Inceneratori Tiranës, shtyhet seanca e hetimit gjyqësor

606
Integrated Energy-BV-SPV
Credit: shteg.org

Gjykata e Posaçme, ka shtyrë për më 31 janar seancën gjyqësore të shqyrtimit në themel të të pandehurve për inceneratorin e Tiranës ndërkohë që kryeprokurori Altin Dumani ka deklaruar se po hetohen se ku kanë përfunduar paratë.

Shkak i shtyrjes së hetimit gjyqësor u bë mungesa në sallë e prokurorit të SPAK-ut, Dritan Prençi, ndërkohë që nën akuzë për këtë aferë prokuroria ka 12 të pandehur.

Projekti koncesionar për inceneratorin e Tiranës u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë më shumë se 100 milionë euro, megjithëse punët mbetën përgjysmë dhe inceneratori nuk u ndërtua asnjëherë. Në dhjetor të vitit 2023, Gjykata e Posaçme caktoi 15 masa sigurie për zyrtarë dhe biznesmenë të përfshirë në këtë aferë, mes të cilëve edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti socialist, Alqi Bllako dhe drejtori i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha, të cilët u arrestuan.

SPAK i akuzon të pandehurit për veprime të kundërligjshme në procedurën e lidhjes së kontratës së koncesionit në gusht 2017, me objekt “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”.

Ish Ministri i Mjedisti, Lefter Koka dhe sekretari i përgjithshëm i kësaj Ministrie, Alqi Bllako janë dënuar edhe për inceneratorin e Fierit, ndërkohë, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të akuzuar si organizatorët e aferës së incineratorëve të Elbasanit, Fierit e Tiranës, janë aktualisht në arrati pasi kërkohen nga drejtësia shqiptare për korruptimin e një numri zyrtarësh të lartë.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani tha të hënën gjatë një komunikimi me gazetarët se Prokuroria e Posaçme po vazhdonte hetimet për të gjetur përfituesit e parave publike nga kontrata kontroverse e incineratorit të Tiranës. Dumani deklaroi gjithashtu se një pjesë e përfituesve ishin zbuluar vitin e kaluar, megjithëse nuk ishin ekzekutuar urdhërndalimet.

“Për ata që dyshohet se kanë përfituar nga ato fonde, po ashtu është duke u hetuar edhe për pjesën tjetër të parave”, deklaroi Dumani.

Në gusht të vitit 2023, SPAK urdhëroi sekuestrimin e kompanisë së inceneratorit të Tiranës duke argumentuar se hetimet paraprake kishin nxjerrë pronarë fundorë të zinxhirit të maskuar në Holandë, biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët ishin në kërkim ndërkombëtar për korrupsion aktiv dhe pastrim parash për dy incineratorët e tjerë, Elbasanin dhe Fierin.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.