Inceneratori i Tiranës, Tushe deklaron se projekti u miratua nga qeveria

Ish-drejtori i bashkisë kërkon pafajësinë dhe ngriti pretendime për burgosje pa gjyq.

484
Inceneratori i Tiranës, Tushe deklaron se projekti u miratua nga qeveria
Credits: shteg.org

Seanca gjyqësore për çështjen e inceneratorit të Tiranës vazhdoi sot në Gjykatën e Posaçme, ku ish-drejtori i Bashkisë, Taulant Tusha, paraqiti përmes një letre pozicionin e tij mbi akuzat dhe dënimin që rëndon mbi të. Edhe pse Tusha nuk ishte prezent fizikisht në sallë, ai shfrytëzoi mundësinë për të dërguar një mesazh drejtuar gjyqtarëve përmes mbrojtësit të tij, duke theksuar se ishte burgosur pa të drejtë dhe duke kërkuar pafajësinë.

Në letrën e dërguar nga ambientet e IEVP-së (Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale), Tusha shpjegoi se çdo veprim i tij si ish-drejtor i Bashkisë duhet të konsiderohej si një kontribut për përmirësimin e kushteve të qytetarëve të Tiranës, duke përfshirë propozimin e bonusit për inceneratorin, i cili, sipas tij, ishte miratuar nga qeveria. “Çdo veprim im duhet vlerësuar si përfaqësues i Bashkisë në ato kohë. Nuk e kuptoj ku qëndron problemi kur unë kam të drejtën të propozoj një vlerësim deri në 10 pikë,” – shkruante Tusha në letrën e tij.

Në mes të mesazhit të tij, Tusha theksoi se ai dhe Bashkia e Tiranës kishin bërë përpjekje maksimale për të zgjidhur problemin e menaxhimit të mbetjeve në qytet, dhe e quajti burgosjen e tij një akt të padrejtë. “Mua më kanë burgosur pa gjyq,” – shkruante ai, duke kërkuar që të shpallet i pafajshëm për veprën penale që po i ngarkohet.

Në fund të letrës, Tusha bëri një apel që të falenderohej për përpjekjet e tij dhe të gjithë të pandehurit të tjerë, duke u shprehur: “Duhet të më falenderoni sepse unë dhe të pandehurit të tjerë ishim të fundit që folëm për problemin më të madh të qytetarëve: për ndotjen urbane. Unë kërkoj pafajësinë jo vetëm për veten time, por për të gjithë kontribuesit e administratës publike.”

Gjatë seancës, avokati i Tushës, Ermal Yzeiraj, mbrojti pozitat e klientit të tij për rreth 3 orë, duke kundërshtuar ashpër akuzat e Prokurorisë së Posaçme. Ai theksoi se nuk kishte asnjë provë që lidh Tushën me ndonjë person të përfshirë në komisionin që negocoi koncesionin e inceneratorit. Yzeiraj argumentoi se Tusha kishte vepruar në përputhje me ligjin dhe se ai nuk mund të ishte përgjegjës për rezultatet e propozimit të tij, i cili, sipas tij, ishte thjesht një mundësi e hapur për të gjithë.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënim për të pandehurit e lidhur me aferën e inceneratorëve, përfshirë Taulant Tushën, i cili akuzohet për shpërdorim të detyrës dhe favorizim të paligjshëm. Për ish-ministrin Lefter Koka, prokuroria ka kërkuar një dënim me katër vjet burgim, që do të reduktohej në dy vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Po të njëjtat kërkesa janë bërë edhe për Tushën dhe disa të pandehur të tjerë, mes të cilëve janë Bledar Karoli, Erjon Murataj dhe Namik Simixhiu.

Ky proces ka nisur pas kallëzimeve penale që Tusha ka marrë për lidhje me aferën e inceneratorëve të Tiranës.

Në ngarkim të Tushës janë dhe akuza të tjera që lidhen me shkatërrimin e Teatrit Kombëtar dhe rritjen e faturave për ndërtimin e shkollës “Sami Frashëri”.

Në seancën e mëparshme u dha mbrojtja e 3 të pandehurëve të parë në listë: Lefter Koka, Bledar Karoli dhe Erjon Murataj.

Pas letrës, fjalën përreth 3 orë rresht e mori Ermal Yzeiraj, avokat i Taulant Tushës.

Mbrojtja deklaroi se nuk ka prova për bashkëpunimin e tij me persona të lidhur me koncesionarin apo anëtarë të komisionit. Ai kundërshton argumentet e SPAK se Tusha ka qenë pasiv në komision, duke thënë se ka fakte që ai ka mbrojtur interesat e ligjshme të shtetit.

