Ish-gjyqtari Ilir Pashaj dënohet me 3 vite e 4 muaj burg për korrupsion

Ish-gjyqtari i Elbasanit dënohet për herë të dytë për korrupsion si dhe për fshehje pasurie, ndërsa gjykata i konfiskoi një apartament dhe një automjet.

562
ish-Gjyqtari Ilir Pashaj
Credits: RTSH

Gjykata e Posaçme ka shpallur vendimin për ish-gjyqtarin dhe avokatin Ilir Pashaj, duke e dënuar me 3 vite e 4 muaj burgim. Ai u gjet fajtor për akuzat e “korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të drejtësisë”, “fshehjes së pasurisë” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Fillimisht, trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Paulin Çera dhe Artan Jahollari vendosi një dënim prej 5 vitesh burg, i cili u reduktua me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke rezultuar në dënimin përfundimtar prej 3 vitesh e 4 muajsh burgim.

Përveç dënimit me burg, Gjykata vendosi ndalimin e Pashajt për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare pas vuajtjes së dënimit. Po ashtu, u urdhërua konfiskimi i një apartamenti dhe i një automjeti tip Mercedes Benz, të cilat u identifikuan si pasuri të pajustifikuara.

Vendimi vjen pas hetimeve të nisura nga SPAK në vitin 2020, të cilat u përmbyllën vitin e kaluar. Ilir Pashaj, i cili pas dorëheqjes nga detyra si gjyqtar në vitin 2017 kishte vijuar të punonte si avokat, u arrestua në korrik të vitit 2022 si i përfshirë në një skemë korrupsioni.

Ky nuk është dënimi i parë për Pashajn.

Në janar 2024, ai u dënua nga GJKKO me 1.4 vjet burg për korrupsion aktiv, dënim që u konsiderua i shlyer për shkak të kohës së kaluar në paraburgim. 

Pashaj dyshohet se ka marrë rreth 400 mijë lekë ryshfet për të ndërhyrë në uljen e dënimit të të burgosurit Xhuliano Musai, i akuzuar për plagosje. Sipas hetimeve, ai kishte ndërmjetësuar për dhënien e ryshfetit tek ish-gjyqtarja e Elbasanit, Zamira Vyshka, e cila u dënua me 2 vite shërbim prove dhe ndalim të ushtrimit të funksioneve publike për 3 vite.

Pashaj është një nga gjyqtarët që dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë në vitin 2017, përpara se të niste procesi i vetingut, ndërsa veprimtaria e tij si avokat rezultoi të ishte e lidhur me praktika korruptive, çka çoi në arrestimin dhe dënimin e tij.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.