I akuzuar për 2 vepra penale, “shpërdorim detyre”, dhe “mosdeklarim të pasurisë”, ish-kryetari i Bashkisë së Himarës kërkoi një proces të shkurtuar të hetimit gjyqësor në seancën e parë të nisur ndaj tij në Gjykatën e Posaçme.
Në sallën e gjyqit Jorgo Goro është dakortësuar me provat e prokurorisë ndaj akuzave të tij dhe ka kërkuar vijimin e procesit gjyqësor, një manovër kjo që e shpëton atë nga 1/3 e burgimit nëse gjendet fajtor për veprat penale për të cilat ai rrezikon deri në 7 vjet heqje lirie.
Gjatë seancës gjyqësore, prokurori i çështjes, Olsi Dado, deklaroi se organi i akuzës ka të provuar, të paktën në dy raste, rrethanat në të cilat ish-kryetari i bashkisë së Himarës është përfshirë në veprimtari të cilat e ngarkojnë atë me përgjegjësi si ligjore.
Prokurori theksoi se janë provuar shpërdorimet e detyrës në dy raste, si dhe akuzën e mosdeklarimit dhe fshehjes së pasurisë nga ana e Goros. Kjo ka bërë që ai të akuzohet për veprime të papërshtatshme dhe abuzive me funksionet e tij zyrtare.
Sipas prokurorëve të Posaçëm, hetimet treguan se Goro përcolli pranë organeve kompetente dokumente të falsifikuara duke bërë të mundur regjistrimin e një toke bujqësore pronë shtet, në favor të Stavri Mëhillit, në kërkim. Pas kësaj procedure, toka u shit te një shoqëri private me përfaqësues ish-deputetin Artan Gaçin, i cili ka fituar statusin e investitorit strategjik. Në total 10 mijë m2 tokë e tjetërsuar në 2 sipërfaqe të ndryshme, tashmë është e sekuestruar me vendim të GJKKO.
Procesi i gjykimit shkurtuar ka nisur gjithashtu dhe për ish-zyrtarët e tjerë të Bashkisë: Vezir Gjikoka dhe Jerasimo Basho. Ndërkohë për ish-kreun e Kadastrës së Vlorës, Bilbil Aliaj do të vazhdojë procesi i gjykimit me procedurë të zakonshme. Gjykata për Aliajn vendosi të ndajë çështjen nga ajo e 3 të pandehurve të tjerë.
Hetimi ndaj ish kryetarit të bashkisë së Himarës ka nisur në vitin 2024, pas një kallëzimi të bërë nga Fredi Beleri, ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës dhe rivali politik i Goros, i cili ishte arrestuar për akuzën e shitblerjes së votave.
Kallëzimi i Belerit ngriti dyshime për abuzime të mundshme lidhur me dhënien e lejeve të ndërtimit dhe menaxhimin e pronave në Himarë.
SPAK, duke u mbështetur edhe në raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka zbuluar shkelje të mundshme dhe ka nisur hetime të mëtejshme për ndërtimin e një resorti në Himarë, ku dyshohet se janë bërë abuzime financiare.
Një nga akuzat më të rënda ndaj Goros është falsifikimi i dokumenteve për të përfituar pasuri në emër të bashkëshortit të deputetes Olta Xhaçka, ndërsa nga hetimi është zbuluar se ai dhe bashkëpunëtorët e tij, përfshirë disa vartës të tij në administratën lokale, kanë manipuluar dokumente dhe i kanë dërguar ato për regjistrim në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) të Vlorës. Kjo ka mundësuar regjistrimin e pronave bujqësore që i përkisnin shtetit në emër të subjekteve private, duke shkaktuar abuzime të rënda me pasurinë publike.
Prej marsit të vitit 2024 Goro gjendet në burg pasi akuzohet nga SPAK se në bashkëpunim me vartës dhe zyrtarë të Kadastrës, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kanë mundësuar kalimin e sipërfaqeve të konsiderueshme tokë shtet në Himarë, në favor të privatëve.
Gjykata ndërkohë ka sekuestruar një apartament në pronësi të tij, ndërsa ai akuzohet edhe për tjetërsimin e një sipërfaqeje në favor të Arqilea Bollanos, i cili e zëvendësoi si kryetar i komanduar i bashkisë Himarë pas arrestimit.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.