Investitorët e privilegjuar përjashtohen nga taksat edhe për 10 vitet e ardhshme

Komisioni i Ekonomisë zgjati me dy vite afatin për hotelet/resortet me 4-5 yje që duan të marrin statusin special dhe të mos paguajnë tatimin mbi fitimin për 10 vitet e ardhshme. Ekspertët thonë se ky vendim ndikon negativisht në ekonominë e vendit.

688
Saranda
Credits: Edi Rama Facebook

Hotelet dhe resortet që do të marrin “statusin special” deri në vitin 2026, nuk do të paguajnë tatim mbi të ardhurat për 10 vitet e ardhshme. Në këtë kategori të subjekteve akomoduese përfshihen hotelet me 4 ose 5 yje, si dhe ato subjekte të cilat kanë kontratë me marka të njohura për të sjellë emrin e tyre në Shqipëri, njohur ndryshe edhe si “brand name”.

Ky vendim, i cili zgjat me dy vite marrjen e statusit të këtyre subjekteve u miratua nga Komisioni i Ekonomisë më datë 22 janar pas propozimit të deputetit të Partisë Socialiste, Blendi Klosi. Ligji pritet të kaloj në Parlament për miratim nga mazhoranca socialiste.

Ekspertët e ekonomisë e kanë parë me skepticizëm propozimin e bërë nga ish Ministri i Turizmit pasi sipas tyre favorizimi i subjekteve të veçanta do të dëmtojë konkurrencën e shërbimeve që ofrohet në turizëm.

Investitorët e privilegjuar

Gadishullin e Karaburunit
Credits: LSA / GENT SHKULLAKU – Gadishulli Karaburunit

Në ligjin ekzistues përcaktohet se hotelet dhe resortet me 4 deri në 5 yje me “status special” dhe mbajtës së emrit të një marke tregtare të regjistruar ndërkombëtarisht janë përjashtuar nga tatim fitimi për një periudhë 10 vjeçare.

“Efektet e përjashtimit nisin nga momenti i fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit, me kushtin që ata ta kenë përfituar statusin special deri në dhjetor të vitit 2024”, – thuhet në publikimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ndërkohë që ditën e djeshme, më 22 Janar Komisioni i Ekonomisë miratoi zgjatjen e afatit deri në vitin 2026.

Ish Ministri i Turizmit, Bledi Klosi, e argumentoi nismën e tij ligjore, dukshëm duke favorizuar subjekte të caktuara, me nxitjen e turizmin elitar.

“Një investitor që lidhet me një brand, ai nuk mund të bëjë punime sipas qejfit, por çdo detaj e diskuton me brandin. Flasim për investime me minimumi 150-200 dhoma. Është vetëm një pjesë e sektorit që e përfiton, si mënyrë për të tërhequr sektorin drejt standardeve” – deklaroi Klosi.

Ndërkohë krejt të kundërtën mendojnë ekspertët e ekonomisë. Sipas Zef Preçit një vendim i tillë dëmton konkurrencën e subjekteve të hotelerisë dhe cenon mbledhshmërinë e taksave në vend, çka ndikon negativisht në ekonominë e vendit.

Preçi i tha “shteg.org” se në aktin e miratuar mungon transparenca e mjaftueshme, qoftë për nevojën e ndryshimeve të propozuara ashtu edhe përfitimet konkrete që pati ekonomia shqiptare pas ofrimit të lehtësirave ekonomike për këtë kategori subjektesh akomoduese.

“Kur vijmë te rasti konkret i hoteleve të njohura si ‘brand names’, përveç mungesës së transparencës së investimeve të kryera, duhet thënë që ka probleme përsa i takon pronësisë” – thotë Preçi duke shtuar se në rastin e Shqipërisë këto subjekte në shumicën e rasteve kanë mundur të përdorin emrin e markës kundrejt pagesës, por në menaxhim dhe në investim nuk janë pjesë e agjendës së kompanisë së origjinës. Thënë ndryshe, hotelet/resortet ‘brand name’ menaxhohen nga biznesmenët vendas.

Në një mëndje me ekspertët është edhe Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike dhe pjesëtare e Komisionit të Ekonomisë.

Sipas deputetes janë 17 ligje speciale, të cilat i kanë krijuar lehtësira hoteleve/subjekteve me status special apo brand name, megjithatë ndikimi i tyre në ekonominë e vendit ka qenë minimal.

“Ndikimi në ekonomi që këto ‘brand name’ kanë pasur kanë qenë thuajse minimal. Ashtu siç Ministria e Financave deklaroi, janë vetëm 880 punonjës që kanë ardhur, megjithë se bizneseve u është hequr tatimi mbi fitimin, u është reduktuar TVSH-ja nga 20% në 6%, u është hequr taksa e pronës, u është hequr taksa e infrastrukturës. Kjo krijon një pabarazi dhe një diferencim jashtëzakonisht të madh me 95% të strukturave akomoduese hotele, të cilat ndodhen në jugun e vendit dhe që ofrojnë këto shërbime”, – thotë Tabaku, e cila duke iu referuar të dhënave nga Ministria e Financave sqaron se nga tatimi i deklaruar që sjellin këto subjekte rezulton që fitimi në vit i secilit prej tyre shkon në 500 mijë euro, ndërkohë që në muaj shkon deri në 80 mijë euro.

“Një xhiro e tillë është minimale për pretendimin që kanë që janë ‘brand name’. Pra, të gjitha këto favore fiksale nuk po ndikojnë në ekonomi ashtu siç duhet të kishin ndikuar” – përfundon Tabaku.

Për ekspertin e Ekonomisë, Zef Preçi këto favore fiskale si krijuese të diferencimit në tregun e konkurrencës.

“E deformon konkurrencën. I vendos bizneset në kushte të pabarabarta konkurencë dhe krijon një situatë favorizuese, klienteliste për biznese të caktuara” – thotë ai duke shtuar se nga rekomandimet e bëra prej Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka një shqetësim në rritje përsa i përket ndikimit negativ të lehtësirave tatimore në mbledhshmërinë e taksave.

“Ka një shqetësim në rritje, jo vetëm brenda vendit, por edhe nga institucionet ndërkombëtare financiare, kam parasysh rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar të përsëritura në misionet e 3-4 viteve të fundit, që lehtësirat tatimore kanë cenuar performancën e tatimeve. Pra, mbledhshmërinë e taksave”, – përfundon Zef Preçi.

Kjo nuk është nisma e parë që socialistët në pushtet ndërmarrin për favorizime fiskale për subjektet që operojnë në turizëm.

Me të ardhur në pushtet, qeveria Rama miratoi ligjin “Për Investimet Strategjike”, fillimisht me afat deri në vitin 2018, por me votat e shumicës socialiste afati i tij u shty edhe dy herë të tjera në Kuvend, duke e çuar efektet e tij ligjore deri më 31 dhjetor 2027.

Ligji ka shkaktuar debate dhe kritika për mënyrën e zbatimit si dhe për rrethin e përfituesve. Sipas opozitës dhe ekspertëve të ekonomisë, skema e investitorëve strategjikë ka favorizuar një grup oligarkësh si dhe ka cenuar pronën private, duke nxitur konflikte sociale.

Ligji i njeh statusin investitor strategjik në turizëm çdo projekti që investon më shumë se 5 milionë euro dhe punëson 80 punëtorë. Sipas vendimeve të miratuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, shteti u ka ofruar investitorëve strategjikë qindra hektarë tokë përmes kontratave të qirasë 1 euro, infrastrukturë ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm dhe përfitime të tjera.

Dallandyshe Xhaferri
+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.