Ish-Drejtoresha e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi u mor e pandehur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) si pjesëtare e një grupi të strukturuar kriminal.
Rajmonda Dashi akuzohet për “pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të kryer në bashkëpunim në çështjen që SPAK-u ia përcolli Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO).
Sipas SPAK, ajo ka bashkëpunuar me tre persona të njohur për botën e krimit në Europë për të pastruar origjinën prej veprimtarisë kriminale të 1.250.000 eurove dhe 9 milionë lekëve, duke i investuar ato në pasuri të paluajtshme në Shqipëri.
Të pandehur të tjerë në këtë dosje janë edhe Besjan Ramaj, Leonard Ramaj dhe Ardjan Malasi, të cilët akuzohen për “grup të strukturar kriminal”, “kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe për “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Nga aktet e dërguara prej autoriteteve të Drejtësisë belge dhe nga hetimet e kryera, rezulton se dy vëllezërit, Besjan dhe Leonard Ramaj, janë dënuar më 2021-shin në Belgjikë për vepra penale të lidhura me narkotikët.
Gjithashtu, rezulton se 12 vite më parë, më 2012-n, Besjan Ramaj është dënuar në Norvegji për të njëjta vepra penale.
“Prej vitit 2010 në bashkëpunim të veçantë me të pandehurin Leonard Ramaj (vëllai i tij), Ardjan Malasi (i njohuri i tij) kanë kryer veprime sistematike, të vazhdueshme të kundërligjshme me qëllim pastrimin e të ardhurave që kanë përfituar nga kryerja e aktivitetit kriminal, përmes investimit në pasuri të paluajtshme, kryerjes së veprimeve për shitblerje dhe transferim në vazhdimësi të pronësisë, si dhe përmes lëshimit të faturave fiktive nga shoqëritë tregtare të tyre për qëllime të justifikimit të burimit të ligjshëm. Kjo veprimtari kriminale rezulton të ketë vazhduar nga viti 2010 e në vijim deri në vitin 2023”,– thuhet në njoftimin e SPAK.
Ndërkohë, ish-Drejtoresha e Kadastrës së Durrësit ka bashkëpunuar me Besjan Ramaj dhe Ardjan Malasin pas vitit 2018 për të pastruar të ardhurat e siguruara nga aktiviteti i tyre i paligjshëm, duke i investuar në pasuri të paluajtshme në vendin tonë.
Veprimtaria e tyre përfshinte transferimin e pasurisë me synim fshehjen e origjinës së burimit të parave.
“Rezulton të jetë përdorur kryesisht paraja në dorë, e cila është integruar në shoqërinë “Ledio 04” sh.p.k me ortak dhe administrator, të pandehurin. Ardjan Malasi, për t’u investuar më pas në pasuri të paluajtshme, e shoqëruar me kryerje të veprimeve dhe transferimeve të shumta bankare të vlerave monetare nga llogaritë e shoqërisë tregtare në atë personale”- sqaron SPAK.
Sipas prokurorisë, edhe Ish-Drejtoresha e Kadastrës Durrës është e përfshirë në pastrimin e parave për llofari të dy vëllezërve.
“Dijenia e tyre mbi origjinën e paligjshme të pasurive dhe të të ardhurave rezulton e provuar për të pandehurit Besjan dhe Leonard Ramaj si të përfshirë edhe në aktivitetin kriminal të trafikimit të narkotikëve, ku janë gjeneruar të ardhurat e kundërligjshme dhe për të pandehurin Ardjan Malasi dhe Rajmonda Dashi nga rrethanat faktike”,– ka sqaruar SPAK.
Në kuadër të këtij procedimi SPAK ka kërkuar konfiskimin në GJKKO për 12 apartamente dhe një dyqan prej 300 metrash katrorë në qytetin e Fierit, 4 apartamente dhe 3 ambjente garazhi në Tiranë, 1 pasuri e paluajtshme, ullishte, me sipërfaqe 5.200 m2 në Mallakastër, një shoqëri tregtare dhe 2 automjete.
Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.