Ish-kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, është paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Thirrja e Roshit dyshohet të lidhet me një kallëzim të Këshillit të Lartë të Shtetit (KLSH) për procesin e shqyrtimit dhe verifikimit të pasurisë gjatë viteve 2013-2014, kur Roshi drejtonte bashkinë.
Pas daljes nga godina e SPAK, Roshi refuzoi të jepte shpjegime për arsyen e paraqitjes së tij, duke u shprehur shkurt: “Isha për disa veprime. Nuk m’u komunikua akuzë.”
Ish-kryebashkiaku socialist është kallëzuar nga KLSH për disa tendera të zhvilluar gjatë kohës që ai drejtonte Bashkinë e Kavajës. Hetimi ka të bëjë me abuzime me tendera dhe shpërdorim fondesh publike, kryesisht në fushën e urbanistikës dhe prokurimeve.
Sipas KLSH, dyshohet se Roshi, së bashku me 10 zyrtarë të tjerë të bashkisë, ka shkaktuar një dëm financiar prej 33 milionë lekësh përmes tenderave që lidhen me rikonstruksionin e qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve. KLSH ka renditur 12 tendera ku janë konstatuar shkelje, përfshirë përdorimin e standardeve të dyfishta në vlerësimin e ofertave dhe skualifikimin padrejtësisht të operatorëve me ofertën më të ulët.
Në vitin 2017, është regjistruar procedimi penal për këtë kallëzim për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, por pa autor.
Sipas njoftimit të Gjykatës së Posaçme, në vitin 2017 është regjistruar procedim penal për këtë kallëzim për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, por pa autor. Tentativa për pushimin e kësaj çështjeje ndaj Rroshit është ndalur nga Gjykata e Posaçme, e cila ia kaloi çështjen për hetime të mëtejshme SPAK-ut.
Më herët Gjykata e Durrësit kishte pushuar procedimin penal ndaj ish-kryebashkiakut socialist.
GJKKO vendosi që në mars të 2024 që SPAK të hetojë ish-kryebashkiakun e PS në Kavajë, Elvis Roshin. Edhe pse SPAK kishte kërkuar pushimin e hetimeve ndaj Roshit, por GJKKO urdhëroi nisjen e hetimeve.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.