Intensifikohen hetimet për krimet zgjedhore në zonat problematike të Shqipërisë

SPAK rregjistron 35 procedime penale për krime zgjedhore. Vëzhgim i përforcuar në Shkodër, Elbasan dhe Fier.

326
Krimet zgjedhore
Credits: shteg.org

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lëshuar 6 urdhër-kontrolle ndaj anëtarëve të shtabeve elektorale të Partisë Socialdemokrate (PSD) në Shkodër, duke shënjuar një hap të rëndësishëm në hetimet për krimet zgjedhore në prag të zgjedhjeve të 11 majit.

Gjatë operacionit, janë sekuestruar celularë dhe kryer kontrolle në automjetet e disa individëve të përfshirë. Hetimet janë duke u zhvilluar me intensitet, ndërsa SPAK ka administruar gjithsej 123 kallëzime për krime zgjedhore deri më 8 maj 2025, përfshirë raste të korrupsionit aktiv në zgjedhje dhe manipulimin e votuesve.

Në qytetin e Shkodrës, SPAK ka angazhuar agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe ka ushtruar kontrolle në zona të tilla si Malësia e Madhe, Barbullush dhe Bushat, si pjesë e një hetimi të gjerë për zbardhjen e veprimeve të paligjshme zgjedhore.

Kjo fushatë ka për qëllim identifikimin e veprimtarive të paligjshme të lidhura me procesin zgjedhor, duke përfshirë manipulimin e votës dhe përdorimin e ndikimit të funksionarëve të lartë politikë. Hetimet janë intensifikuar edhe në qarkun e Elbasanit, ku ka pasur dyshime të forta për krime zgjedhore dhe presione mbi votuesit, me SPAK duke ngritur një Task-Forcë të përkohshme për të koordinuar hetimet dhe zbardhur të vërtetën.

Në kuadër të operacionit të koduar “Premtimi”, i zhvilluar në qarkun Shkodër, janë realizuar kontrolle të shumta ndaj 6 shtetasve dhe 9 automjeteve të tyre, pas ekzekutimit të vendimeve nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Policia njoftoi se gjatë operacionit, u sekuestruan 7 celularë, dokumente të ndryshme, një shumë parash në euro dhe lekë, si dhe tollona karburanti.

Hetimet e SPAK janë fokusuara kryesisht në Shkodër, një zonë që është identifikuar si një prej qarqeve problematike për krime zgjedhore.

Gjatë operacionit të fundit, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ushtruar kontroll dhe kanë kryer veprime hetimore në disa zona të Shkodrës, duke përfshirë Malësinë e Madhe dhe Bushat, si pjesë e një përpjekjeje për të zbuluar aktivitete të paligjshme që lidhen me zgjedhjet e ardhshme.

Referuar të dhënave të siguruara nga SPAK, shumë prej kallëzimeve janë bërë nga qytetarë dhe janë regjistruar përmes platformës online të SPAK. Hetimet janë thelluar gjithashtu në zona të tjera si Elbasani, ku ka pasur denoncime për pagesa dhe presione për të manipuluar votuesit. Në përgjigje të këtyre aktiviteteve, SPAK ka ngritur një Task-Forcë të përkohshme, e cila është e drejtuar nga kreu i SPAK, Altin Dumani, për të koordinuar hetimet dhe për të siguruar se çdo akt i paligjshëm do të ndiqet ligjërisht.

Sipas raportit që SPAK ka zbardhur, shumica e kallëzimeve kanë ardhur nga qytetarë përmes platformës online (35 raste), ndërsa një pjesë tjetër prej partive politike (25 raste) dhe nga Policia e Shtetit. Një tjetër formë e kallëzimit e veçantë është se në 8 raste SPAK ka nisur hetimet pa patur një denoncim konkret, por bazuar në informacionet dhe indiciet e mbledhura nga vetë prokurorët dhe BKH.

Ndonëse SPAK krijoi një plan strategjik për denoncimet e krimeve zgjedhore, të paktën 2 prej kandidatëve që synojnë një mandat në zgjedhjet e 11 majit kanë “bërë shfaqje’’ përpara Prokurorisë së Posaçme.

Basir Çollaku, kandidat i Partisë Demokratike, për qarkun e Dibrës, u paraqit ditën e djeshme pranë SPAK, vetëm katër ditë para zhvillimit të zgjedhjeve të 11 majit.

Çollaku ka dorëzuar një kallëzim penal për krim zgjedhor, duke ngritur shqetësime për procesin në zonën që ai përfaqëson.

Një tjetër kandidat për deputet i PD-ASHM, Xhemal Gjunkshi u paraqit më 6 Maj, në SPAK për të bërë një denoncim për krim zgjedhor. Ai ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme, kryetarin e bashkisë së Dibrës, Rahim Spahiu dhe drejtorin e shërbimeve Bedri Kamberi.

Sipas planit që SPAK ka miratuar për hetimin e krimeve zgjedhore, për regjistrimin e këtyre denoncimeve, një kallëzim merret nën shqyrtim vetëm nëpërmjet postës elektronike dhe asaj fizike.

Për të denoncuar një krim zgjedhor në www.spak.gov.al, e para që duhet bërë është të plotësohen disa informacione personale, si emri dhe mbiemri, numri i telefonit, e-mail dhe adresa e banimit, të cilat janë të aksesueshme vetëm nga Prokuroria e Posaçme.

Përmes ikonës së kuqe “Denonco krimin zgjedhor”, SPAK shpjegon qartë se si kryhet kallëzimi online dhe së bashku me ftesën drejtuar qytetarëve jepen edhe udhëzimet konkrete.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.