Tiranë, 27 shkurt 2025 – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur vendimin për çështjen e të pandehurve Eduart Kapri, Besmira Niko dhe Besjan Meço, të akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” të kryer në bashkëpunim.
Pas zhvillimit të gjykimit të shkurtuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Ardit Mustafaj, Gjykata ka vendosur deklarimin fajtor të të pandehurve dhe ka caktuar dënime të ndryshme për secilin prej tyre, si dhe ka vendosur masa të tjera sigurie.
Gjykata gjeti fajtorë Eduart Kaprin për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” të kryer në bashkëpunim për të cilin dha një masë dënimi me me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim Në bazë të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, dënimi i tij është ulur me 1/3, duke e dërguar në 1 (një) vit burgim. Gjykata ka vendosur që ekzekutimi i dënimit të pezullohet dhe të pandehuri Kapri të vihet në provë për një periudhë prej 2 (dy) vjetësh, gjatë së cilës ai do të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe do të shmangë çdo vepër tjetër penale.
Gjithashtu, Kapri nuk do të ketë të drejtën për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare, pas marrjes së vendimit përfundimtar.
Masa të ngjashme dënimi Gjykata ka vendosur për Besmira Niko dhe Besjan Meçon të akuzuar nga SPAK si bashkëpuntorë të ish kryetarit të bashkisë së Pogradecit.
Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se në vitin 2009, kur subjekti Gedi sh.p.k., kishte marrë një leje nga Bashkia Pogradec, për ndërtimin e një pallati 12 katësh në lagjen nr 3 të Pogradecit, administrator i kësaj shoqërie ka qenë Eduart Kapri.
Afatet e ndërtimit kishin përfunduar në dhjetor 2014 dhe bashkia e Pogradecit, që në atë kohë drejtohej nga Artan Shkëmbi i kishte refuzuar zgjatjen e afatit të kësaj leje ndërtimi pasi subjekti ndërtues kishte depozituar kërkesën jashtë afateve ligjore, në datë 05.11.2014 pikërisht një muaj para se të përfundonin afatet e lejes së ndërtimit.
Në 2015 Kapri u zgjodh kryetar bashkie pasi fitoi zgjedhjet e 21 qershor të këtij viti. Firmën ‘Gedi’ sh.p.k ia kaloi të vëllait, Gëzim Kapri për administrim.
Pak muaj pasi ishte në krye të bashkisë, konkretisht në 31 mars 2016 Kapri firmosi lejen për rishikimin e kushteve të lejes duke lejuar kështu jo vetëm përfundimin e punimeve të pezulluara, por dhe ndërtimin e 2 kateve shtesë të këtij pallati në rrugën “Reshit Çollaku” edhe pse çështja ndodhej ende për gjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.