“Është fakt që Taulant Tusha rezulton të ketë komunikuar me asnjë nga personat që kanë fituar koncesionin, zero komunikime, zero emaile, e pranon edhe prokurori edhe gjykata. Kjo tregon se ka zero provë për ekzistencën e bashkëpunimit të Tushes me persona të lidhur me koncesionarin, apo anëtarë të komisionit. Nuk është e vërtetë ajo që thotë SPAK, se Tusha ka qenë pasiv në komision, ka fakte se përkundrazi, ka mbrojtur interesat e ligjshme të shtetit. – u shpreh Yzeiraj para gjykatës.

Ndërkohë që shpjegoi hollësisht nga filllimi deri në fund situatën e të gjithë episodeve ku Tusha ka marrë pjesë ai u shpreh që klienti i tij në pozicionin e propozuesit për koncesionarin nuk mund të jetë fajtor dhe të bie penalizimi në ngarkim të tij.

“Rezulton që nga 10% të totalit të pikëve, propozuesit i jepen 8%. Personi që ka propozuar 6 pikë ka qenë Taulant Tusha. Për edhe 8% nuk është favorizim i koncesionarit sepse askush nuk ndalonte askënd të jepte 10%. Tusha dha 6%, kjo është arsyeja që u la mesatarja 8%.  është si në rastin kur mund të aplikosh për leje ndërtimi, unë mund t’i kem letrat të gjitha në rregull por ai që më dha lejen, pesha bie mbi atë që më dha lejen, jo unë që e propozoj”.

Kallëzimet penale kundër Tushës dhe karriera e tij në pushtet

Taulant Tusha është kallëzuar penalisht për çështjen e inceneratorit të Tiranës, nga përfaqësuesit e opozitës në Komisionin Hetimor Parlamentar, të ngritur për aferën e Djegësve. Po ashtu, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e ka Taulant Tushën në listën prioritare të të kallëzuarve për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar. Gjithashtu, përfaqësues të opozitës kanë kallëzuar Taulant Tushën, si një ndër personat përgjegjës për faturën e fryrë financiare për ndërtimin e shkollës së mesme “Sami Frashëri”. 

Taulant Tusha ka qenë pjesë e PS-së që nga dita e parë e pushtetit. Fillimisht Tusha mbante postin e Drejtorit të Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë për Çështje Sociale dhe Rinisë, të drejtuar nga Erion Veliaj asokohe. Por sapo Veliaj u zgjodh kryebashkiak i Tiranës, Tusha u emërua Drejtor i Punëve Publike në Bashki. Pas kësaj Tusha ka drejtuar dhe Bordin Drejtues të Ujësjellësit të Tiranës. Por në vitin 2016, në momentin që u krijua Komisioni për koncesionin e mbetjeve, tusha ishte i dërguari i Veliajt. 

Pasuritë në pronësi të ish-drejtorit të Bashkisë

Ish-drejtori i Punëve Publike në Bashkinë Tiranë rezulton të ketë ndarë pasurinë e tij, duke vënë në emër të vëllait një seri biznesesh të suksesshme dhe regjistruar pasuri në apartamente në Tiranë.

SPAK ka zbuluar se në emër të vëllait të Taulant Tushës, Sokol Tushës, është një nga hotelet më luksoze në zonën e Potamit në Himarë, ‘Rapo So’.

Hapja e këtij biznesi hotelerie në Himarë daton më 21 dhjetor 2022, periudhë kjo kur përkon me suksesin në ngritje të Taulant Tushes në bashkinë e Tiranës.

Në këtë biznes, vëllai i Taulant Tushes, Sokoli ka 40% të aksioneve të hotelit.

Ndërsa 40 për qind zotërohen nga Thanas Rapo, një biznesmen me lidhje të ngushta në bashkinë e Tiranës dhe pjesa tjetër prej 20 për qind zotërohet nga Besarta Dika, e cila kontrollon 60 për qind të aksioneve të kompanisë së sigurisë ‘Advanced’, në të cilën ka punuar si inxhinier elektrik dhe Taulant Tusha.

Hetimi ka zbuluar se në emër të Taulant Tusha, janë regjistruar dy apartamente në Tiranë, një automjet me vlerë mbi 30 mijë euro dhe një sasi e vogël parash në llogaritë bankare.

Ndërsa fijet e Tushës, shtrihen dhe tek një biznes agro-turizëm në Kashar, i regjistruar në emër të vëllait të tij, Sokol Tusha, biznes i cili është hapur në 9 janar 2019.

Ky investim në asete fizike të fermave bujqësore kap vlerën prej 374 mijë euro, por 196 mijë euro Sokol Tusha, i ka marrë nga projekti IPARD në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor Rural.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.