera të menaxhimit të mbetjeve në Fier dhe Elbasan, të cilat kishin nisur të ndërtoheshin në kushtet e “emergjencës mjedisore”, pas vitit 2014 dhe që lidheshin gjithashtu me Mërtirin e Zoton.

Opozita i cilësoi koncesione abuzive dhe gjatë viteve 2019-2020 ngriti ndaj tyre kallëzime të ndryshme penale, për këtë SPAK-u vendosi t’i trajtojë si çështje më vete Fierin, Elbasanin dhe Tiranën.

Rreth gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare 2021, SPAK-u arrestoi ish-Ministrin e Mjedisit Lefter Koka, të cilin e akuzoi për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Për akuza të ngjashme u arrestua një vit më vonë dhe ish-sekretari i tij, Alqi Bllako, i cili ishte bërë deputet. Në këtë periudhë Mërtiri e Zoto qenë shpallur në kërkim.

Koka u gjet fajtor për rastet e Fierit dhe Elbasanit ku në vitin 2023 u dënua me 6 vite e 8 muaj burg ndërsa Bllako u shpall i pafajshëm në rastin e Elbasanit, por fajtor për atë të Fierit duke u dënuar me 2 vite e 8 muaj.

Paralelisht për të dyja rastet, Elbasanin dhe Fierin, Zoto e Mërtiri u dënuan në mungesë me 8 dhe 6.8 vite burg.

Për rastin e Tiranës, SPAK-u veproi gjatë vitit 2023. Në gusht sekuestroi koncesionarin, ndërsa në dhjetor lëshoi 15 urdhër-arreste, mes tyre sërish ish-zyrtarët Koka e Bllako, por dhe drejtori i Punëve Publike në Bashkinë Tiranë, Taulant Tusha. Çështja ndaj tyre mbetet ende nën hetim.

Erblin Vukaj
Gazetar |  + posts

Erblin Vukaj është gazetar i Rrjetit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri. Ai ka përfunduar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës. Vukaj ka punuar që nga viti 2012 në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion, ku ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ai ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.